“Debaklet” e Kosovës që shkaktuan nervozizëm tek Hashim Thaçi

Politika

“Debaklet” e Kosovës që shkaktuan nervozizëm tek Hashim Thaçi

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 15 tetor 2017 Në ora: 14:59
Hashim Thaçi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ditëve të fundit ka nxitur reagime të shumta në shoqërinë civile përmes deklaratave të tij akuzuese kundrejt bashkësisë ndërkombëtare.

Ai në një tryezë të organizuar për Gjykatën Speciale në Prishtinë, ka akuzuar Gjykatën Speciale, duke thënë se ajo po bashkëpunon me Serbinë, derisa me Kosovën nuk po ndodhë një gjë e tillë.

Por, akuzat e tij, duket se nuk i kanë pëlqyer ambasadorit britanik në Kosovë Ruoari O’Conell, i cili lëshoi sallën derisa Thaçi po mbante fjalimin e tij.

Ndërkohë Presidenti ka thënë se nuk e ka vërejtur këtë gjë, por i quajti frustruese, fëmijërore dhe aspak diplomatike sjelljet e ambasadorit O’Conell, nëse ato janë bërë si pasojë e pakënaqësisë me fjalimin e tij.

“As se kam vërejtur që ka qenë brenda, as se kam vërejtur që ka dal jashtë. Nëse ka dal për punë të veta është vendim i tij, çështje e tij. Nëse ka dal si rezultat i pakënaqësisë me debatin, atëherë është sjellje frustruese, fëmijërore, aspak diplomatike”, ka deklaruar ai.

Image
Mentor Tahiri

E një deklaratë e tillë e Thaçit, sipas politologut Mentor Tahiri, tregon se në vend ka një nervozizëm në gjuhën e diskursit politik. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se në këtë gjendje “dramatike”, ka ndikuar edhe debakli i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, duke përmendur këtu dështimin në Interpol dhe në UNECSO.

“Ditëve të fundit gjuha e diskursit politik është bërë dramatike. Shihet qartë se ka një nervozizëm, i cili në fakt mund të jetë i shkaktuar nga shkaqe të ndryshme politike. Të rikujtojmë se së fundi, Kosova pësoi dy debakële në rrafshin e sistemit politik ndërkombëtar. Ajo u tërhoq nga kandidatura për anëtarësim në Interpol dhe UNESCO. Sipas deklarimeve që dolën më pas, duket se tërheqja është bërë me presion të aleatëve tanë”, është shprehur Tahiri.

Politologu ka vlerësuar se Thaçi duhet të përfundojë së përdoruri gjuhën e ashpër, për shkak të miqësisë së Kosovës me Britaninë e Madhe. Sipas tij, ambasadori O'Connell është personi më aktiv në kuadër të trupit diplomatik në Kosovë.

“Pavarësisht gjuhës së ashpër, duket se Presidenti Thaçi ka zgjedhur një momentum politik të tillë në raport me ndërkombëtarët, ashtu që të adresoj pakënaqësitë e tij. Gjithsesi, kjo periudhë e frustrimit duhet të përfundojë ngase diplomacia ka frekuencat e saj të komunikimit. Vetë Britania e Madhe është një mik shumëfish i konfirmuar i Kosovës dhe këto ditë kritike nuk mund të luhatin këtë miqësi. Ambasadori O'Connell është personi më aktiv përgjithësisht në kuadër të trupit diplomatik në Kosovë dhe pikërisht ai mund të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe një komuniteti ndërkombëtar goxha të fjetur në raport me Kosovën”, ka shtuar politologu Mentor Tahiri për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat