Tërheqja e Thaçit nga akuzat ndaj BE-së, çfarë përgjigjje mori nga ndërkombëtarët?

Politika

Tërheqja e Thaçit nga akuzat ndaj BE-së, çfarë përgjigjje mori nga ndërkombëtarët?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 13 tetor 2017 Në ora: 16:55
Hashim Thaçi

Gjatë ditës së enjte Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është tërhequr nga deklarata e tij, ku kishte thënë se Kosovës i është bërë padrejtësi nga ndërkombëtarët pasi ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe i janë shtuar vështirësitë.

Lidhur me këtë deklaratë të Thaçi ka pasur reagime të shumta, por ai më pas është tërhequr, ku ka thënë se është keqkuptuar.

Analisti politik Nexhat Haziri i ka quajtur dështim të politikës së Thaçi kritikat drejtuar ndërkombëtarëve për liberalizmin e vizave.

Kurse, për tërheqjen e Thaçit ka thënë se nuk qëndron pasi që bashkëpunimi me ndërkombëtarët ka avancuar agjendën e Kosovës.

‘Kritikat që presidenti Thaçi ia adresoi bashkësisë ndërkombëtare gjoja për mos liberalizim të vizave dhe dështimin e Kosovës për anëtarësim në organizmat ndërkombëtarë, në fakt janë dështime të politikës së tij qoftë si kryeministër për dy mandate dhe tani si president. Natyrisht se kjo tërheqje e tij tani me gjoja një keqkuptim apo keqinterpretim të deklaratave të tij, nuk qëndron, por erdhi si pasojë e asaj që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare ia përplasën për fytyre dështimet e tij’, ka thënë Haziri.

Për më tepër, ai ka thënë se ishte e pritshme pas reagimeve të ndërkombëtarëve që të tërhiqet Thaçi nga deklarata e tij dhe se asnjë konflikt me bashkësinë ndërkombëtare nuk e leverdisë Kosovën.

‘Pra, pas përgjigjeve që i mori nga bashkësia ndërkombëtare, ishte e pritshme që presidenti Thaçi të tërhiqet nga deklaratat e tij dhe më këtë dëshmoi edhe një herë së ka qenë i padenjë, i paditur dhe i pa vizion për qeverisjen e vendit, po kështu është edhe tani në detyrën e presidentit të vendit. Duhet kuptuar se asnjë konflikt me bashkësinë ndërkombëtare nuk e leverdisë Kosovën, përkundrazi duhet bashkëpunim dhe partneritet për ta avancuar agjendën e Kosovës drejtë integrimeve euro-atlantike’ ka thënë ai.

Gjithashtu, Haziri ka thënë se kriteret për liberalizmin e vizave janë obligim për institucionet e Kosovës për t`u integruar në BE dhe për këtë duhet që të angazhohen këto të fundit.

‘Kriteret që duhet plotësuar e që janë obligim për institucionet vendore në rrugën e Kosovës drejtë integrimit në BE, nuk janë diçka që mund të tregtosh me to, por kritere që krahas përmbushjes së tyre, bëhet edhe avancimi i pozitës së shoqërisë dhe prosperiteti i saj. Punët e brendshëm apo detyrat e shtëpisë duhet që institucionet e vendit të jenë më aktive dhe më të angazhuara në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë’, ka përfunduar Haziri për ‘Bota sot’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat