Mashtrimi i radhës i Haradinajt për liberalizimin e vizave

Politika

Mashtrimi i radhës i Haradinajt për liberalizimin e vizave

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 18 tetor 2017 Në ora: 14:03
ilustrim

Deklarata e fundit e kryeministrit Haradinaj se Kosova mund të marrë liberalizimin e vizave pa i dhënë një epilog çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, po konsiderohet si gënjeshtër e radhës së kreut të qeverisë.

“Na mund ta marrim liberalizim edhe BE-ja mund me na jep liberalizimin çoftë edhe nëse nuk është finalizu çështja e demarkacionit po është një proces të respektum, por nëse i kryejmë punët e shtëpisë, pra kryesorja reforma, MSA-ja, detyrat që i kemi në qeverisje ajo është elementi. Kur ulet një qeveri atje donë me thënë po për liberalizim ai e kqyrë substancën", ka deklaruar Haradinaj.

Analistë politik dhe njohës të integrimeve evropiane thonë se demarkacioni mbetet kushti kryesor për liberalizimin e vizave nga ana e Bashkimit Evropian.

Se demarkacioni është kushti kryesor për liberalizimin e vizave, e ka thënë ditë më parë edhe përfaqësuesja e Zyrës së BE-së në Kosovë,  Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova 

“Për të lëvizur pa viza qytetarët e Kosovës, institucionet duhet ta ratifikojnë marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi dhe të kenë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Apostolova pas takimit me anëtarët e komisioneve të Kuvendit të Kosovës.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Haradinaj po mashtron qytetarët

Analisti Faton Mehmeti thotë se kryeministri Hardinaj po del amatoresk sa i përket liberalizimit të vizave.

“Për ta demonstruar nivelin e tij amatoreskt kryeministri Haradinaj edhe mbrëmë në Click, bëri një lapsus të radhës .Të thuash se " Kosova mund të marr liberalizimin e vizave pa finalizim të marrëveshjes së demarkacionit "nënkupton se nuk ka lidhje fare me procesin e liberalizimit të vizave, ose thëne shkurt kjo është një përpjeke për të mashtruar qytetarët”, tha Mehmeti për “Bota sot”.

“Nuk e kuptoj se kë dëshiron kryeministri Haradinaj të mashtroj, kur edhe qytetarët më të rëndomtë e dinë se liberalizmi i vizave nuk ndodh pa ratifikim të demarkacionit, si dhe luftim ndaj krimit”.

Sipas tij, vizat nuk hiqen me llafe nëpër debate televizive, por me punë dhe përkushtim.

“Aty ku s’ka punë ka llafe shumë, e kjo mënyrë e të qeverisurit shpërfaq nivelin e ulët dhe amatoresk të atyre njerëzve që na udhëheqin”, shtoi Mehmeti.

Image
Arton Demhasaj

Befasi deklarata e Haradinajt

Edhe drejtori i organizatës Çohu, Arton Demhasaj, thotë se po befasohet me deklaratën e Haradinajt për liberalizim të vizave, pa u përfunduar çështja e demarkacionit.

“Nuk e di se si po mendon ai që Kosova mund të ketë liberalizim të vizave pa u miratua demarkacioni. Unë e përsëris se paraprakisht duhet përfunduar miratimi i kësaj marrëveshje, e pastaj qeveria të fokusohet në luftimin e korrupsionit, në mënyrë që të vije liberalizimi i vizave”, ka thënë Demhasaj.

Image
Mentor Tahiri

Liberalizimi i vizave nuk bëhet me kabinetin aktual të qeverisë

Nga ana tjetër, politologu Mentor Tahiri thotë se kryeministri Haradinaj prej fushatës zgjedhore ka premtuar që brenda tre muajve do të ketë liberalizim të vizave, por sipas tij ky premtim është i pamundur.

“Duhet përmendur që zotimi për liberalizimin e vizave është dhënë menjëherë pas formimit të kabinetit aktual qeverisës. Kryeministri atëherë i ka përcaktuar vetës edhe një afat tre mujorë për të realizuar këtë. Që tani është shterur më shumë se gjysma e këtij afati”, tha për Bota sot politologu, Mentor Tahiri.

Sipas tij, çështja e izolimit të lëvizjes së qytetarëve me kohë do të marr formën e presionit edhe më të madh në raport me Qeverinë.

“Përtej çështjes së Demarkacionit, Qeverisë së Kosovës i duhet seriozisht të dëshmojë se në këtë vend po luftohem krimi dhe se ka një barazi të plotë qytetare në segmente të ndryshme, e veçanërisht sa i përket ligjit. Në anën tjetër vetë përbërja e kabinetit aktual qeverisës është në thelb një strukturë kompromisesh partiake dhe klanore, gjë që e bën shumë të vështirë për Kryeministrin që të shtyjë agjendën e tij për të cilën zotohet me deklarata. Deri tani, ndonëse mund të jetë ende herët, nuk është treguar një gatishmëri që proceset të shtyhen para. Qeveria më shumë është marrë me vendime improvizuese madje edhe duke anashkaluar plotësisht Kuvendin, gjë që bie ndesh me parimet e funksionimit të shtetit”, përfundoi Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat