Sami Kurteshi: Ja kush e inskenoi vrasjen e Astrit Deharit dhe sulmin në Kuvend

Politika

Sami Kurteshi: Ja kush e inskenoi vrasjen e Astrit Deharit dhe sulmin në Kuvend

Nga: A.Zh Më: 29 tetor 2017 Në ora: 15:59
Sami Kurteshi

Lëvizja Vetëvendosje ka ripërsëritiur se aktivistët e saj, po gjykohen padrejtësisht nëpër gjykata. Në një konferencë të mbajtur gjatë ditës së sotme, deputetja Albulena Haxhiu dhe deputeti i VV-së, Sami Kurteshi, kanë thënë se aktivistët Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti, janë të pafajshëm dhe se ata nuk e kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Kurteshi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se institucionet e drejtësisë në Kosovë, kanë inskenuar edhe rastin e aktivistit të tyre, Astrit Dehari.

Sipas deputetit të VV-së, “vrasja” e Deharit dhe sulmi në Kuvend, janë inskenuar nga qarqe kriminale brenda gjyqësisë, prokurorisë dhe Policisë së Kosovës.

“Institucionet e drejtësisë jo vetëm që kanë dështuar, po ato e kanë inskenuar rastin. Kjo është një vrasje me paramendim. Nga krejt të dhënat, dëshmitë, faktet, analizat po del se inskenimi se sulmi mbi Kuvendin, ka qenë i inskenuar prej këtyre qarqeve kriminale brenda gjyqësisë, prokurorisë dhe  policisë. Sulmi ka qenë i inskenuar, arrestimi dhe përndjekja ka qenë e inskenuar, vrasja ka qenë e inskenuar. Përpjekja e tyre të pengojnë ligjin ndërkombëtar, është vetëm përpjekja e fundit që t’i ikin përgjegjësisë. Kjo nuk ka qenë dështim i tyre, por inskenim i tyre”, ka thënë deputeti Kurteshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat