A po dështon padia e Kosovës kundër Serbisë për gjenocid?

Politika

A po dështon padia e Kosovës kundër Serbisë për gjenocid?

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 13 tetor 2017 Në ora: 09:38
Shqiptarët e arrestuar nga kriminelët serbë gjatë luftës në Kosovë

Në kohen kur është rikthyer Gjykata Speciale në diskutim dhe akuzat që Presidenti Thaçi hodhi ndaj ndërkombëtareve, për  institucionet e vendit po konsiderohet e rëndësishme që të bëjnë diçka më shumë për ta paditur Serbinë për krime lufte, ashtu siç edhe është premtuar.

Deri më tani, Kosova nuk ka bëre asgjë në këtë drejtim dhe se mundësitë për paditje ndaj Serbisë nuk janë aq bindëse, kur dihet edhe zhvillimi i bisedimeve me Serbinë.

Image
Rexhep Selimi

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputeti nga Lëvizja vetëvendosje Rexhep Selimi ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi sa ishte kryeministër ia kurdisi UÇK-së gjykatën speciale, me shpresën se do të mund të menaxhonte agjendën e saj kundër luftëtareve të UÇK-së dhe tash kur duket se kjo gjykatë do të veprojë, sipas tij, Thaçit po i djeg puna e saj.

“As nëse do ta padiste Qeveria e Kosovës Serbinë për krime lufte kjo nuk do ta mund ta vinte drejtësinë në vend, përderisa vetë kjo qeveri e ka bërë paraprakisht padrejtësinë ndaj çlirimtareve duke i dërguar në bankën e të akuzuarve.  Ajo çfarë ka bërë Thaçi me Gjykatën Speciale dhe deputetet që e kanë votuar atë është më e rendë sesa të tradhtonin kur ishin në luftë. Tash reagimi i Thaçit është krejt hipokrizi dhe tentim për manipulim të opinionit” ka thënë Selimi.

Image
Ehat Miftaraj

Neglizhenca e Kosovës

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për drejtësi (IKD) ka thënë se Kosova ka neglizhuar ne vazhdimësi trajtimin e krimeve të luftës që Serbia ka kryer në Kosovë.  Autoritetet në Kosovë asnjëherë nuk e kanë pasur prioritet hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.

“Fatkeqësisht edhe në ato fusha ku institucionet vendore kanë kompetenca që nga viti 2014 lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale të kryesve të krimeve të luftës në Kosovë, qoftë për shkak të mungesës së përkrahjes financiare, mungesës së resurseve dhe mungesës së vullnetit politik për tu marr me këtë çështje që është në interes nacional dhe obligim ndaj familjarëve të mbi 12 viktimave të luftës, mekanizmat e shtetit kanë dështuar totalisht” ka thënë ai.

Sipas Miftarajt, krimet e luftës në Kosovë përmenden vetëm nëpër fjalime të Presidentit, Kryeministrit apo akterëve tjerë kompetent dhe nuk merren veprime konkrete për të përmbushur mandatin kushtetues dhe ligjor, diskutimet për padi ndaj shtetit serb për krime lufte janë vetëm retorikë që nuk prodhojnë asnjë pasojë dhe nuk mund të ndryshojnë realitetin.

Image
Florin Vertopi

Kurse sipas avokatit Florin Vertopi tani për tani në Republikën e Kosovës, ekzistojnë tri mendime lidhur me dorëzimin e padisë në Gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë me seli në Hagë. Mendimi i parë pretendon se Kosova nuk është anëtare e OKB, prandaj nuk ka legjitimitet që të dorëzojë padinë në këtë Gjykatë. Mendimi i dytë e përkrahë dorëzimin e padisë nga ana e Kosovës në këtë Gjykatë. Ndërsa, mendimi i tretë thotë se, në vend të Kosovës këtë padi duhet ta dorëzojë Republika e Shqipërisë si anëtare e OKB.

“Sipas nenit 93 par.1, të Kartës së OKB-së, të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara janë palë e Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Po ashtu, në neni 35.par.1, të Statutit të GJND, thuhet se, Gjykata qëndron e hapët  për  shtetet palë në këtë statut. Kurse, në anën tjetër në bazë të nenit 35 par.3 të Statutit të GJND, në raste kur një shtet nuk është anëtarë i OKB-së, por është palë në ndonjë çështje, Gjykata cakton pjesën e shpenzimeve të saj që do të paguajë shteti që merr pjesë në procesin gjyqësor, pra shteti që paraqitet si palë në këtë rast. Në rast se kemi mosmarrëveshje për ndonjë çështje, nëse Gjykata është ose jo kompetente, për këtë vendos Gjykata (Neni 36 par.6 i Statutit të GJND). Pra, çështja për t’iu drejtuar Gjykatës është e ndarë nga çështja, nëse Gjykata ka apo nuk ka juridiksion për një mosmarrëveshje që paraqitet përpara saj për shqyrtim”, ka shpjeguar Vertopi.

Me këtë rast, ai ka përmendur disa raste që janë shqyrtuar në Gjykatë para se ato shtete të bëhen anëtarë të OKB-së, si psh.: RF e Gjermanisë në procesin e shelfit kontinental të Detit të Veriut (1969) si dhe Shqipëria, me procesin e Kanalit të Korfuzit (më 10 dhjetor 1949, GJND ka caktuar shumën e dëmshpërblimeve,  prej  843 mijë e 947 stërlina që do të duhej të jepte Shqipëria lidhur me  incidentin në Kanalin e Korfuzit, etj.

Mundësitë për padi

Vertopi ka shpjeguar se fillimisht, nëse drejtpërdrejtë  Republika e Kosovës e dorëzon padinë kundër Republikës së Serbisë për ushtrimin e Gjenocidit në Kosovë, atëherë GJND duhet të vendosë për juridiksionin.

“Kuptohet, që Republika e Serbisë fuqishëm do të thirret në mungesën e juridiksionit. Nëse kjo padi hedhet për shkak të mungesës së juridiksionit, parashtrohet pyetja çfarë humbë Republika e Kosovës? Pra, nëse hedhet padia në mungesë të juridiksionit nga kjo del se nuk është vendosur për kërkesëpadinë dhe me kohë kjo e drejtë mund të fitohet pasi të anëtarësohet Kosova në OKB.  Megjithatë, Republika e Kosovës “si rast i veçantë”  që është, në opinionin ndërkombëtarë kjo çështje do të trajtohet dhe po besojë me këtë  asgjë nuk do të humbët.  Së paku do të grumbulloheshin të gjitha provat materiale dhe do të bëhej një përgatitje e mirë për dorëzimin e kësaj padie në të ardhmen. Sidoqoftë, ia vlen që për këtë temë të zhvillohen takime të caktuara mes personave që janë kompetent, e pse jo edhe nga vetë strukturat e qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë. Pra, do të ishte mirë që kjo çështje të analizohet në detale e pastaj të veprohet. Pajtesa mes RK si dhe RS, do të ishte më e lehtë nëse kësaj i paraprin vendimi gjyqësorë nga GJND, e i cili vendim kuptohet do të ishte në favor të Republikës së Kosovës dhe Popullit të saj”, është shprehur ai.

Mirëpo, ai ka theksuar se nuk do të duhej që vetëm Presidenti i  Republikës së Kosovës, të obligohet me këtë detyrë.

“Nuk do të ishte e drejtë. Duhet të jemi institucionalista. Sipas nenit 65 të Kushtetutës së RK, Kuvendi i RK vendos për çështjet me interes të përgjithshëm. Kurse, sipas nenit 83 dhe 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës. Presidenti e udhëheq politikën e jashtme të vendit; Ndërsa, sipas nenit 92, të Kushtetutës së RK, Qeveria zbaton ligjet dhe aktet e tjera të miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe ushtron veprimtari tjera brenda përgjegjësive të përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj. Prandaj, përgjegjësitë lidhur me këtë temë, bien mbi Kuvendin, Presidentin si dhe mbi qeverinë. Puna e përbashkët do sillte rezultate” ka deklaruar ai.

Krimet mbetën në harresë

Por se a ka dështuar Kosova në ketë drejtim, që ta padit Serbinë për krime lufte, avokati Florin Vertopi ka thënë se herët është të flitet për dështimin.

“Me sa di janë siguruar provat materiale lidhur me bazën juridike të padisë. Republikës së Kosovës i duhet një unitet, punë si dhe angazhime shumë të mëdha që mos të lejojë që të vije deri te dështimi. Kuptohet, që  lidhur me këtë Republikës tonë,  i duhet edhe një përkrahje e madhe nga Republika e Shqipërisë si dhe nga faktori ndërkombëtar”, ka përfunduar ai.

Image
Haki Abazi

E njohësi i çështjeve politike në vend Haki Abazi ka deklaruar se sipas të gjitha informacioneve Gjykata speciale që është pranuar nga vet Hashim Thaçi dhe Hajredin Kuqi tanimë është e gatshme të veprojë. Për Haki Abazin, pranimi i një gjykatë që do të përndjek dhe akuzojë vetëm pjesëtarët e një grupi etnik është presedan i rrezikshëm për Kosovën dhe boten.

“Drejtësia nuk është etnike dhe Kosovaret sado që kanë qenë pjesë luftës nuk mund të krahasohen më krimet që ka bëre regjimi jugosllav që nga 1945 deri më 1999.

“Këto krime dhe se bashku me pastrimin etnik të fshatrave të Nishit janë lënë gjithmonë në harresë për shkak se kemi pasur lidership të pa mençur, naiv, arrogant dhe të korruptuar. Kjo ka ndodhur edhe tani me ligjin për amenstine. Është e mjerë kjo gjendje  që tani ankohen për imponime në fakt tani është koha për të realizuar premtimet dhe të japin dorëheqje dhe të vete dorëzohen pa i shkaktuar dhembje dhe ndarje edhe më të mëdha vendit” ka thënë Abazi.

Image
Tomë Gashi

Mungesa e seriozitetit

Edhe avokati Tomë Gashi ka thënë se duke ju falënderuar udhëheqësve politik të pa aftë dhe të pa interesuar fare për shtetin e Kosovës, por të interesuar vetëm për ta vjelë shtetin që nga paslufta e deri më tani asgjë nuk është bërë për ta paditur Serbinë për Krimet që si shet okupues i ka bërë në Kosovë gjatë luftës.

“Asnjë institucion i Kosovës nuk është marr seriozisht me këtë punë që nga 1999 e deri më sot. Duket haptas që shumica e udhëheqësve politik të Kosovës prioritetin e vetëm e kanë pasur dhe e kanë marrjen dhe ruajtjen e pushtetit, e jo punën në të mirë të popullit dhe shtetit. Se po të ishin të përkushtuar deri me tani do të paditej Serbia për krimet e luftës në Kosovë, Serbia do të paditej për 15000 civil të vrarë, për 120.000 objekte banimi të shkatërruara, për dëbimin e gjysmës se popullit shqiptar të Kosovës jashtë Kosove e që është pastrim etnik. Për mija gra te dhunuara, për mija qytetar të plagosur dhe për shkatërrim total të infrastrukturës së Kosovës” ka thënë për Bota sot, Tomë Gashi.

Image
Muhamet Kelmendi

Dështimi i vazhdueshëm

Njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi ka shpjeguar se pushteti në Kosovë ka dështuar në mënyrë të vazhdueshme në drejtim të krijimit të gjendjes që shteti serb të përgjigjet. Kosova nuk ka bëre asnjë veprim. Askush nga shteti serb për dhunën e terrorin, për gjenocidin serb, kuptohet ndaj shqiptarëve nuk është përgjigjur.

“Dështimet janë bërë në kuadër të raporteve të jashtme, si në Bruksel, ku është "biseduar" me kriminelet serbë, kuptohet pa asnjë kërkesë. Nuk kemi asnjë padi në mekanizmat ndërkombëtar për gjenocide. As brenda vendit nuk është ngritur asnjë akuze kundër krimineleve serb.  Gjykatat dhe prokuroritë tona flenë. Nuk ngritin akuza kundër krimineleve serbe, ata dihen kush janë por nuk veprojnë prokuroritë tona” ka thënë ai.

Sipas Kelmendit Prokuroria Speciale e Kosovës nuk përgatiti lëndë kunder Daciçit, Vuçicit e vucave të tjerë që benë dhunë dhe terror. Kriminelet serbë enden nëpër rrugët e Kosovës. Ulen edhe ne qeveri e në Kuvend dhe nuk përgjigjen. Kemi pra dështim total të sistemit juridik dhe të shtetit të Kosovës kundër gjenocidit serb.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat