“Injorimi i presidentit ndaj ambasadorit britanik, gjest i keq dhe i kushtueshëm”

Politika

“Injorimi i presidentit ndaj ambasadorit britanik, gjest i keq dhe i kushtueshëm”

Nga: Gresa Bajraktari Më: 28 tetor 2017 Në ora: 16:04
Ruairi O’Connell dhe Hashim Thaçi

Sjellje jodiplomatike dhe fëmijërore e quajti presidenti Hashim Thaçi largimin e ambasadorit Ruairi O’Connell nga debati për Gjykatën Speciale ditë më parë. Ndërsa në takimin e tij dhe të kryeministrit me ambasadorët e NATO-s, Thaçi e veçoi përshëndetjen e tij ndaj O’Connell, që u kap nga kamerat, duke u vlerësuar si sjellje e ‘ftohtë’ ndaj tij, për shkak të largimit që kishte bërë më parë nga debati i presidentit.

Një sjellje të tillë e ka kritikuar njohësi i zhvillimeve politike në vend, Skënder Zogaj, sipas të cilit presidenti më nuk ka mundësi ndikimi, por që është e dëshme se ka prekur miq të mëdhenj të Kosovës, pa të cilët nuk mund të bëhet asnjë hap.

Image
Skënder Zogaj

“Presidenti Thaçi tashmë e ka kafshuar pataten e nxehtë dhe nuk i kanë mbetur shumë mundësi manovrimi. Unë mendoj se kështu është dashur të veprojë kur ka qenë kryeministër, sepse atëherë ka pasur mundësi ndikimi, por tash është tepër vonë, sepse është ngrënë flija dhe ka mbetur vetëm tepsia që mund të përdoret vetëm si del! E keqja më e madhe është se ka prekur burra të fortë që janë miq të mëdhenj të Kosovës dhe pa të cilët Kosova nuk mund të bëjë asnjë hap”, është shprehur Zogaj për “Bota sot”.

Sipas tij, gjesti i presidentit është i keq dhe i kushtueshëm, por që nuk mund të dihet pse po vepron dhe që priten të kuptohet kjo nga zhvillimet e ardhshme në vazhdim.

“Të ngacmohet Ambasadori britanik unë mendoj se nuk është mirë sepse jemi dëshmitarë të angazhimeve të tij shumë të dobishme për çështjet tona dhe injorimi ndaj tij është gjest i keq dhe i kushtueshëm! Pse po vepron kështu presidenti ynë është vështirë të dihet, por se nuk po bën mirë do të tregojnë zhvillimet e ngjarjeve në muajt e ardhshëm që urojmë të mos vlojnë në masën e zjarrit që po e kallin disa individë dhe sektorë shtetërore të Kosovës”, ka theksuar analisti Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat