Vendimi i ri i Haradinajt që i humb Kosovës miliona euro

Politika

Vendimi i ri i Haradinajt që i humb Kosovës miliona euro

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 14 tetor 2017 Në ora: 14:15
Ramush Haradinaj

Ditë më parë është bërë publik nënshkrimi i një dokumenti të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradainaj, ku i hiqet kompleksit turistik “Brezovica” statusi i zonës me interes publik. Ky nënshkrim i Haradinajt në vendimin e 22 shtatorit po shihet se Qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë asgjë pa Listën serbe.

Ndërkohë, opozita dhe shoqëria civile, kanë reaguar ndaj këtij vendimi, duke thënë se vendi mund të humbas miliona euro.

Lidhur më këtë çështje, analisti Faton Mehmeti ka thënë se presioni drejtuar qeverisë Haradinaj, e ka detyruar atë që të jap dorëheqje nga Brezovica dhe se kjo dëshmon që pa serbët kjo qeveri nuk mund të bëjë asgjë.

Image
Faton Mehmeti

“Brezovica është privatizuar me intriga dhe manipulime dhe si e tillë edhe ka mbetur. Fatkeqësisht, këtë pasuri të madhe të Kosovës po e udhëheqin serbët, të cilët me presionin e tyre ndaj qeverisë Haradinaj, e kanë detyruar të heq dorë. Ky akt dëshmon për fuqinë e madhe dhe kruciale që kanë serbët në qeverinë Haradinaj, e cila nuk po mundet dot të bëjë asgjë pa ata”, ka thënë ai.

Po ashtu, Mehmeti ka thënë se vendi do të humbet miliona euro dhe se është e dhimbshme që për karrige Haradinaj t’i bëjë dëm vendit. 

“Kosova me këtë rast do të humbas miliona euro, dhe vende të punës e të cilat do t’iu mundësojnë serbëve që ta shndërrojnë Brezovicën në listën e pasurive të udhëhequra nga Beogradi. Kompromis i dhimbshëm që për karrige të bësh këso veprime në dëm të vendit, ekonomisë dhe zhvillimit të saj”, është shprehur Mehmeti.

Ai ka shtuar se opozita si dhe shoqëria civile duhet të reagojnë ndaj këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës.

“Brezovica nuk guxon të anashkalohet, por të shndërrohet ne mekanizëm të zhvillimit ekonomik të vendit. Opozita dhe shoqëria duhet të reagojnë ndaj këtij akti të rënd për vendin dhe zhvillimin e saj ekonomik”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat