Dështimi në Kosovë, EULEX drejt mbylljes?

Politika

Dështimi në Kosovë, EULEX drejt mbylljes?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 20 tetor 2017 Në ora: 20:55
EULEX

Misioni ndërkombëtar i EULEX-it në Kosovë është që nga viti 2008, mision ky i cili funksionon në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

EULEX-i ka për synim ta ndihmojë Kosovën, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në përparimin e tyre drejt qëndrueshmërisë dhe llogaridhënies, si dhe në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejmë të sistemit të pavarur shumetnik të drejtësisë dhe policisë dhe shërbimit doganor shumetnik, duke siguruar që këto institucione të jenë të lira prej ndërhyrjeve politike dhe që i përmbahen standardeve të pranuara ndërkombëtare dhe praktikave evropiane më të mira. 

Mirëpo, misioni i EULEX-it nga organizatat e ndryshme, nga disa parti politike, por edhe nga disa ndërkombëtarë është konsideruar si mision i dështuar.

Ditë më parë, kryetari i panelit, për menaxhimin e krizave në Bashkimin Evropian, Filip Ejdus, ka shkruar për Misionin e Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Ai këtë mision e konsideron jo shumë të suksesshëm që nga funksionimi i tij në Kosovë.

Sipas tij misioni i EULEX-it ka pasur arritje të kufizuara,

“Pothuajse dhjetë vjet që kur u lansua, efikasiteti i EULEX-it në Kosovë ka qenë shumë i diskutueshëm. Pavarësisht disa arritjeve të kufizuara në monitorimin, këshillimin e policisë kosovare, gjyqësorit dhe doganave, si dhe në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, shkruan Ejdus.

Mirëpo sipas tij objektivat më të rëndësishme të EULEX-it nuk janë arritur.

 “Objektivat më të rëndësishëm të mandatit të EULEX-it nuk janë arritur. Misioni ka punuar për të bërë një përmirësim substancial në sundimin e ligjit të Kosovës por ka humbur mundësinë që të sjellë para drejtësisë autorët kryesorë të krimeve të luftës dhe korrupsionit të madh”, shkruan tutje Ejdus.

Ndër tjerash ai shkruan se qeveritarët kanë humbur besimin tek misioni i EULEX-it, për shkak të skandaleve të korrupsionit.

“Nga ana tjetër, autoritetet vendore dhe publiku i gjerë kanë pasur një nivel të rënies të besimit në EULEX jo vetëm për shkak të neutralitetit të statusit të misionit, por edhe për shkak të skandaleve të korrupsionit dhe mungesës reale dhe të arrogancës kontekstuale”, ka shkruar Kryetari i panelit, për menaxhimin e krizave në Bashkimin Evropian, Filip Ejdus.

Mandati i EULEX-it është deri në vitin 2018, mirëpo analistët politikë thonë se praktikisht mandati i EULEX-it ka përfunduar.

Sipas tyre,  duhet të krijohet një institucion ndërkombëtar tjetër në mënyrë që ta pastronte imazhin e UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe ta luftonte krimin në Kosovë.

Dështimi i EULEX-it

Jeton Kelmendi, analisti politik, ka thënë për “Bota sot” se misioni i EULEX-it është përmbyllur dy mandate si që ishte mandatuar në fillim.

Sipas Kelmendit, EULEX-i nuk ka ndonjë peshë të madhe në funksionimin e rendit dhe demokracisë, mirëpo në drejtësi janë disa procese gjyqësore që nuk e lejojnë përfundimin e mandatit aq shpejt.

Image
Jeton Kelmendi

“Misioni i EULEX-it ka kohë që e ka përmbyllur praktikisht dy mandatet si që ishte mandatuar në fillim të institucioneve të përkohshme edhe të institucioneve të Kosovës. Si pasojë e  rrethanave politike të brishta faktori politik në vend jo shumë stabil,  problemet e stërforcuar me minoritetin serb, pa zotësia e institucioneve të Kosovës për ta futur në kontroll veriun e Kosovës ka bërë që EULEX-i të vazhdohet edhe për dy- tre mandate sa ju ka vazhduar mandati. Sido që të jetë nuk mendoj që ka ndonjë peshë të madhe, sidomos në funksionim e rendit dhe demokracisë, megjithatë në nivelin e drejtësisë EULEX-i ka disa proceset gjyqësore dhe nuk mendoj që do të përfundojë edhe aq shpejt, ose të paktën mund të vazhdojë edhe një mandat. Pavarësisht kësaj, Bashkimi evropian po përballet edhe me probleme ekonomike për ta mbështetur këtë”, ka pohuar Kelmendi.

Sipas tij, EULEX-i ka dështuar tërësisht në sistemin e drejtësisë dhe provë e këtij dështimi është Gjykata speciale.

Kelmendi ka shtuar se e mira që sjellë EULEX-i është punësimi i njerëzve.

“Mendoj se EULEX-i ka dështuar tërësisht në sistemin e drejtësisë, në monitorimin e drejtësisë dhe provë e mjaftueshme e kësaj është Gjykata speciale, e cila EULEX-i nuk ishte as për t’i dënuar njerëzit e mundshëm të involvuar në krime qoftë pas luftës apo faza tjera. Kësisoj, kemi edhe disa ish- komandantë apo të ashtuquajturit komandantë të fuqishëm të lidhur me politikën, të cilët EULEX-i herë i dënon, herë i lëshon, kemi një telenovelë që e ka bërë EULEX-i me këta njerëz, siç është rasti i Lushtakut dhe të tjerët. Prandaj, EULEX-i ka të vetmen të mirë nëse vazhdon punën është se këtu punëson për aq sa punëson njerëz, dhe marrin paga njerëzit shqiptarë, përndryshe është një mision tërësisht i dështuar dhe mendoj se do të ishte mirë të përfundojë, ose të shfuqizohet tërësisht në aspektin politik”, ka përfunduar Kelmendi.

Kërkohet mision i ri ndërkombëtar

Kurse, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, është shprehur se institucioni i EULEX-it është drejt mbylljes, pasi zvogëlohen vendet e punës.

Sipas Tërnavës, prania e EULEX-it në Kosovë për shumë kë është dëshpëruese, prandaj misioni i tij konsiderohet si i dështuar.

Image
Hajrullah Tërnava

“Çdo institucion vendor apo ndërkombëtar nëse i zvogëlon vendet e punës, është një indikacion se ai institucion e në këtë rast EULEX-i, është duke shkuar drejt mbylljes së misionit të tij. Edhe për rastin e parë  të institucionit të UNMIK-ut është  bërë pyetje e ngjashme, me të cilin populli i Kosovës nuk ka qenë i kënaqur në luftimin e krimit dhe dukurive negative që sot e kësaj dite janë  të  dukshme. Zëvendësimi me EULEX-in ishte një shpresë  se gjërat do të shkojnë në të mirë dhe se EULEX-i  nuk do t’i përsërit gabimet e UNMIK-ut. Edhe prania e EULEX- it në Kosovë, për shumë kë është  dëshpëruese, dhe nuk i ka plotësuar atë që  është pritur nga ky institucion, e kryesisht luftën e krimit të organizuar dhe dukurive tjera inkriminuese. Prandaj për shumë kë ky mision vlerësohet si i dështuar, dhe nëse ka një vlerësim të tillë, edhe po të mbyllet ky mision, mungesa e tij nuk do të vërehet në Kosovë”, ka deklaruar Tërnava.

Sipas tij, EULEX-i  ka kontribuar që liria dhe të drejtat e njerëzve në Kosovë të jetë e lirshme.

Mirëpo, Tërnava ka kërkuar një institucion të ri ndërkombëtar që do ta përmirësonte imazhin e UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë, në mënyrë që ai ta pastronte Kosovën nga krimi dhe ta drejtonte drejt BE-së.

“Gjithsesi se duhemi të jemi korrekt dhe ta pranojmë  se megjithatë EULX-i  e ka luajtur rolin e tij preventiv, dhe gjithsesi i kanë kontribuar që  liritë  dhe të drejtat e njerëzve dhe jeta në Kosovë  të zhvillohet lirshëm mbasi vetë EULEX ishte garantues i këtyre lirive kushtetuese në Kosovë. Mendoj, se Kosova tani si kurrë më parë, që e pret një luftë e ashpër ndaj krimit të organizuar, si kusht për liberalizimin e vizave. Në Kosovë duhet të  ketë  një  forcë e re tjetër ndërkombëtare, e cila në bashkëveprim me policinë e Kosovës, do ta luftojë pamëshirshëm krimin e organizuar dhe krimin në përgjithesi, dhe kjo forcë e re, duhet ta ketë  misionin e caktuar me parë sa do të qëndrojë në Kosovë, dhe të jetë  e gatshme dhe e aftë që luftimin e krimit ta çojë deri në fund. Me një angazhim të  një  institucioni të ri ndërkombëtar do e përmirësonte edhe reitingun-imazhin e keq si të UNMIK-ut dhe të EULEX-it, dhe popullata do e kuptonte se institucioni i ri, i tretë, ishte ai që  e pastrojë  Kosovën nga krimi dhe si rezultat i tij Kosovës do i çelet rrugëtimi drejt BE-së” ka përfunduar Tërnava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat