“Fushatë e qetë zgjedhore, arsye dobësimi i SHIK-ut”

Politika

“Fushatë e qetë zgjedhore, arsye dobësimi i SHIK-ut”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 tetor 2017 Në ora: 11:59
Kadri Veseli, ish kreu i SHIK-ut

“Këto zgjedhje të 22 tetorit do të prodhojnë rezultat të paparashikuar. Rënia e forcës së SHIK-ut ka ndikuar në klimën më të qetë, e cila po ndjen një frymë demokracie për herë të parë në një palë zgjedhje lokale në Kosovë”, ka nënvizuar Mehmeti.

E diela e kësaj jave do të jetë dita kur qytetarët e Kosovës do të votojnë për kryetarët e komunave të tyre.

Tashmë, kanë mbetur vetëm edhe katër ditë kohë për partitë politike që t’i bindin qytetarët për votën e tyre.

Fushata zgjedhore e filluar në 22 shtator do të përfundojë të premten, duke shënuar kështu një muaj fushatë, gjë që kjo shihet e lodhshme nga ana e analistëve politikë.

Image
Dimal Basha

Dështim i fushatës zgjedhore

Analisti politik Dimal Basha, e cilëson të dështuar fushatën sa i përket jetëgjatësisë.

Sipas Bashës, komunat në Kosovë janë kryesisht të vogla dhe qytetarët e kanë lehtë të informohen për planprogramet e synimet e kandidatëve, prandaj nuk ka nevojë të bëhet fushatë më shumë se dy javë.

“Fushata e zgjedhjeve lokale ka dështuar në jetëgjatësinë e saj. Kohëzgjatja e këtyre zgjedhjeve është e lodhshme, por edhe e neveritshme për qytetarët, por edhe për vetë kandidatët. Komunat në Kosovë janë kryesisht të vogla dhe qytetarët e kanë lehtë të njihen me planprogramet dhe synimet e kandidatëve, prandaj askush nuk ka nevojë më shumë se dy javë të vendos se kë ta votojë. Çdo minutë më shumë, është vetëm lodhje psiqike dhe financiare për të gjithë ne”, ka pohuar Basha.

Ai ka vlerësuar se këto zgjedhjet kanë dy dallime pozitive.

“Përndryshe, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, unë mendoj ka dy dallime që janë pozitive. E para, ka filluar të shuhet “militantizmi” politikë dhe partitë e kanë kuptuar se s’ka më votë të garantuar dhe kjo ka bërë që të ketë “përplasje” që ka qenë më pak e zhurmshme, por me kualitative sepse është debatuar për substancën, e jo për subjektin. Dhe, kjo ka çuar te pika e dytë pozitive, ku ka filluar të debatohet seriozisht për problemet që i shqetësojnë qytetarët dhe në përgjithësi është punuar në programe për t’i adresuar ato seriozisht”, ka theksuar  Basha.

Image
Blerim Burjani

Fushatë monotone

Sikurse analisti Basha, njëjtë ka vlerësuar edhe analisti Blerim Burjani, duke thënë se fushata ka qenë në përgjithësi e qetë, mirëpo është monotone për shkak të kohës së zgjatjes.

“Fushata në përgjithësi është e qetë, është edhe monotone për shkak se një muaj fushatë është e veshtirë për qytetarët ta përcjellin, por edhe i lodhshëm për partitë. Pra, duhet të risihkiohet ligji për zgjedhjet dhe të reformohet në këtë temë, më shumë se 14 ditë nuk ka nevojë të ketë, gjatësi. E, kësaj periudhe ka pasur përdorim edhe të një gjuhe të ashpër në mes kandidatëve, por ka pasur edhe incidente dhe rrahje në debat televizive”, ka thënë Burjani.

Sipas Burjanit, këto zgjedhje nuk kanë qenë më të qeta, mirëpo ka pasur fushatë të dobët me premtime.

“Nuk mendoj se këto zgjedhje janë kane më të qetë se ato të mëhershme , ka pasur përplasje në mes kandidatëve të partive, ka pasur shumë pak seriozitet në trajtim të temave ekonomike lokale, ose fare, një fushatë e dobët me premtime shpesh herë jashtë kompetencave të pushteti lokal, të gjithë premtojnë shkolla, infrastrukturë rrugore, çerdhe të fëmijëve, nuk po shoh kurrfarë ndryshimi serioz në qasje. Pastaj, ajo çka bie në sy është se 80% të kandidatëve për asamble komunale janë njerëz të pa punë”, ka pohuar Burjani.

Sipas tij,  partitë politike kanë kandidatë më tepër të rinj që sapo kanë përfunduar shkollimin dhe nuk kanë përvojë.

“Të rinjtë më së shumti kanë të gjitha partitë politike kanë kandidatë të rinj që sapo kanë përfunduar shkollimin universitar, pa përvojë në asnjë punë, e drejt në politikë si rezultat i papunësisë së madhe në vend. Varfëria e madhe dhe problemet sociale kanë bërë që ka kandidatë edhe këngëtar, edhe gazetar, edhe çka mos për shkak se nuk shohin perispektivë dhe zhvillim askund, dhe orientohen në politikë si e vetmja rrugë e prosperitetit, kjo fushata karkaterizohet edhe me kaniddiatë të pavarur më shumë”, ka theksuar Burjani.

Ai ka shtuar se dalja e qytetarëve do të jetë më e vogël në krahasim me vitin 2013.

“Fushata duket të jetë pozitive dhe jo diçka me shumë tensione, pra përgjithsisht duket të jetë fushatë e qetë edhe përkundër interesimit të vogël të qytetarëve për këtë fushatë, në fushatë po marrin pjesë vetëm militantë dhe përfitues partiakë dhe familjarë dhe nepotisë, përndryshe duket se rreth 70% nuk marrin pjesë në fushatë. Dalja e qytetarëve pritet të jetë më e vogël në krahasim me vitin 2013”, ka përfunduar Burjani.

Image
Faton Mehmeti

Fushatë e qetë

Kurse, analisti Faton Mehmeti, fushatën e konsideron të qetë për shkak të dobësimit të SHIK-ut.

Sipas tij, ka ndryshuar mentaliteti në të bërit fushatë dhe kjo është si rezultat i ngritjes së vetëdijes qytetare.

“Kjo fushatë konisderohet më e qetë për shkak se SHIK-u është më i dobët se viteve të me hershme. Paralajmërimi i nisjes së punës së Gjykatës Speciale, si dhe pasqyra më reale që ka populli për të ashtuquajturit komandantët ka ndikuar që klima e fushatës së zgjedhjeve të jetë më e qetë. Ka një ndryshim mentaliteti të të bërit fushatë nga ajo fontanë dëshirash në atë më praktike, kjo si rezultat i ngritjes se vetëdijes së qytetarëve”, ka theksuar Mehmeti.

Sipas tij, zgjedhjet  11 qershorit kanë qenë ndëshkim për disa subjekte politike, prandaj kjo ka ndikuar që disa të kenë “frikë”.

Mehmeti ka shtuar se këto zgjedhje do të prodhojnë rezultat të paparashikuar.

“Zgjedhjet e 11 qershorit dhe ndëshkimi që morën disa subjekte politike ka ndikuar në "frikën" e politikës nga ndëshkimi një sinjal i mirë për demokracinë dhe qasjen e të bërit politikë. Mos marrja e bastioneve ka bërë që zgjedhjet të jenë të paparashkuara, besoj gjë e mirë për demokracinë pasi komoditeti i bastioneve e humb frymën e demokracisë dhe garës zgjedhore. Gjithsesi këto zgjedhje janë më praktike, jo aq euforike. Këto zgjedhje të 22 tetorit do të prodhojnë rezultat të paparashikuar. Rënia e forcës së SHIK-ut ka ndikuar në klimën më të qetë, e cila po ndjen një frymë demokracie për herë të parë në një palë zgjedhje lokale në Kosovë”, ka nënvizuar Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat