“Haradinaj të respektojë rregullat demokratike, jo emërime të partiakëve në kohë fushate”

Politika

“Haradinaj të respektojë rregullat demokratike, jo emërime të partiakëve në kohë fushate”

Nga: Gresa Bajraktari Më: 2 nëntor 2017 Në ora: 22:00
Ramush Haradinaj

Nuk janë të rralla rastet kur bëhen emërime në pozita të larta të personave partiak. Së fundmi, pas rezultatit të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, kryeministri  Ramush Haradinaj emëroi Faruk Nurën, zëvendësministër në Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, i cili ka qenë kandidat për kryetar të komunës së Vitisë në zgjedhjet lokale dhe Fatmir Gashin zëvendësministër në Ministrinë e Financave, që në zgjedhjet lokale ka qenë kandidat për kryetar të Pejës.

Lidhur me emërime të tilla, profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se derisa shumë komuna kanë shkuar në balotazh dhe zgjedhjet nuk kanë përfunduar, Haradinaj nuk do të duhej të bënte emërime të tilla të kandidatëve për kryetarë komunash.

“Kosova është ende në fushatë elektorale. Më 17 nëntor do të zhvillohet raundi i dytë e zgjedhjeve për kryetarë komunash në 19 prej tyre dhe përveç Pejës në komunat më të mëdha të vendit. Janë në garë Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Mitrovica, Gjilani, Gjakova, të cilat përbejnë më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit. D.m.th Kosova është gati në 70 për qind të saj në fushatë elektorale. Në këto kushte lëvizjet e Haradinajt për emërimin e dy zv.ministrave nga AAK si lëvizje elektorale, nuk do të duhej në fushatë elektorale të bëhej një emërim i tillë. Haradinaj duhet ta ndryshojë kulturën politike të derisotme në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare, përfshirë edhe Shqipërinë. Duhet të respektojë rregullat demokratike deri në fund, për të mos spekuluar në fushatë me emërime ose shkarkime të zyrtarëve të lartë”, është shprehur Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sa i përket personave që kanë dështuar në zgjedhjet lokale në pozita të zëvendësministrave, profesori thotë se AAK është parti e vogël dhe nuk mund të jetë në më shumë komuna, derisa shton se Haradinaj do të duhej të priste 19 nëntorin për të bërë emërimet e tilla.

“Sa i përket emërimit të dy personave të dështuar në zgjedhjet lokale, kjo për mendimin tim është e diskutueshme, sepse dështimet elektorale dhe politike nuk vijnë gjithnjë për shkak të performancës dhe autoritetit të individit. Vetë AAK është parti e vogël dhe nuk ka kapacitete që të imponohet në shumë komuna të Kosovës. Në këto kushte çdo kandidat i saj mund të dështonte e kjo nuk do të thoshte se kandidati është fajtor. Megjithatë konkretisht nuk kam dijeni sesa cila është përgatitja e tyre, çfarë mundësish e shansesh kanë pasur në garën elektorale për kryetar komune dhe pse nuk i shfrytëzuan ato mundësi. Por lëvizjen e shoh të komprementuar me vetë fushatën elektorale. Duhej pritur 19 nëntori që të bëheshin emërime të zyrtarëve të lartë jo vetëm nga AAK, por edhe nga të tjera forca politike”, ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, profesori Enver Bytyçi. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat