“SHIK-u përgjegjës për vrasjen e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut, me rastin të merret Specialja”

Politika

“SHIK-u përgjegjës për vrasjen e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut, me rastin të merret Specialja”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 19 tetor 2017 Në ora: 14:36
Foto ilustrim, Selia e Gjykates Speciale, Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku

16 vite më parë në një atentat të organizuar kanë mbetur të vdekur Bekim Kastrati, gazetar i gazetës “Bota Sot” dhe  Besim Dajaku, pjesëtar i sigurisë së Presidentit Rugova. Në këtë atentat po ashtu ka mbetur i plagosur edhe ish deputeti, Gani Geci.

Të kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, Prokuroria nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje nëse është duke u hetuar apo ka informacione të reja në këtë rast.

Kohë më parë, Misioni për sundim të ligjit, EULEX kishte bërë të ditur se Agron Sylejmani, ishte personi i identifikuar për atentatin e 19 tetorit të vitit 2001, ku mbetën të vdekur ish Gazetari i gazetës “Bota sot”, Bekim Kastrati, ish-truproja i Presidentit Rugova, Besim Dajaku si dhe mbeti i plagosur ish deputeti Gani Geci.  Sipas prokurorisë së EULEX-it , Agron Sylejmani dhe të tjerë të panjohur kanë vrarë Bekim Kastratin, Besim Dajakun dhe kanë plagosur rëndë Gani Gecin.

Ky person, ishte vrarë në vitin 2004 nga Policia e Kosovës, në një shkëmbim me armë zjarri me policinë, me ç`rast kishte mbetur i vrarë edhe një policë të Kosovës dhe një policë të UNMIK-ut.

Megjithatë, ajo që nuk është zbuluar kurrë, është se kush dha urdhër për organizimin e këtij atentati.

Ndaj këtij rasti ka folur më së shumti ish deputeti Gani Geci, si i mbijetuar i këtij atentati. Ai disa herë është intervistuar nga organet e drejtësisë.

Image
Hajrullah Tërnava

Tërnava: Në këto vrasje politike kanë gisht pushtetarët

Eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava thotë se vrasjet e pas luftës në rastin konkret sikur vrasja e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut, janë kualifikuara si vrasje politike që kanë ndodhur pas luftës dhe në numër jo të vogël. Sipas tij, në këto vrasje kanë gisht pushtetarët.

“Po u radhitën vrasjet gjatë dhe pas lufte sikur vrasjet politike, ato e mbërrijnë numrin e madhe të qindra vrasjeve. Vetë fakti se kanë ndodhur vrasje të shumta në këto periudha kohore sikur që i ceka, del konstatimi se në këto vrasje politike kanë gisht pushtetarët, kundërshtarët e të ndjerëve (vrarëve), dhe po u zbulua një vrasje ashtu si duhet, do të zbuloheshin të shumtat vrasje që janë kryer deri më tani, por atëherë do të binte nga pushteti kjo piramida udhëheqëse e pas luftës, që të gjitha përvojat po na japin me nënkuptue se urdhërdhënës të këtyre vrasjeve janë njerëzit kryesor që e udhëheqin shtetin e tanishëm, prandaj thjeshtë mund ta kuptojmë, pse e kemi këtë gjendje kështu si tani që e kemi në këtë shtetin tonë”, thekson ai.

Sipas Tërnavës,  e vetmja shpresë e luftimit të krimit të organizuar dhe zbardhjes së krimeve-vrasjeve politike që qytetarët po e presin,  është Gjykata Speciale e cila duhet të fillojë muajve në vijim punën.

“Pa u pastruar Kosova prej krimit të organizuar dhe pa u zbardhur vrasjet politike që kanë ndodhur deri më tani, Kosova nuk ka perspektivë që të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare ku do ta gjejë edhe perspektivën e saj me investime e hapje të vendeve të punës për rininë e Kosovës”, thotë Tërnava.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Besim Dajaku dhe Bekim Kastrati janë vrarë nga SHIK-u

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti thotë se Bekim Kastrati e Besim Dajaku janë vrarë nga SHIK, për dy arsye. Sipas tij, kjo ndodhi pasi gazetari Bekim Kastrati ua nxorri në pah të vërtetat e SHIK-ut, ndërsa Besim Dajaku ishte i afërt me Presidentin historik Ibrahim Rugova.

“Besim Dajaku dhe Bekim Kastrati janë vrarë nga SHIK-u dhe kjo nuk ka diskutim. Besoj se Gjykata Speciale do të nxjerrë në shesh të vërtetën dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar. Në përvjetorin e tyre, Kosova duhet të ndihet e turpëruar që vrasësit ende janë të lirë, që nuk po mund të ndërtojmë shtetin ligjor dhe të së drejtës. Vrasja e tyre, ka të bëjë me afërsinë ndaj Presidentit Rugova të Besimit, ndërsa Bekimi si gazetar i shquar i “Bota sot”, po ju publikonte të vërtetat e hidhura të njerëzve të SHIK-ut”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, ata që e kryen këtë akt, nuk e donin të vërtetën, nuk munden ta mohonin dhe i vranë në pritë, në pabesi.

“Kjo ngjarje nuk duhet të mbetet e pazbardhur, pasi rëndon në ndërgjegjen e shtetit të Kosovës, e cila asnjëherë nuk do të mund të jetë e qetë e pazbuluar se kush ia vrau djemtë më të mirë të saj. Këta heronj janë ata që na bëjnë edhe më të fortë për të vazhduar kërkimin e drejtësisë, e cila nuk mund të dalë në pah me institucionet e kapura nga ata që i vranë”, thekson analisti Mehmeti.

Image
Gani Geci

Emra që mund të lidhen më këtë atentat

Gani Geci në një postim të tij në Facebook, vite më parë, kishte përmendur emra të mundshëm që mund të lidhen më këtë atentat. Ai ka përmendur emrat e Agron Sylejmanit dhe Ruzhdi Shaqirit.

“Të nderuar qytetarë me datën 15 .12. 2015 nga ora 11.oo deri në orën 14. oo isha në Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Prokuroria më mori në pyetje si viktimë (dëshmitarë )në rastin e plagosjes sime dhe vrasjes së shokëve të mijë Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut që ka ndodhur me 19 . 10 .2001 në hyrje të fshatit Llaushë. Prokuroria sipas asaj që munda me kuptu është në rrugë të mirë për zbulimin e atyre që paguan për vrasjen time ku me këtë rast mu vranë dy shokët e mi Besim Dajaku dhe Bekim Kastrati. Interesimi ishte kryesisht rreth emrave të AGRON SYLEJMANIT DHE RUZHDI SHAQIRIT si atentatorë, dhe njerëzve që lidhen me këta dy atentatorë dhe atyre që kanë mundur të kenë dhenë urdhër për këtë atentat”, kishte shkruar Geci dy vite më parë.

Ndërkaq pak ditë më parë, vëllau i tij, Halil Geci kishte dhënë edhe informacione të tjera, madje duke thënë se ata e dinë kush ka organizuar atentatin ndaj Gani Gecit, ku mbetën të vrarë Bekim Kastrati, gazetar i gazetës Bota sot dhe Besim Dajaku, turpëroja i presidentit Rugova.

“Ne i dimë me emër e me mbiemër se kush janë komplotistët kundër familjes tonë .Ne i dimë me emër e me mbiemër se kush ishin atentatorët që na e plagosën vëllain tonë me 19. 08. 1998. Ne i dimë me emër e mbiemër edhe ata që paguan edhe ata që urdhëruan edhe ata që e ngrehën gishtin në atentatin kundër vllaut tonë Gani Gecit ku në këtë atentat u vranë edhe dy shokët tanë Besim Dajaku e Bekim Kastrati. Ne e dimë kush e ka shkrua komunikatën nr: 59. Ne i dimë edhe arsyet pse është shkruar ajo komunikatë famëkeqe e përçarëse në kohë të luftës”, ka shkruar Halil Geci në Facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat