Mungesa në seanca të Kuvendit, analistët: Këto sanksione duhet të merren ndaj deputetëve

Politika

Mungesa në seanca të Kuvendit, analistët: Këto sanksione duhet të merren ndaj deputetëve

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 tetor 2017 Në ora: 08:23
Kuvendi i Kosovës

Mungesa e deputetëve në seancat e Kuvendit në legjislaturën e kaluar ka bërë që për shumë çështje të mos ketë kuorum dhe kështu votimi i ligjeve të shtyhet apo të mos kalojë.

Por, edhe pse vendi ishte në bllokadë institucionale për tre muaj, por edhe pasi u formuan institucionet, jo të gjithë deputetët ishin pjesëmarrës në seancat e mbajtura.

Madje të pranishëm nuk ishin të gjithë deputetët as në ditën kur u zgjodh kryetari i Kuvendit e më pas edhe në ditën kur u zgjodh kryeministri i Kosovës.

Ka deputetë që shkojnë në seanca, që të arrihet të bëhet kuorumi për çështje të caktuara, ndërsa pasi nënshkruhen, ata dalin nga seanca.

E së fundmi kandidimi për zgjedhjet lokale ka bërë që deputetët të mungojnë në seancë, derisa kemi 13 deputetë që janë në garë.

E gjithë kjo po ndodhë edhe pse deputetët kanë rroga të larta.

Por, si do të duhej të veprohej për ata që nuk shkojnë në seanca apo që shkojnë, nënshkruhen dhe më pas dalin.

Mangësitë e Rregullores së Kuvendit

Image
Ramush Tahiri

Lidhur me gjithë këtë, politologu Ramush Tahiri, ka thënë se është rregullorja e Kuvendit që i përcakton të gjitha, por që dikush i shfrytëzon mangësitë e saj.

“Është e përcaktuar me Rregullore te Punës së Kuvendit. Dikush i shfrytëzon maksimalisht mundësitë që lejohen e dikush i shfrytëzon edhe zbrazësitë dhe mangësitë që i ka Rregullorja për përfitime individuale. Pra. secili rast i ka specifikat e veçanta”, ka deklaruar Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Sanksionet ndaj deputetëve

Në anën tjetër, analisti Nexhat Haziri e quan papërgjegjësi mungesën e deputetëve në Kuvend, pasi ata janë zgjedhur për të qenë në Kuvend.

Image
Nexhat Haziri

Ai për “Bota sot”, ka thënë se kjo ka filluar të bëhet dukuri shqetësuese.

“Mungesa e deputetëve në seancat e Kuvendit të Kosovës, ka filluar të bëhet një dukuri shqetësuese, jo vetëm për opinionin e brendshëm, por shumë herë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, qofshin këta ambasadorë apo edhe përfaqësues të tjerë të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, kanë bërë vërejtje për këtë sjellje aspak të përgjegjshme të deputetëve të Kosovës. Kjo sjellje e deputetëve është papërgjegjësi totale në raport me institucionin më të lartë ligjvënës dhe me qytetarët e Kosovës. Deputetët duhet ta kuptojë se ata janë zgjedhur për të qenë të pranishëm në Kuvend, për të zgjedhur e dhe trajtuar çështje që kanë të bëjnë më jetën e qytetarit të cilin ata thonë se e përfaqësojnë, por siç shihet me veprimet e tyre, me mungesa në seancat e Kuvendit, ata janë shndërruar vetëm në grykës të buxhetit të Kosovës dhe të taksapaguesve të Kosovës, duke marrë paga të majme pa punuar fare”, ka deklaruar Haziri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, duhet të ketë sanksione për ata që vetëm shkojnë dhe më pas dalin pasi nënshkruhen.

“Duhet të ndërpritet praktika e shkuarjes në seancë vetëm sa për ta dhënë nënshkrimin që mos t’i humbë mëditja dhe ikja më pas nga seanca, pasi kjo përbën mashtrim dhe kjo gjithashtu duhet të sanksionohet me rregulloren e Kuvendit. Natyrisht se në efikasitetin e dobët të punës së Kuvendit të Kosovës, ka ndikuar edhe fushata për zgjedhjet lokale, gjë që kjo ka shkaktuar edhe reagimin e miqve tanë ndërkombëtarë. Sikur deputetët, por edhe udhëheqësit e tjerë politikë, akoma nuk po e kuptojnë se Kosova nuk ka kohë për të humbur në zgjedhjen e shumë çështjeve që i ka përpara. Çdo neglizhencë e tyre, do të thotë ngecje e Kosovës në shumë procese të cilat do të ndikojnë negativisht në jetën e qytetarëve tanë”, ka thënë Haziri.

Krasniqi: Zyrtarëve me tri mungesa t’iu merret mandati

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, analisti politik Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se për deputetët që shkojnë dhe më pas dalin do të duhej të aprovohej rregullore që atyre t’u merrej mandati i deputetit.

“Një pjesë e madhe e deputetëve shkojnë në Kuvend vetëm sa për të shënuar emrin, në mënyrë që të marrin mëditjet dhe dalin menjëherë nga salla e Kuvendit. Për deputetët e tillë do të duhej të aprovohej një rregullore, që ai/ajo deputete që bën një veprim të tillë, menjëherë t'i merrej mandati i deputetit, sepse deputeti është zgjedhur me votën e popullit për t'i përfaqësuar ata në Kuvend, e jo që ai të marrë një pagë të majme dhe mëditjet”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai përmend edhe mungesat pa arsye të deputetëve dhe ministrave si dhe kandidimin e tyre për zgjedhje lokale.

“E njëjta gjë do të duhej të vlente edhe për deputetët që mungojnë tre seanca pa arsye. Madje, do t'i ndërprisja mëditjet për gjithë deputetët, ministrat, kryeministrin, presidentin dhe gjithë zyrtarët e shtetit, sepse pagat e tyre janë më të lartat në rajon. Edhe për deputetët që garojnë për kryetar komunash do të duhej të aprovohej një ligj. Një deputet nëse dëshiron të kandidojë të kryetar komune, t'i merrej automatikisht mandati i deputetit. Për çdo gjë ka zgjidhje, por këta nuk janë çmendur t'ia ndalojnë vetvetes zhvatjen e shtetit”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat