Ministrat e zyrtarët e qeverisë nuk i binden Ramush Haradinajt

Politika

Ministrat e zyrtarët e qeverisë nuk i binden Ramush Haradinajt

Nga: Gresa Bajraktari Më: 20 tetor 2017 Në ora: 15:41
Kuvendi i Kosovës

Kryeministri Ramush Haradinaj kishte thënë se asnjë nga ministrat e kabinetit të tij nuk do të bëjnë fushatë gjatë orarit të punës, por që këtë mund ta bëjnë jashtë orarit, në mbrëmje.

“Nuk guxon me shku gjatë orarit të punës, guxon me shku në mbramje, por nuk guxon me shku gjatë orarit të punës. Për mu nuk është e pëlqyeshme kjo. Por gjatë orarit të punës nuk guxon, asnjë ministër, asnjë zyrtar”, ka thënë kryeministrit Haradinaj kur është pyetur për Ministrin e Arsimit që është edhe kandidat për kryetar të Prishtinës.

Mirëpo, ministrat e qeverisë aktuale kanë bërë fushatë edhe gjatë orarit të punës, duke mos e respektuar atë që kishte thënë kryeministri.

Ministrat Shyqiri Bytyqi, Pal Lekaj, Dhurata Hoxha, Besim Beqaj, Bajram Hasani dhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli kanë qenë në fushatë gjatë orarit së punës.

Image
Ali Hertica

Për këtë, analisti politik Ali Hertica në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se deklarata e Haradinajt është joreale dhe kontraverse.

“Deklarimi i fuqishëm i Kryeministrit Haradinaj kinse nuk do të lejojë as një nga kabineti i tij qeveritar të jetë pjesë e fushatës gjatë orarit të punës është diçka jo reale dhe kontraverse me qëndrimin e tij. Shumë zyrtarë të qeverisë Haradinaj thuajse nga të gjitha subjektet politike janë duke zhvilluar fushatë edhe gjatë orarit të punës dhe janë si pelegrinë të subjekteve të tyre ndoshta do t’i pastrojë mëkatet e tyre para qytetarit duke ju dhënë premtime të parealizueshme  ku as në mandatin që iku nuk i realizuan. Këto deklarime të Haradinajt janë shumë qesharake ku ministrat e tij nga subjekti i tij politik kanë hedhur vallen e fushatës me vizion  të një ndryshimi në qeverinë Haradinaj”, ka deklaruar ai.

Ai thotë se ministrat nuk i janë bindur shefit të tyre dhe se deklarata e tij ka mbetur e pazbatueshme.

“Të  gjithë ata që ishin në fushatë nga subjekti i Haradinajt dhe nga qeveria nuk ju kanë bindur fare shefit të tyre, sepse në marrëveshjen e koalicionet është marrë vendim që çdo ministër t’i japë llogari vetëm kryetarit të subjektit nga ata vijnë e jo Kryeministri dhe kjo del se deklarimi i Haradinajt kinse nuk do guxon askush nga kabineti të jetë pjesëmarrës në fushatë është vetëm një deklarim mediatik e jo real dhe i zbatueshëm”, është shprehur Hertica për “Bota sot”.

Kujtojmë që sot është dita e fundit e fushatës zgjedhore, ndërsa zgjedhjet lokale do të mbahen me 22 tetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat