Tërheqja e Kosovës nga CEFTA, paralajmërohen pasoja katastrofale

Politika

Tërheqja e Kosovës nga CEFTA, paralajmërohen pasoja katastrofale

Nga: Arbnore Zhushi Më: 4 nëntor 2017 Në ora: 15:40
Foto ilustrim

Mundësia e tërheqjes së Kosovës nga marrëveshja tregtare e CEFTA-s, nuk po shihet si hap i duhur në vend.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, ka deklaruar se Kosova do të shqyrtojë mundësinë e tërheqjes së Kosovës nga CEFTA, nëse vendi vazhdon të përfaqësohet si UNMIK, e jo sipas kërkesës që përfaqësimi të bëhet si Republikë.

E duke komentuar deklaratën e ministrit Hasani, analisti i çështjeve politike Faton Mehmeti, ka thënë se largimi eventual, do të ishte katastrofal.

Sipas tij, kjo edhe për shkak të dështimit të diplomacisë së Kosovës për anëtarësim në Interpol dhe në UNESCO.

Image
Faton Mehmeti

“Kosova nuk është e barabartë në CEFTA, sepse nuk njihet nga një pjesë e shteteve aty, pastaj nuk është treguar serioze me vetveten dhe të tjerët. Largimi eventual do të ishte katastrofal, pas dështimit në UNESCO dhe në Interpol. Dështimi në këto dy mekanizma të rëndësishëm ka bërë që Kosova të penalizohet për të qenë partner strategjik në fushën e kulturës dhe drejtësisë”, është shprehur Mehmeti në prononcimin për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti ka vlerësuar se do të ketë pasoja të rënda në fushën e ekonomisë nëse Kosova tërhiqet nga CEFTA.

“Kosova nuk guxon të shënojë hapa prapa. Nëse Qeveria vendos të largojë Kosovën nga CEFTA, do të ketë pasoja të rënda në fushën e ekonomisë dhe mundësitë e tërheqjeve të njohjeve do të shtohen. Një hap i tillë do të ishte vetëvrasje për Kosovën”, ka shtuar Faton Mehmeti.

Ndryshe Kosova është anëtare e CEFTA-s që nga viti 2007.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat