Flet avokati, tregon arsyet pse gjyqtarët dhe prokurorët serbë refuzuan të betohen para Thaçit

Politika

Flet avokati, tregon arsyet pse gjyqtarët dhe prokurorët serbë refuzuan të betohen para Thaçit

Nga: Gresa Bajraktari Më: 17 tetor 2017 Në ora: 22:24
Hashim Thaçi

Edhe pse ishte planifikuar që sot të bëhet dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga pjesa veriore e Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi, kjo gjë është shtyrë për një afat të pacaktuar.

Për këtë, përmes një komunikate për media zyra e Presidentit të Kosovës njoftoi se Presidentit ishte i gatshëm të presë ardhjen dyzet e dy (42) gjyqtarëve dhe katërmbëdhjetë (14) prokurorëve nga komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës, të cilët, pas dekretimit, do të duhej t’i bashkohen sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial të Republikës së Kosovës.

"Sot, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet joshumicë, nuk ndodhi për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk erdhën për dekretim. Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit të Kosovës.

Më tej thuhet se Serbia këtë e ka bërë kundër Kosovës, derisa dekretimi i gjyqtarëve ka rol të madh tek komunitetet dhe sipas komunikatës ky është dhe dështim i BE-së.

“Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve joshumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi. Njëkohësisht, veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë sot për dekretim tek Presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për drejtësi”, thuhet pos tjerash në komunikatën e Zyrës së presidentit Thaçi.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje lidhur me kërkesën e Serbisë që të shtyhet integrimi i stafit serb nga veriu i Kosovës në gjyqësorin e Kosovës.

“Prishtina i ka përmbushur të gjitha obligimet lidhur me zbatimin e marrëveshjes për gjyqësorin. Është shumë e rëndësishme që të bëhet integrimi i stafit, sepse kjo do të kontribuojë në aspektin e sundimit të ligjit në Kosovë, gjegjësisht në rajonin e Mitrovicës”, ka thënë Kocijançiq në një konferencë për media në Bruksel.

Image
Adrian Gjoshi

Për gjithë këtë, avokati Adrian Gjoshi në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se refuzimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve tregon ndikimin që ka Serbia në Kosovë dhe se po të bëhej dekretimi, ata do ta njihnin Kosovën si shtet.

“Refuzimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë për të dhënë betimin para presidentit Thaçi tregon edhe njëherë ndikimin që Serbia zyrtare vazhdon ta ketë tek serbët që jetojnë në Kosovë. Ata refuzuan sepse Serbia vazhdon të mos e njeh Kosovën si shtet. Betimi në këto kushte i "njerëzve të ligjit" para Presidentit të Republikës së Kosovës do të konsiderohej njohje e shtetit të Kosovës”, është shprehur Gjoshi.

Sipas tij, në veri nuk njihet kushtetuta dhe ligjet e Kosovës dhe derisa është kështu, nuk pritet që aty të njihet institucioni i presidentit, pasi nuk njihet kushtetuta.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës vazhdon të mos ketë shtrirje dhe aplikim në gjithë Kosovën; Mitrovica e Veriut nuk jeton me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, prandaj, s'ka se si të pritet që kjo e fundit ta njohë një kategori kushtetuese - institucionin e presidentit - kur nuk e njeh kushtetutën si tërësi”, ka deklaruar avokati Gjoshi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat