Arrestimi i deputetit të NISMA-s për Kosovën, Milaim Zeka rrezikon rënien e Qeverisë Haradinaj, pasi që ekzekutivi nuk e ka shumicën minimale të votave në Kuvend për të qeverisur me vendin.
Policia e Kosovës të hënën ka arrestuar deputetin Miliam Zeka si të dyshuar për veprën penale që ndërlidhet me “mashtrim” dhe shmangie nga tatimi”. Kurse, Prokuroria i ka caktuar 48 orë paraburgim për Milaim Zekën.
Përfaqësuesit e qeverisë nuk kanë një përgjigje konkrete në pyetjet me shkrim të gazetës “Bota sot” se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të ekzekutivit për të siguruar votën e një deputeti pas arrestimit të deputetit Zeka.
“Zyra e Kryeministrit nuk e komenton arrestimin e deputetit si pjesë e legjislativit. Në demokraci pushtetet janë të ndara”, është përgjigja e shkurtë e qeverisë.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë se qysh prej fillimit ekzekutivi ka qenë në rrezik për shkak të numrit të kufizuar të votave.
“Kjo qeveri është e rrezikuar prej momentit të krijimit. Jo-stabiliteti i saj që nga krijimi është dëshmia më e qartë se interesi i tyre ka qenë pushteti me çdo kusht dhe varësia nga votat e Listës Serbe e bën edhe më të rëndë situatën, sepse këta kanë qenë në gjendje të bëjnë pazare edhe me vendin vetëm e vetëm që të qëndrojnë në pushtet”, tha Haxhiu për “Bota sot”.
Kërkohet dënimi i deputetit Milaim Zeka
Po ashtu Haxhiu thotë se Zeka duhet të marrë dënimin e miratuar.
“Mbi deputetin e Nismës dhe të koalicionit rëndojnë akuza të rënda andaj unë uroj që sistemi i drejtësisë sa më parë t'i jap dënimin e merituar. Ne jemi të vetëdijshëm për problemet në sistemin e drejtësisë, ndikimet e pushtetit apo eksponentëve të caktuar mbi të, por për rastin aktual nuk mund të paragjykoj përveç se të uroj që i njëjti sa më parë të marrë dënimin e merituar, jo vetëm për shkak të humbjes se një vote, por para se gjithash për shkak se dyshohet se ka mashtruar 920 qytetare me viza. Kjo është vepër e rende penale, andaj edhe duhet të dënohet” tha për Bota sot”, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.
Në anën tjetër, njohës të çështjeve politike thonë se rasti Zeka e vë qeverinë Haradinaj nën mëshirën e Listës Serbe dhe të partive opozitare.
“Arrestimi i deputetit Zeka paraqet një krizë të re institucionale për ekzekutivin, sepse tash edhe zyrtarisht qeveria është pakicë. Hiq deputetin Milaim Zeka, plus deklaratat e Zafir Berishës që nuk është më pjesë e shumicës, sepse ai u deklaruar botërisht se është pro rrëzimit të kësaj qeverie, tregon se Haradinaj nuk i ka më numrat e mjaftueshëm për të qeverisur vendin”, tha për “Bota sot” analisti Jeton Kelmendi.
Sipas tij, pas këtij momentumi të fundit Qeveria lihet në mëshirën e dy faktorëve.
“ Faktori i parë është mëshira e Listës Serbe për qeverinë, dhe fakti i dytë është mëshira e opozitës. Prandaj, kjo qeveri do të jetë jetëshkurtër. Kështu që unë pres që nëntori ose dhjetori të jetë fundi i kësaj qeverie”, shtoi Kelmendi.
Qeveria e rrezikuar që në fillim të formimit të saj
Kurse, politologu Belul Beqaj thotë se prej fillimit, kjo qeveri ka qenë e brishtë dhe e varur nga individ të caktuar.
“Qeveria e ndërtuar me kushtëzime të shumëfishta është qeveri e brishtë, aventuriste. Vetëm pushtetarët e paepur për pushtet formojnë qeveri fati i së cilës varet nga individi. Pra, jo vetëm ,kur është në pyetje e ky rast, por mënyra e formimit të qeverisë tregon sëmundjen nga pushtetofobia që i ka kapluar këta politikanë”, tha politologu Beqa për “Bota sot”.
Edhe, Jeton Kelmendi shprehet pesimist tek institucionet e drejtësisë sa i përket rastit të deputetit Zeka.
Por, Kelmendi thotë se Zekaj mund të jetë arrestuar edhe për shkak të kritikave që ai i bënte për presidentin Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
“Veprimi i fundit i Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë për arrestimin e deputetit Milaim Zeka tregon se në këtë vend ka filluar pak a shumë të funksionojë ligji dhe drejtësi, edhe pse dorën në zemër nuk jam shumë entuziast në këtë drejtim”, tha për “Bota sot” analisti Jeton Kelmendi.
“Rasti i Milaim Zekës ka kuptim të thellë, por dihet qasja e tij kritike ndaj kreut të shtetit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli”, shtoi Kelmendi.
Dorëheqja e Zekës është obligim moral
Analistët thonë se ligji nuk e obligon Zekën që të jap dorëheqja, por sipas tyre është obligim moral që ai ta paraqet dorëheqjen e tij nga posti i deputetit pas arrestimit dhe dyshimit që ai ka mashtruar rreth 920 qytetarë se gjëja do tu bënte viza për të shkuar në gjermani.
“Çështja e dorëheqjes është çështje e integritetit moral të deputetit. Me që është një përqindje e madhe e dokumentuar, të shumë personave publik (Lekaj,Buja,Rexhepi) të dyshuar ,mbase edhe që kanë pasur aktakuza që janë shpall të pafajshëm ,mesin e të cilëve edhe të atillë që janë përcjell me kamera televizive, këtë çështje duhet trajtuar parimisht me shpresë se Milaimi nuk është eksperiment i politikës, por i veprave konkrete që i ka bërë apo jo”, thotë Beqaj.
Edhe njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani thotë se dorëheqja varet nga Zeka, sepse sipas tij dorëheqja është akt i pavarur personale.