Flasin njohësit e çështjeve juridike: Pse duhet të hiqet praktika e balotazhit në Kosovë

Politika

Flasin njohësit e çështjeve juridike: Pse duhet të hiqet praktika e balotazhit në Kosovë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 27 tetor 2017 Në ora: 20:13
Zgjedhje në Kosovë

Rezultatet e zgjedhjeve të 22 tetorit nuk kanë sjellur fitues në gjysmën e komunave të Kosovës dhe si rrjedhojë ato do të shkojnë në balotazh, që do të mbahet më 19 nëntor.

Por, analistët politikë dhe njohësit e çështjeve juridike, konsiderojnë se praktika e balotazhit, i sjell dëme të konsiderueshme edhe në buxhet. Andaj si e tillë, sipas tyre, kjo praktikë mund edhe të largohet, për të shpëtuar të holla të mëdha që do ta ndihmonin buxhetin e shtetit.

Por a ekziston një metodë përmes të cilës mund të shpallet fituesi qysh në raundin e parë edhe pa arritur 50% të votave, flasin ekspertët e çështjeve juridike.

KQZ heshtë

Vetë KQZ-ja nuk e ka komentuar një praktikë të tillë. Të kontaktuar nga “Bota sot” përfaqësuesit e këtij institucioni nuk dashur të flasin.

Maloku: Balotazhi, “produkt” i UNMIK-ut që u shërben vetëm serbëve

Ish-anëtari i këtij institucioni dhe sociologu, Fadil Maloku, ka thënë se praktika e balotazhit u ngjason atyre produkteve që kanë mbetë që nga koha e UNMIK-ut dhe kjo ju shërben vetëm serbëve.

Image
Fadil Maloku

“Praktika e balotazhit, superdiskriminim pozitiv për serbët, kohëzgjatja maratonike e fushatave, kodi zgjedhor, ligi mbi partitë politike, etj., janë ‘produkte” të traditës ‘copy-paste’, që i instaloi ish-administrata e UNMIK-ut, e nga e cila kujtoj unë, duhet të shkurorëzohemi sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë Maloku për “Bota sot”.

Kostot e larta të balotazhit

Ai ka theksuar gjithashtu se përveç të gjithave, balotazhi po prodhon kosto të lartë ekonomike.

“Edhe për arsye, se përveç reperkusione politike po prodhon edhe një kosto të madhe ekonomike, një apati e monotoni qytetare”, ka vlerësuar ai.

Burjani: Balotazhi mund të hiqet me disa kushte

Ndëraq, sipas njohësit të çështjeve juridike Blerim Burjani, balotazhi edhe mund të hiqet, por vetëm me disa kushte.

Image
Blerim Burjani

“Mund të hiqet balotazhi, por mungon legjitamacioni demokratik, ku nuk ka dhe nuk do të ketë në të ardhmen dalje. Përgjegjësia është te partitë politike që kanë humbur besimin e jo tek ligji. Unë mendoj se balotazhi është praktikë e të gjitha vendeve demokratike”, ka thënë Burjani.

Ai ka theksuar më tutje se nëse qytetarët dalin vetëm në një raund të zgjedhjeve, atëherë nuk ka vullnet demokratik.

“Duke kërkuar vullnetin e qytetarëve së pari për dalje në nivel legjitimacioni demokratik, i cili po mungon në raundin e parë, atëherë së dyti dhe përfundimisht qytetari bazuar në ligjin për zgjedhje nëse nuk del në nivel legjitimacioni, atëherë pason veç dalja e qytetarëve të interesuar dhe ajo merret si plotësim i nevojave ligjore dhe kushtetuese. Vetëm me një raund i bjen shkel e shko sa për të bërë zgjedhje, por jo në kërkim të legjitimacionit dhe vullnetit demokratik”, është shprehur Burjani.

Marrëveshja për dy kandidatë

Nga ana tjetër, anëtari i AAK-së Muhamet Kelmendi, mendon se kjo praktikë nuk duhet të hiqet, sado që mund të jetë e kushtueshme.

“Bazë e demokracisë është vota. Duke e dhënë votën përcaktohet vullneti i qytetarëve dhe rrjedhimisht del edhe udhëheqja. Mbështetur në këtë është gabim i madh mendimi se balotazhi duhet të hiqet si mënyrë e votimit. Nuk ka asnjë arsyetim, as koha, as angazhimi dhe as financat, të cilat mund të jenë fakt i heqjes. Në raundin e parë të zgjedhjeve kur kemi shumë parti politike të cilat konkurojnë, balotazhi është i domosdoshëm, sepse vetëm kështu del vullneti i qytetarëve”, ka theksuar ai.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi ka thënë më tutje se ka raste kur nuk ka balotazh, për faktin se janë vetëm dy kandidatë të dy subjekteve politike.

“Nëse kufizohet me përqindje, përsëri ku ka sistem plural, balotazhi është i domosdoshëm. Është tjetër nëse subjektet politike me marrëveshje do të merreshin vesh vetëm për dy kandidatë. Apo nëse do të shkohej nga fakti kur pavarësisht nga pjesëmarrja në zgjedhje, kandidati me më shumë vota automatikisht e fiton garën. Këto janë dy mundësitë në aspektin juridik”, ka vlerësuar Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat