Haziri: Haradinaj pa ide për Demarkacionin, po i merr fund kauza e rrejshme

Politika

Haziri: Haradinaj pa ide për Demarkacionin, po i merr fund kauza e rrejshme

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 29 tetor 2017 Në ora: 14:45
Ramush Haradinaj

Çështja e përfundimit të demarkacionit me Malin e zi në Gjykatën e arbitrazhit po shihet si kauzë e rrejshme. Gjatë javës që po e lëmë pas, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka deklaruar se çështja e demarkacionit të Kosovës me Malin e zi, mund të përfundojë në Gjykatën e Arbitrazhit.

Lidhur me këtë, analisti Nexhat Haziri, ka komentuar për gazetën “Bota sot” deklaratën e Haradinajt, për të cilën ka thënë se është bërë vetëm për konsum publik, pasi që është shtuar presioni publik dhe ndërkombëtar. 

Image
Nexhat Haziri

“Shihet qartë se kryeministrit Haradinaj, sikur i ka plas në dorë tani çështja e demarkacionit me Malin e Zi, dhe shihet se ai nuk ka më as më të voglën ide se si do të mund të dilet nga ky proces. Edhe deklarata e tij e fundit se demarkacioni mund të përfundojë në Gjykatën e Arbitrazhit, është vetëm sa për konsum politik apo sa për të thënë diçka në kohën kur është shtuar presioni publik, por edhe nga ndërkombëtarët që të përfundojë ky proces”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ka shtuar se nuk mundet që çështja e demarkacionit të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit pasi që duhet të dy palët e për këtë nuk është e interesuar pala malazeze.

“Çështja e demarkacionit nuk mund të përfundojë në Gjykatën e Arbitrazhit, pasi për një gjë të tillë nuk është e interesuar pala malazeze, dhe rrjedhimisht kjo tregon se vetëm njëra palë nuk mund ta dërgojë këtë çështje në Gjykatën e Arbitrazhit. Nga e gjitha kjo, kryeministrit Haradinaj, por edhe spektri politik, po mësojnë se nuk mund të ngritësh kauza të rrejshme vetëm sa për të ardhur në pushtet, kauza këto, siç është kjo e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, e dëmtojnë Kosovën dhe perspektivën e sajë integruese.

Ai ka shtuar se dikush duhet të marr përgjegjësi për dëmet e shkaktuara vendit.

“Kosova ka humbur shumë kohë, dhe punë në këtë drejtim dhe kjo gjë nuk duhet të kalohet lehtë, dikush duhet të marrë përgjegjësinë për dëmet që i shkaktuan Kosovës me këto kauza të rrejshme”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat