Haziri “godet” Vuçiqin: LDK s’do t’iu lejojë t’i fusni hundët në Kosovë

Politika

Haziri “godet” Vuçiqin: LDK s’do t’iu lejojë t’i fusni hundët në Kosovë

Nga: Bota Sot Më: 4 nëntor 2017 Në ora: 12:13
Gazetarja e gazetës “Bota sot”, Naile Ejupi, gjatë intervistës me nënkryetarin e LDK-së Lutfi Haziri. Në sfond shihet foto e Presidentit Rugova në zyrat e selisë së LDK-së. Foto: Bota sot

Ditë më parë Presidenti serb Aleksandër Vuçiq është shprehur se Lista serbe mund të largohet nga Qeveria dhe në krye të qeverisë do vije Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Vjosa Osmanin apo Lutfi Hazirin.

"Ndërkombëtarët, i ka goditur rënia e PDK-së  e Hashim Thaçit në 18 përqind. Do ta gjejnë ata...Vjosa Osmanin ose Lutfi Hazirin që ta drejtojë në të ardhmen LDK-në që ta bëjnë shumicën”, ka parashikuar Presidenti i Serbisë.

Por, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, ka thënë se deklarata e Vuçiqit ka pasur të bëjë me përfaqësimin e LDK-së për një qeveri të re, e jo për qeverinë që është pjesë e PAN-it.

Ai ka deklaruar se Qeveria e ardhshme mund të bëhet pas largimit të Listës serbe, gjë e cila sipas Hazirit, do të shkaktonte zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Haziri ka thënë se LDK nuk do të lejojë që Lista serbe të fus hundët në problemet e Kosovës, pasi sipas tij, Kosova ka pjekuri për t’i zgjidhur problemet vetë.

“Në fakt deklarata e Kryeministrit serb ka pasur të bëjë me përfaqësimin e LDK-së në qeveri, për një qeveri të ardhshme,  e jo për një qeveri që është pjesë e PAN-it. Për një qeverisje e cila mund të ndërtohet pas largimit të Listës serbe, sepse largimi i Listës serbe, apo largimi i një partie shqiptare shkakton zgjedhjet e jashtëzakonshme, sepse i kanë 61 vota dhe janë të pamjaftueshëm të qeverisin. Në këtë rrafsh, është vlerësim politik me tendencë të ndërhyrjes apo futjes së hundës së tyre të gjatë në problemet e Kosovës, që ne si LDK dëshirojmë me çdo situatë ta mbajmë larg, të distancuar rolin dhe ndikimin e Serbisë në Kosovë. Ata nuk kanë arsye të ndërhyjnë në politikën e Kosovës, kemi pasur ndërhyrje në politikë të formimin e qeverisë së PAN-it dhe kur kemi ndërhyrje të miqve ne i mirë besojmë për qëllim të mirë, por kur kemi ndërhyrje politike me tendenca të shkaktojë formula të reja politike në Kosovë, mendoj se Kosova është mjaftueshëm e pjekur t’i zgjidhë problemet vetë”, është shprehur Haziri.

Image

 

Ai në intervistën për “Bota sot”, ka thënë se LDK është e fokusuar në zgjedhjet lokale dhe se pas tyre do të vlerësojë seriozisht se sa ka nevojë Kosova të  ketë qeverisje të pakicës politike që varet totalisht nga Lista serbe dhe nga grupet e vogla politike.

Nënkryetari i LDK-së, ka komentuar edhe për deputetët e pozitës, të cilët i ka krahasuar me nxënës të shkollës fillore.

“Ne jemi të fokusuar në zgjedhjet lokale, dhe pas zgjedhjeve LDK-ja do të bëjë vlerësime serioze se sa ka nevojë ky vend të ketë një qeverisje të pakicës politike që varet totalisht nga Lista serbe, por edhe nga grupet e vogla politike, sepse nuk është vetëm Lista serbe që e kushtëzon qeverinë e PAN-it, por edhe parti me dy deputetë me tri deputetë që e mbajnë të ngulfatur çdo ditë mbi bazë ditore qeverinë.  Është jashtëzakonisht e vështirë të ketë stabilitet politika të qëndrueshëm e afat gjate një qeverie që çdo ditë shikon a janë mirë me shëndet, kush është me grip e kush e ka gruan e sëmurë e kush duhet të udhëtojë, është një tip i qeverisjes që 61 deputetë i trajtojnë si të jenë nxënës të shkollës fillore, që çdo ditë duhet të jenë në bankë të Kuvendit dhe asnjë ditë nuk duhet të mungojnë, duhet të jenë në secilën rrethanë në mënyrë që të reflektojnë qëndrueshmëri”, ka thënë Lutfi Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat