“Gucati shiti çertifikatat e veteranëve për 3 mijë euro”, flasin Prokuroria dhe OVL

Politika

“Gucati shiti çertifikatat e veteranëve për 3 mijë euro”, flasin Prokuroria dhe OVL

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 14 tetor 2017 Në ora: 10:24
Protesta e fundit e veteranëve në Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj qysh në fillim të mandatit të tij po premton që shumë probleme në Kosovë të zgjidhen në një afat të shkurtër, por që realisht po dalin si të pamundura. Kështu, ai premtoi liberalizim vizash brenda tre muajsh, por doli të jetë një premtim absurd. Ky premtim i tij u hodhë poshtë nga njerëzit e tij dhe ekspertët e kësaj fushe.

Haradinaj bëri edhe një tjetër premtim, po aq të pamundur. Ai i kërkoi prokurorisë që të hetojë çështjen e falsifikimit të çertifikatave të veteranëve dhe e tërë puna të kryhet brenda një muaji. Por i menjëhershëm ishte reagimi i zyrtarëve të prokurorisë për Haradinajn.

Prokuroria: Kemi afatet ligjore, nuk ndikohemi nga politika

Të kontaktuar nga “Bota sot”, zyrtarë nga prokuroria, kanë thënë se tashmë janë deklaruar dhe se qëndrim pas asaj deklarate.

Kështu, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, ka deklaruar se për punën e institucionit që drejton, nuk ndikohet nga politika.

Këto komente Millaku i bëri kur u pyet rreth deklaratës së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili tha se do ta obligojë Prokurorinë që brenda një muaji t’i hetojë listat e veteranëve të UÇK-së.

“Do të angazhohemi që sa më shpejtë që është e mundur (t’i kryejmë hetimet). Por ne i kemi afatet ligjore, nuk ndikohemi nga politika”, ka thënë Millaku.

Poashtu, edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se institucioni të cilin e drejton ai nuk do të ndikohet nga asnjë person juridik apo fizik rreth afateve të trajtimit të rasteve.

Image
Aleksander Lumezi

“Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur i cili funksionin e vet e kryen ne mënyre te paanshme, pa ndërhyrje nga cilido person fizik apo juridik”, ka thënë Lumezi.

Duke komentuar afatin e përmendur nga kryeministri për përfundimin e hetimeve, kryeprokurori Lumezi ka porositur se askush nuk mund t’i ndërrojë afatet ligjore.

“Sa i përket afatit të hetimeve është e përcaktuar me dispozitat e KPP dhe askush nuk mund t’i ndryshojë afatet ligjore”, ka thënë Lumezi.

Gucati hesht

Në protestën e mbajtur ditë më parë në Prishtinë, veteranët kanë akuzuar kreun e shoqatës OVL-UÇK, Hysni Gucati se ka bërë shitjen e disa çertifikave në vlerë prej 3 mijë euro. Këto deklarata të veteranëve janë bërë shkak që Haradinaj t’i kërkojë prokurorisë të hetojë këto pretendime.

“Bota sot” ka tentuar disa herë të kontakojë me Gucatin, mirëpo ai nuk i është përgjigjur kërkesës sonë.

Qeriqi: Nuk ka argumente që Gucati shiti çertifikatat

Image
Xhevdet Qeriqi

Nga ana tjetër, ish-kreu i kësaj organizate, Xhevdet Qeriqi, ka thënë se nuk ka fakte nëse Gucati ka bërë veprime të tilla.

“Unë personalisht nuk mund ta akuzojë askënd pa fakte, nuk mund të flas asgjë për këtë rast, sepse nuk kam asnjë argument që Gucati ka bërë veprime të tilla”, ka thënë Qeriqi për “Bota sot”.

Kransiqi: Fajin për fryrjen e listave të veteranëve e kanë komandatët e UÇK-së

Image
Faik Krasniqi

Mirëpo, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, ka thënë se dihet tashmë që listat e veteranëve janë fryrë, madje ato janë shtuar në mbi 50 mijë veteranë dhe sipas tij, fajin për këtë e kanë komandantët e UÇK-së.

“Listat e ushtarëve të UÇK-së u frynë jashtë mase. Nga 12-15 mijë sa pretendohet se janë veteranë të vërtetë të UÇK-së, kjo listë është fryrë në mbi 50 mijë sosh. Dhe padyshim që fajin për këtë fryerje kaq të madhe janë komandantët e UÇK-së, të cilët kanë gisht në dhënien e certifikatave të rrejshme për veteran”, ka theksuar ai.

Krasniqi më tutje ka thënë se komandantët e zonave kanë pasur përgjegjësinë që pas përfundimit të luftës t’i krijojnë listat me ushtarë, të cilët kanë qenë në përfundim të luftës.

“Kjo është edhe arsyeja e problemeve të pagave për këtë kategori. Është e turpshme edhe para NATO-së dhe SHBA-së, të cilët intervenuan për çlirimin e Kosovës nga agresori serb, ky numër kaq i madh i veteranëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova duhet të formojë sa më parë një Komision për pastrimin e këtyre listave, dhe përmes atij komisioni të shpëtojë një shifër të madhe të hollash e që më pas t’i shfrytëzojë në fusha të ndryshme.

“Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një Komision për pastrimin e listave, në mënyrë që të ketë buxhet të mjaftueshëm për pagat e veteranëve të UÇK-së. Në njërën anë shpëtohen dhjetëra miliona euro në vit nga keqpërdoruesit e buxhetit, para që mund të shkojnë në shëndetësi dhe në fondin e investimeve dhe bujqësi, për hapjen e vendeve të reja të punës, dhe në anën tjetër e mbulojmë turpin para miqve ndërkombëtarë, që na shpëtuan prej një gjenocidi. Kurse Prokuroria e Shtetit të ndëshkojë gjithë ata Komandantë të UÇK-së që kanë dhënë certifikata të rrejshme për plaçkitësit e buxhetit të shtetit”, ka vlerësuar Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat