Ish- agjenti i SHIK-ut: Gjykata Speciale nuk do ta arrestojë Hashim Thaçin

Politika

Ish- agjenti i SHIK-ut: Gjykata Speciale nuk do ta arrestojë Hashim Thaçin

Nga: Naile Ejupi Më: 14 tetor 2017 Në ora: 21:23
Hashim Thaçi

Ka dy vite që nga votimi i Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë. Deputetët e Kosovës në gusht të vitit 2015, i thanë “Po” Gjykatës Speciale, pas tentimit të dytë për ta kaluar atë.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, ata kishin votuar ndryshimet kushtetuese të cilat i hapin rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në momentin e votimit në seancë ishin të pranishëm 117 deputetë.

Miratimi i këtyre ndryshimeve erdhi pas një dite të rëndë debatesh ndërmjet deputetëve të koalicionit qeveritar dhe atyre të opozitës, në shumë raste edhe me fjalët më banale.

Për formimin e Gjykatës Speciale, ka qenë edhe Presidenti Hashim Thaçi në atë kohë në pozitën e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe zv. Kryeministrit.

“E di se lufta për lirinë e Kosovës ishte një kauzë e drejtë dhe një luftë e drejtë. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë shkelur ndonjë ligj, me përjashtim të ligjeve të Sllobodan Millosheviqit. Gjykata Speciale është një mundësi për Kosovën për t’i shpjeguar botës këtë të vërtetë”, ka thënë Thaçi për mediat ndërkombëtare.

Mirëpo, tani është vetë Thaçi ai i cili thotë se Kosovës i është bërë padrejtësi, pasi i ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe i janë shtuar vështirësitë.

  “Kosova mbajti fjalën e themeloi Gjykatën po bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmori asnjë hap. Kosovës veçse iu vështiruan mundësitë. Kosova u tregua me lojale, por u ndëshkua më së shumti” tha ai.

Sipas Thaçit, Kosovës i ishte premtuar liberalizimi i vizave, krijimi i ushtrisë, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, në këmbim të themelimit të Gjykatës Speciale.

Këtë deklaratë të Presidentit, e kanë demantuar ndërkombëtarët, duke mohuar se ata i kanë premtuar “favore” Kosovës në këmbim të Speciales.

Kurse, ish- luftëtari i UÇK-së, Naim Miftar, thotë se Thaçi ka gënjyer për pushtet, në emër të UÇK-së.

Thaçi ka ardhur në pushtet fillimisht duke gënjyer gjithnjë, në emër të luftës, në emër të UÇK-së, në emër kinse bashkëluftëtar i Adem Jasharit dhe shumë e shumë gënjeshtrat dhe konspiracione të tjera. Ai e mban pushtetin herë duke thënë se liberalizimi është i sigurtë për 15 muaj, herë në zhvillim ekonomik duke cituar veten si mik i Ushingtonit e ndonjëherë si mik i Brukselit. Ai e mban pushtetin kinse si njeri që e lufton islamin radikal, edhe pse po ata talibanë i ka miq dhe votues të PDK-së. Populli mban shpresë jo sot, jo nesër do të bëhet mirë e faktikisht jeta e njeriut ikën dhe premtimet, mashtrimet e gënjeshtrat e Presidentit tonë nuk kanë fund”, ka pohuar Miftari.

Sipas tij, Gjykatën Speciale e ka sjellë Presidenti me mos punën e drejtë të sistemit të drejtësisë, kurse ai vetë e ka pranuar që të shpëtojë nga ndjekjet dhe t’i djegë shokët e tij.

Image
Naim Miftari

Miftari ka shtuar se Specialja nuk do ta arrestojë Hashim Thaçin, sepse ai ka kontribuar për formimin e saj.

“Gjykatën Speciale, Presidenti jonë e ka sjellë me mos punën e drejt të sistemit të drejtësisë që i ka kontrolluar vetë Thaçi dhe SHIK (shërbimi sekret i PDK-së). Kurse, gjykatën e ka pranuar që të shpëtojë vetveten nga ndjekjet dhe t’i djegë shokët e vet (përpos Veselit”. Nëse do të punonin drejt si shtet, si popull e si politikanë ne do të ishim në BE dhe NATO që shumë vite, por shteti nuk përparon me kriminela dhe me gënjeshtra. Shtetin e kemi të dështuar në çdo lëmi, çdo drejtim pasi shtetin e kanë në dorë të krimit të organizum edhe vendas, por edhe krimi i organizum ndërkombëtare e sidomos në kontrabandë, ku sot janë disa njësi të policisë kufitare të Kosovës që urdhërohen nga njerëzit e fuqishëm politikë e mbulojnë dhe e mbrojnë kontrabandën e mafisë e cila është e lidhur me qeverinë që te kryetari dhe Kryeministri i shtetit.Gjykata speciale nuk e arreston apo e dënon Hashim Thaçin i cili edhe ka japë shumë kontribut te formimit të kësaj gjykate e cila është e padrejtë që i bëhet popullit tonë dhe ndaj vendit tonë, por i amenston shtetin kriminal Serbinë dhe amneston krykriminelin e Kosovës Hashim Thaçin”, ka përfunduar Miftari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat