Si u hesht rasti i gjetjes së 2 granatave ditën e zgjedhjeve lokale

Politika

Si u hesht rasti i gjetjes së 2 granatave ditën e zgjedhjeve lokale

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 30 tetor 2017 Në ora: 08:27
Policia e Kosovës

Më datën 22 tetor Policia e Kosovës parandaloi një akt terrorist Mitrovicën veriore.

Siç është informuar edhe opinioni publik, shkarazi, në ditën e zgjedhjeve të 22 tetorit 2017, nga Policia e Republikës së Kosovës u parandalua një akt terrorist, me destinacion Kosovën, e cila u evitua gjatë një kontrolle rutinë në pikën kufitare në Jarinjë nga policia e Kosovës, ku në autobusin me udhëtar nga Serbia, të cilët kishin destinacion vendvotimet në komunat me shumicë serbe në Kosovë, u gjenden dy granata dore me telekomandë të instaluara për shpërthim brenda autobusit. 

Raporti i Policisë

Sipas analistëve, institucionet duhet të marrin masa urgjente parandaluese, pasi që ky nuk është rasti i vetëm me tendencë të sulmeve terroriste. Ata kujtojnë  edhe aktin e vitit 2014 me 12 kg eksploziv, kur u arrestua Slobodan Gavriq, afër ambasadave ndërkombëtare në Kosovë.

Image
Baki Kelani

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani duke folur rreth kësaj çështje ka thënë se Policia e Kosovës, në këtë rast zyrtarët kufitar të PKK-Jarinje, ditën e zgjedhjeve rreth orës 12:40 në hyrje të RKS-së kanë ndaluar për kontrolle një autobusë udhëtarësh me targa KG, në të cilin  janë  gjetur mjete të dyshimta shpërthyese.

“Pas verifikimit të mjeteve të dyshuara ka rezultuar të jenë dy granata dore dhe dy detonator elektrik të cilët në mënyrë të kontrolluar janë larguar nga njësitet kompetente. Si rezultat i punës dhe veprimeve të zyrtarëve policor lidhur me këtë rast janë arrestuar tre persona të dyshuar serb”, ka thënë Kelani.

Cenimi i sigurisë

Fidan Mustafa njohës i çështjeve të sigurisë duke folur në lidhje me këtë çështje, ka thënë se heshtja e këtij rasti, lë hapësira të tjera për cenim të sigurisë në vend.

Image
Fidan Mustafa

“Personalisht, kam reaguar edhe para ca ditësh, lidhur me incidentin apo më mirë të themi me parandalimin e një tentim akti-terrorist në ditën e zgjedhjeve në vend, në piken Kufitare të Jarinjes, e që po tentohet të heshtet si pasoj e numrave fiks në Kuvendin e Kosovës, fillimisht, Policia dhe organet e sigurisë, po bëjnë atë më të mirën për sigurinë e vendit dhe hetimet gjithashtu janë duke vazhduar, mirë po mungesa e mbështetjes nga mekanizmat tjerë institucional, në këtë rast që nga Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, e deri te lidershipi i subjekteve politike në vend, çështja vetëm sa mund të relativizohet ditëve në vijim siç nuk pati as edhe një reagim as dje në Kuvendin e Kosovës, ndërsa anën tjetër, për eksponentët e ngjashëm kjo heshtje po len hapësira të tjera për cenim të sigurisë në vend”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, ky tentim akti-terrorist në ditën e zgjedhjeve, do duhej dënuar fuqishëm edhe nga faktori ndërkombëtar, respektivisht ambasadat e Kuintit, pasi që ky nuk është edhe rasti i vetëm me tendencë të sulmeve terroriste, siç ishte ai i vitit 2014 me 12 kg eksploziv afër ambasadave ndërkombëtare në Kosovë.

Pse u hesht akti i 22 tetorit

Kështu, Mustafa ka përmendur disa prej arsyeve se përse ky rast kaloi në heshtje.

“Në Kosovë, aktualisht kemi një rend të rij politik i cili po krijohet çdo ditë, dhe subjektet politike kanë kuptuar se pa mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, ata nuk mundë të udhëheqin me vendin, për këtë arsye, subjektet politike në vend heshtën përballë këtij tentim akti terrorist ditën e zgjedhjeve, nga frika e dëmtimit të raporteve politike me faktorin ndërkombëtar në njërën anë, ndërsa anën tjetër nga frika e varësisë politike nga lista”Serpska” në shumë komuna në Kosovë të cilat shkuan në balotazh”, është shprehur ai.

Ai ka vlerësuar se gjendja politike në vend, e dëshmon më së miri se si subjektet politike në Kuvendin e Kosovës, më të interesuar janë të diskutojnë për linjat buxhetore të cilat ndahen nëpër komunat që udhëheqin, sesa për vakuumet që janë krijuar dhe po krijohen çdo ditë në sferën e sigurisë.

“Kjo mendësi politike, ka ndikuar që sfera e sigurisë të mbetet e ndjeshme, duke u sulmuar në vazhdimësi nga aktor të brendshëm e të jashtëm, të cilët kanë vetëm një tendencë, epërsinë politike pavarësisht çmimit që paguan populli dhe shteti i Kosovës” është shprehur Mustafa.

Heshtja e pakuptimtë

Ndërkaq, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava ka thënë se akti terrorist që u parandalua nga Policia e Kosovës të dielën më 22 tetor 2017 në ditën e zgjedhjeve, nuk arsyetohet me asgjë.

Image
Hajrullah Ternava

“Edhe pse në kontrolle u gjinden dy granata dore me telekomandë të instaluara për shpërthim brenda autobusit, kjo çështje kaloi në heshtje pa iu dhënë publicitet nga udhëheqësit e shtetit e sidomos nga qeveritarët apo së paku nga Ministri i Punëve të Brendshme”, ka thënë Tërnava.

Duke shikuar në tersi situatën politike ndërkombëtare, sipas Tërnavës, është e pakuptimtë heshtja e qeveritarëve.

“Kjo gjë edhe ka mundur të ndodhë, ndoshta edhe për shkak të aktiviteteve ndërkombëtare e sidomos vizitave të funksionarëve të lartë të Amerikës të zëvendës ndihmës sekretarit amerikan Hojt Brian Yee, i cili ishte në vizitë në Serbi dhe më pas në Kosovë, ku njëherësh  ishte i angazhuar që ti përafron dy shtete në këtë rast Serbinë e Kosovën, dhe këto shtete në afatin më të shkurtër ti lejnë mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe të vazhdojnë drejtimin e vetë drejt BE-së. Prandaj gjendja politike është e tillë që duhet patjetër si regjion në tersi të ecim para dhe mos të krijojmë vakuume apo mosmarrëveshje, të cilat do na e krijonin vakuume apo konflikte të reja periodike mes dy shteteve”, ka thënë Tërnava.

Aleanca me Listën serbe

Image
Jeton Kelmendi

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare të sigurisë profesor Jeton Kelmendi, ka thënë gjetja e dy granateve në autobusin e ardhur nga Serbia nga Policia e Kosovës, në ditën e zgjedhjeve me 22 tetor është një përshtypje e mirë për sigurinë, që Policia e Kosovës punon në këtë drejtim, por ana tjetër e hidhët është se përfaqësuesit e Institucioneve tregojnë se sa të lig që janë për pushtet.

Sipas tij, politikanët nuk reaguan fare madje as nuk u morën me atë çështje, si presidenti i vendit e ashtu Qeveria e Parlamenti.

“Pra as Presidenti as Qeveria e as Parlamenti nuk reaguan. Pra, krerët e këtyre Institucioneve janë njerëz të sëmurë për pushtet madje janë në gjendje edhe ta rrezikojnë sigurinë, vetëm e vetëm që të mos prishen me aleatët e tyre serb, pra që për 9 apo 10 vota bashkëpunojnë me ta. Këta njerëz të quajtur patriot i kanë në duart e tyre, një grusht serbësh në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, dhe çdo veprim që bëjnë serbët këta politikanë nuk e kanë guximin e as kurajën që të merren me këtë çështje, sepse e kanë frikën se do të mund të prishin Institucionin dhe ta mbarojnë mandatin e tyre. Kjo është krejtësisht e pa kuptimtë dhe këtu shihet më së mirë se çfarë lidershipi kemi në Qeveri, në Presidencë dhe në Parlament”, ka thënë Kelmendi.

Rreziku nga aktet terroriste

Mirëpo, sipas Kelmendit, kjo politikë e kalbur nuk është e interesuar fare që ta zbardhin këtë rast dhe rastet tjera.

“Natyrisht, se mund të ketë edhe një indikacion edhe tek Policia e Kosovës që të mos e hetojë këtë çështje ndaj minoriteteve serb. Pra, kjo dëshmon për ligësitë e titullarëve të Institucioneve të Kosovës se sat të etshëm janë për pushtet sepse për këta njerëz pushteti është në rend të parë e tjerat janë relative”, ka thënë Kelmendi.

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani ka thënë se ka situatat të caktuara, ku shërbimet sekrete serbe që lëvizin lirshëm në veri të shtetit të Kosovës, mund të ndërmarrin akte të rrezikshme edhe ndaj integritetit të Kosovës por edhe duke nxitur eventualisht konflikte etnike në veri të Kosovës.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, këtu kërkohet syçeltësi, vigjilencë dhe përcjellje të njerëzve të cilët janë kaherë të dyshimtë nga Policia e Kosove që veprojnë në struktura kriminale ne veri te shtetit.

“Kërkohet pra që organet e rrëndit të Kosovës të jenë më të vëmendshme. Në veri të shtetit veprojnë edhe banda të rrezikshme serbe të cilat kontrabandën mallra në veri të Kosovës ose dhe eksportojnë mallra të ndryshme prej barnave mjekësore e deri tek nafta dhe produktet tjera. Pra, Policia e Kosovës duhet të angazhohet me shumë në këtë temë”, ka thënë Burjani.

Qëllimi i tentim-sulmit të 22 tetorit

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi ka thënë se siguria tek ne gjithmonë ka qenë e brishtë madje edhe në të kaluarën.

Ai ka thënë se raste të tilla terroriste nuk guxojnë të heshtën, meqë kanë për qëllim vrasjen e njerëzve dhe destabilizimin e vendit.

“Qëllimi i këtij akti terrorist me siguri ka qenë prishja e zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe, në mënyrë që të fajësohet shumica shqiptare për një gjë të tillë. Ose të fajësohen partitë rivale serbe. Sidoqoftë, reagime nuk kishim, jo vetëm nga udhëheqësit e shtetit, por edhe opozita ishte shumë e shurdhët rreth tentimit të këtij akti terrorist. Aktet e tilla që kanë për qëllim destabilizimin e vendit nuk guxojnë të heshtën nga askush, e sidomos nga përfaqësuesit politik dhe institucionet e shtetit”, është shprehur politologu Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat