“Ambasadori britanik e di arsyen pse Thaçi po akuzon ndërkombëtarët” - Bota Sot
“Ambasadori britanik e di arsyen pse Thaçi po akuzon ndërkombëtarët”

Politika

E premte, 17 nëntor 2017

“Ambasadori britanik e di arsyen pse Thaçi po akuzon ndërkombëtarët”

Nga: Arbnore Zhushi Më: 12 tetor 2017 Në ora: 23:37
O’Connell - Thaçi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka nxitur reagime të shumta, pas akuzave ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Ai ka thënë se ndërkombëtarët i kishin premtuar se themelimi i Gjykatës Speciale do të hapte perspektivë Kosovës në proceset euroatlantike, mirëpo kjo sipas tij, nuk po ndodhë.

“Jemi tërësisht të izoluar dhe po asnjë perspektive. Pra, shqetësimi im nuk ka të bëjë me Gjykatën Speciale, pavarësisht efekteve të saj, por ka të bëjë me gjendjen e renduar të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

I pyetur për largimin e ambasadorit britanik në Kosovë Ruoari O’Conell nga salla ku hodhi akuza në drejtim të BE-së, ai ka thënë se nuk e ka vërejtur këtë gjë. Ndërsa i quajti frustruese, fëmijërore dhe aspak diplomatike sjelljet e ambasadorit O’Conell, nëse janë bërë si pasojë e pakënaqësisë me fjalimin e tij.

 “As se kam vërejtur që ka qenë brenda, as se kam vërejtur që ka dal jashtë. Nëse ka dal për punë të veta është vendim i tij, çështje e tij. Nëse ka dal si rezultat i pakënaqësisë me debatin, atëherë është sjellje frustruese, fëmijërore, aspak diplomatike”, ka deklaruar ai.

Duke komentuar këtë deklaratë të presidentit, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se Britania nuk do t’i prish raportet me Kosovën për shkak të Thaçit, por sipas tij, ky shtet mund t’i ngrijë raportet me vet presidentit.

Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se O’Conell e di pse Thaçi po bën deklarata “amatoreske”.

“Nuk besoj se ambasadori britanik bie në nivelin e Thaçit, për t’i prishur raportet e Kosovës me Britaninë, pasi ambasadori O’Conell e di mentalitetin e Hashimit dhe arsyen pse po i bën këto deklarata të pamatura dhe amatoreske. Thaçit po i vie fundi, prandaj po i hedh shqelmat e fundit. Nëse Thaçi do të ishte president serioz, do të kishte ndikim deklarata e tij, por meqënëse krejt bota nuk i merr shumë parasysh deklaratat e tij nuk janë relevante. Nuk është Thaçi relevant që të merren seriozisht deklaratat e tij, prandaj është e mjerueshme se kush e udhëheq vendin. Gjithsesi, kjo deklaratë mund të ngrijë raportet e Britanisë me presidentin, që është lajm i keq dhe i padobishëm për Kosovën”, është shprehur analisti Faton Mehmeti.

Mirëpo, ai ka shtuar se Britania nuk do të ndalojë ndihmën për Kosovën.

“Nuk mendoj se Britania do t’i ndalojë ndihmat dhe mbështetjen për Kosovën, sepse Thaçi ka thënë diçka të pavend. Në fakt, Thaçi flet shumë herë pa vend, aq sa askush më nuk i merr parasysh deklaratat e tij. Thaçi po tutet edhe njeriu nga tuta flet përçart. Duhet kuptuar Thaçi, i cili po jeton ditët e fundit si sultan, pasi Gjykata Speciale, do ta ballafaqojë me të palarat e tij”, ka thënë Mehmeti.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test