Eksperti i sigurisë jep formulën: Kështu mund të largohen strukturat paralele nga Kosova

Politika

Eksperti i sigurisë jep formulën: Kështu mund të largohen strukturat paralele nga Kosova

Nga: A.Zh Më: 20 tetor 2017 Në ora: 17:54
Aksion i mëhershëm i policisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, ka deklaruar mbrëmë se do të punohet për largimin e strukturave paralele, të cilat veprojnë në Kosovë.

Duke folur në një intervistë për Rtk, ai ka thënë se ato do të përgjigjen penalisht, kudo qofshin në Kosovë.

 “Kudo që ka struktura paralele, të cilat janë të identifikuara, do të largohen nga Kosova...Dhe, në të njëjtën kohë, do të përgjigjen penalisht...Përgjegjësinë për këtë e mban Beogradi, dhe të gjithë ata që qëndrojnë pas tyre”, ka thënë Veseli.

Por, a mund të largohen strukturat paralele nga Kosova? Duke komentuar në lidhje me këtë çështje, eksperti i sigurisë Avni Islami, ka thënë se deklarata e Veselit duhet të jetësohet, në mënyrë që institucionet e Kosovës, të jenë prezente në çdo cep të territorit të vendit tonë.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka theksuar se strukturat paralele, janë të pranishme sidomos në veri të Kosovës.

Image
Avni Islami

“Deklarata e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli se tash do t’i largojmë strukturat paralele, është e mirëpritur nga të gjithë ata që e duan shtetin e Kosovës, ata të cilët e duan sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Uroj që kjo deklaratë të jetësohet e të dalë të jetë e vërtetë, se me të vërtetë institucionet e Republikës së Kosovës dhe ato të sigurisë, duhet të jenë prezente në çdo cep të Kosovës, pra edhe në veri të vendit, ku atje strukturat paralele janë funskionale dhe operojnë në veri të Kosovës, por jo vetëm atje, po edhe në pjesë të tjera”, është shprehur Islami.

Sipas tij, e vetmja zgjidhje për këtë, është një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, derisa ka theksuar se institucionet e sigurisë duhet t’i neutralizojnë strukturat paralele.

“Besoj që pa një marrëveshje konkrete mes Kosovës dhe Serbisë, vështirë të thuhet se do të largohen ato, për shkak se ato bazën e kanë në popullatën e minoritetit serb dhe mund të veprojnë në forma të ndryshme. Nuk është problemi tek largimi i tyre, por tek neutralizimi i tyre, sepse realisht strukturat në Mitrovicë, janë pjesëtarë të minoritet serb, të cilin nuk mund ta largosh apo dëbosh. Mirëpo, qëllimi i institucioneve të Kosovës, është t’i neutralizojnë ato struktura që të mos kenë kompetenca, të cilat ata i kanë tani, e vetmja, jo është zgjedhje”, ka thënë më tej Islami.

Por, ai është shprehur skeptik se strukturat kriminale do të largohen nga territori i Kosovës.

Përndryshe, jo vetëm kjo qeveri por edhe të tjera, kanë thënë se do t’i luftojmë dhe ti neutralizojmë strukturat paralale. Uroj që kjo të të jetë e vërtetë, por jam skeptik se ndonjëherë mund të largohen ato nga Kosova, si mund të largohen, kur ata janë pjesë e Kosovës që punojnë në interes të Serbisë”, ka shtuar eksperti i sigurisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat