“Veteranët kanë rënë pre e disa tradhtarëve dhe spiunëve të infiltruar në UÇK”

Politika

“Veteranët kanë rënë pre e disa tradhtarëve dhe spiunëve të infiltruar në UÇK”

Nga: Gresa Bajraktari Më: 18 tetor 2017 Në ora: 22:30
Ilustrim

Ka kohë që politikanët kanë premtuar sigurimet shëndetësore për qytetarët e Kosovës, por duket se aktualisht një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Kjo, pasi ekzekutivi i vendit ka vendosur që fondin prej 17 milionë euro, të alokuara për sigurimet shëndetësore ta bartë dhe procedojë në buxhetin për pagesat e veteranëve të UÇK-së.

Nga zyra për media e kryeministrit janë shprehur se Qeveria ka identifikuar 15 burime të mjeteve dhe në projektligjin për ndryshimin e ligjit për buxhetin 2017 si dhe ka alokuar mjetet e nevojshme për të përmbushur pagesat e pensioneve të veteranëve të UÇK-së.

“Mjetet nga këto burime janë marrë nga projektet, të cilat ishin të parapara me buxhetin e vitit 2017, por të cilat nuk do të arrijnë të realizohen gjatë këtij viti, ose nga projektet të cilat kanë pasur kosto më të ulët se sa që janë ndarë me buxhet”, thonë zyrtarë nga Qeveria e Kosovës.

Në këtë mënyrë janë shuar shpresat e qytetarëve të Kosovës rreth jetësimit të projektit për sigurimet shëndetësore.

“Për shkak të moszbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, gjatë vitit 2017 është tërhequr kontigjenca për sigurimet shëndetësore me shumë prej 17 milionë euro”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Image
Skënder Zogaj

Lidhur me këtë, analisti politik Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se veteranët, të cilët kanë luftuar vërtetë kanë rënë pre e disa tradhtarëve dhe spiunëve dhe se pavarësisht sigurimeve shëndetësore, veteranët duhet të kenë prioritet.

“Veteranët e luftës janë kategoria më e përbuzur e vendit, apo më saktë, janë shtresa e diskriminuar dhe kjo ka ndodhur sepse, luftëtarët e vërtetë kanë rënë pre e disa tradhtarëve dhe spiunëve të okupatorit, të infiltruar në radhët e UÇK-së, të cilët pas luftës i kanë kapur të gjitha organet udhëheqëse dhe vlerat e luftës, duke i shkelur të drejtat e luftëtarëve të gjallë e të vdekur! Prandaj, kushdo që ndërmerr ndonjë veprim për të përmirësuar pozitën e tyre është për t'u përshëndetur dhe përkrahur pa asnjë hezitim. E kuptoj rëndësinë e sigurimeve shëndetësore por, them se, çështja e veteranëve duhet te ketë prioritet të plotë”, ka deklaruar Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat