Dënimi me kusht, nxit zyrtarët shtetërorë te shkelin ligjin

Politika

Dënimi me kusht, nxit zyrtarët shtetërorë te shkelin ligjin

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 19 tetor 2017 Në ora: 17:01
Enver Hasani

Dënimi me kusht ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani për vepra korruptive gjatë kohës sa ai ishte rektor në Universitetin e Prishtinës ka ngritur reagime të shumta nga ana e opinionit publik në vend.

Derisa njohës të çështjeve juridike thonë se faji qëndron tek gjyqtarët dhe prokurorët në shqiptimin e dënimeve me kushte ndaj zyrtarëve publik të përfshira në afera korruptive, analistë politik në vend thonë se duhet ndryshuar edhe Kodi Penal në mënyrë që gjyqtarët mos të mund të shqiptojnë dënime me kusht ndaj zyrtarëve të korruptuar.

“Kodi Penal i tanishëm vetëm sa i nxit zyrtarët shtetërorë për të shkelur ligjin, pasi janë të vetëdijshëm se në bazë të këtij kodi ata s’do të futën asnjëherë në burg. Duhet hequr "dënimi me kusht" nga Kodi Penal si mundësi e vetme për të shtrënguar zyrtarët shtetëror për mos ta shkelur ligjin”, thotë për “Bota sot” analisti Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Ai thotë se Kosova ka nevoje për ligje të forta, pasi me këtë sistem dhe këto nene vetëm sa trimërohen shkelësit për të vazhduar edhe më tutje.

“E vetmja mundësi për të dalë Kosova nga kolapsi që e ka kapluar është forcimi i ligjit përmes neneve, dhe vënia e njerëzve të ndershëm për ta zbatuar dhe ruajtur atë. Ndryshe, jemi të destinuar të dështojmë, duke qenë të pa aftë për të siguruar drejtësi”, shtoi Mehmeti.

Ndëshkimet e buta për veprat penale dëmtojnë sistemin e drejtësisë

Nga ana tjetër, hulumtuesi nga organizata joqeveritare “Çohu”, Genc Nimoni thotë se ndëshkimet e buta ndaj rasteve të korruptuar po e dëmtojnë sistemin e drejtësisë.

“Konsideroj se praktika e ndëshkimeve të buta, në veçanti për veprat penale të natyrës korruptive dhe ndaj zyrtarëve publik, vazhdon ta dëmtoje tutje sistemin dhe të mos përçojë mesazhin e vërtetë të dënimit”, thotë Nimoni për “Bota sot.

Sipas tij, gjyqtarët duhet të jenë kujdesshëm në aplikimin e dënimeve me kusht.

Image
Genc Nimoni

“Mendoj se gjykatësit në këtë rast do të duhej të aplikonin arsyeshëm dhe në përputhshmëri dispozitat ligjore, duke u kujdesur që dënimi të arrijë edhe qëllimin e vet ndëshkues dhe parandalues”.

“Me vendime si kjo, jo vetëm që nuk ndëshkohen dhe parandalohen veprimet korruptive, mirëpo konsideroj se ato vetëm sa nxitën me këto vendimet e buta”, shtoi Nimoni.

Baraliu: Kodi Penal duhet të rishkruhet nga fillimi

Kurse, profesori universitar i së drejtës juridike, Mazllum Baraliu thotë se ka filluar të rishikohet  Kodi Penal, por sipas tij kjo nuk po bëhet me debate publike dhe me ekspert të fushës.

Image
Mazllum Baraliu

“Ka filluar një ndryshim i Kodit Penal nga njerëz të ministrive tona dhe ndonjë ekspert ndërkombëtar. Por nuk janë të përfshirë të gjithë ekspertët tanë dhe kështu ata po bëjnë ndryshime dhe plotësime pa pasur debate shkencore, profesionale dhe ndryshimet që janë bërë mund të thuhet se janë të gabuara ose të imponuara”, thotë Baraliu për Bota sot.

“Ka nevojë të ndryshohet ky kod, si ilustrim pe marr nenin 422 të kodit penal, ku edhe veprimet më të thjeshta inkriminuese që mund të jenë vepra të lehta kriminale me një peshë të bazuar jo me rrezikshmëri të madhe shoqërore, i kanë futur së bashku me krim të organizuar. Pastaj shumë rastin procedohen dhe në fund del rezultati zero”, tha Baraliu për “Bota sot”.

Sipas tij, ka nevojë të ndryshohet jo vetëm në një nen, por të rishkruhet Kodi Penal ashtu siç ka nevojë të përshkruhet edhe kushtetuta”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat