Dështimi i Thaçit, LDK me kërkesë të re për bisedimet me Serbinë

Politika

Dështimi i Thaçit, LDK me kërkesë të re për bisedimet me Serbinë

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 3 nëntor 2017 Në ora: 14:31
Foto arkiv, bisedimet në Bruksel

Mbledhja e parë e grupit punues për ofrimin e mbështetjes për dialogun e brendshëm të Serbisë për Kosovën, i iniciuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka ngritur reagime tek partitë politike dhe opinion publik në Kosovë.

Në Qeverinë e Kosovës thonë se e shohin si proces normal këtë dialog, nëse ai ka për qëllim një paqe afatgjatë në mes së Kosovës dhe Serbisë.

“Parimisht,  Qeveria e Kosovës nuk përzihet në çështjet e brendshme të një shteti tjetër. Mirëpo nëse ky dialog është lansuar në funksion të paqes afatgjatë dhe njohjes së ndërsjellë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, atëherë Qeveria e Kosovës e sheh si proces normal”, kanë zyrtarët e qeverisë për Bota sot.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është në dialog institucional e të përditshëm me qytetarët serbë të Kosovës ndërsa dialogun me Serbinë e sheh si interes të të dyja palëve”, thuhet më etj në përgjigjen me shkrim të zyrtarëve të qeverisë.

Image
Avdullah Hoti

Hoti: Kuvendi duhet miratuar një rezolutë të re për këto bisedime

Nga ana tjetër, përfaqësues të LDK-së dhe njohës të çështjeve shqiptaro-serbe thonë se Kuvendi duhet miratuar një rezolutë të re për këto bisedime.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se subjekti i tij politik nuk e mbështet qasjen që Presidenti Thaçi të udhëheq dialogun me Serbinë.

“Ai këtë gjë e ka bërë njëanshëm, pa asnjë autorizim, në tre muajt e fundit. Kosova ka institucione të zgjedhur, e ka qeverinë e cila duhet të marr përgjegjësinë për procesin e dialogut. Në këtë dialog duhet involvuar edhe Kuvendi përmes rolit mbikëqyrës”, thotë Hoti.

“Kuvendi duhet të aprovoje platformën e dialogut me Serbinë, me tema dhe afate kohore për dialog. Qeveria duhet të zhvilloje dialogun dhe duhet të raportojë në Kuvend vazhdimisht”, shtoi Hoti.

Image
Mazllum Baraliu

Edhe profesori universitar, Mazllum Baraliu thotë se nevojitet miratimi i një platforme për bisedimet e ardhshme me Serbinë.

“Pra, duhet thjesht që të ketë një platformë të miratuar në Kuvend nga partitë politike të miratuar në mënyrë konsensuale në mënyrë që të dihet sa çfarë do të bisedohet, për cilat çështje do të bisedohet,  sa do të zgjasin këto bisedime, kur do të përfundojnë dhe me çfarë rezultati”, tha Baraliu për “Bota sot”.

Sipas tij, në këto bisedime duhet të ketë një ekip të unitetit dhe në atë ekip do të duhej të ishin njerëz që dinë.

Hoti: Serbia duhet të heq Kosovën nga kushtetuta e saj

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se shteti serb duhet të heq Kosovën nga kushtetuta e saj.

 “Dialogu i brendshëm në Serbi lidhur me Kosovën është i vonuar. Shoqëria dhe populli serb duhet të marrin përgjegjësinë për të kaluarën në mënyrë që të ecin përpara në proceset e integrimit evropian dhe të promovimit të fqinjësisë së mirë. Për të pasur kuptim, Serbia duhet të bëjë hapa konkrete në heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e vetë, të stopoje ndikimin negativ që po bënë tek serbet lokal në Kosove dhe të ndal aktivitetet penguese lidhur me anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale”, thotë për gazetën “Bota sot”, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Image
Seb Bytyçi

Nga ana tjetër, profesori Seb Bytyçi në Universitetin e Ëinchester në Angli e sheh me dyshim fillimin e dialogut në Serbi për çështjen e Kosovës.

“Qasja e Serbisë vazhdimisht ka qenë që të heq dorë sa më pak që është e mundur në të gjitha sferat, dhe në anën tjetër të përfitojë sa më shume sa i përket autonomisë së serbeve në Kosovë”, tha Bytyçi.

“Kështu që, dyshoj se ky dialog do të çoj në ndonjë ndryshim të kësaj qasje. Nuk mund të pritet ndonjë lëshim për sa i përket qëndrimit zyrtar te Beogradit për Kosovën”.

Sipas Bytyçit, edhe më herët Beogradi është munduar që çdo fillim të dialogut ta paraqesë si koncesion në vete (para bashkësisë ndërkombëtare), kështu duke siguruar koncesione nga Kosova.

Beqaj: Thaçi nuk mund të udhëheq ekipin e unitetit

Image
Belul Beqaj

Nga ana tjetër, politologu Belul Beqaj thotë për “Bota sot” se bisedimet e ardhshme me Serbinë nuk mund të udhëhiqen nga presidenti Thaçi.

“Rezultatet e deritanishme nuk i kanë përmbushur qëllimet. Ndërsa, këto procese në pozicione të ndryshme i ka udhëhequr, pikërisht Thaçi. Prandaj, nëse ai mbetet në krye të këtij procesi e sigurt është se do të vazhdojë  dështimi. Së dyti, ai nuk mund të krijoj grupin e unitetit, siç po deklarohet, meqë është dëshmuar si përçarës. Mund të krijoj një ekip të “dostave” të vet, por jo të atyre që reflektojnë vullnetin politik të shumicës dhe kanë mbulese profesionale për negocim”, thotë Beqaj.

Ai më tej thotë se Thaçi për të udhëhequr këto bisedime, ai duhet ta pastroj vetën nga akuzat në Raportin e Dick Martit.

“ Se treti,ai paraprakisht duhet te pastroje veten nga dyshimi pse është kryeprotagonisti i Raportit të Dik Martit ,që ka shërbyer si bazë për themelimin  e Gjykatës Speciale. Meqë,derisa është i dyshuari kryesor mund të shantazhohet dhe të jetë në pozitë inferior karshi palës tjetër ngase e ka samarin e rëndë “.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat