Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet asnjëherë pjesë e qeverisë Haradinaj. Kështu kanë deklaruar për gazetën “Bota sot”, zyrtarë të LDK-së të cilët i janë kundërpërgjigjur Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq i cili ka parashikuar tërheqjen e Listës serbe nga Qeveria si kundërshtim për formimin e ushtrisë se Kosovës dhe bashkimin e LDK-së në një koalicion me këtë qeveri.
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka parashikuar se në të ardhmen Lista Serbe mund të largohet nga Qeveria e Kosovës për shkak të ushtrisë.
Ai ka deklaruar se pas këtij skenari LDK mund të bëhet pjesë e Qeverisë. Madje, Vuçiq ka thënë se në krye të LDK-së shpejt mund të emërohet Vjosa Osmani ose Lutfi Haziri.
Mirëpo, Bajram Gecaj, ish zv.ministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal si dhe njëkohësisht anëtar i LDK-së, ka thënë se e ka siguruar Vuçiqin dhe bashkëmendimtarët e tij në Kosovë se LDK-ja nuk do t’i bashkëngjitet asnjëherë kësaj qeverie.
Sipas Gecajt, ata do ta përmbysin qeverinë aktuale sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Unë menjëherë kam thënë publikisht se propagandës së elementëve të koalicionit qeverisës dhe të VV-së, ju kishte bashkangjitur tani edhe pjesa tjetër e koalicionit i cili kishte përkrahur mocionin e vetëbesimit kundër qeverisë së udhëhequr nga LDK-ja. Megjithatë e sigurova Aleksandar Vuçiq, dhe bashkëmendimtarët e tij në Kosovë, që LDK nuk do t’i bashkëngjitet asnjëherë kësaj qeverie, por se do ta përmbysi atë në afatin më të shpejt të mundur” ka pohuar Gecaj.
(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Enjten në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)