“Sherr” mes Thaçit dhe Haradinajt për ushtrinë?

Politika

“Sherr” mes Thaçit dhe Haradinajt për ushtrinë?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 5 nëntor 2017 Në ora: 08:12
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi

Çështjet e rëndësishme në Kosovë si demarkacioni, ushtria dhe liberalizimi i vizave, po dalin të jenë problematike për Presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Të dy vazhdimisht flasin për këto procese sikurse janë në përfundim, por ende po bëhet asnjë hap në drejtim të tyre.

Presidenti Thaçi ka kohë që është zotuar për liberalizim vizash, që nga koha kur ishte kryeministër, më pas Ministër i Jashtëm dhe tani nga këndi i Presidentit. Të njëjtën po e bën edhe Haradinaj.

Dhe duke dhënë deklarata të tilla, deri më tani të dy dolën të dështuar në premtimet e tyre. Në këtë mënyrë ata duket se nuk janë të kordinuar mirë, madje se nuk kanë as marrëveshje të përbashkëta. Kjo pasi që, Presidenti Thaçi kishte deklaruar që nga muaji mars se do t’i bind serbët për të votuar ushtrinë, dhe kjo po bie në kundërshtim me veprimet e kryeministrit Haradinaj, i cili i futi ata në qeveri, ndonëse e kundërshtojnë fuqishëm ushtrinë e Kosovës.

Zogaj: Ushtria, dështimi më i madh i udhëheqsve të vendit

Image
Skender Zogaj

Njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj, duke folur rreth kësaj teme, ka thënë se ushtria është njëra ndër dështimet më të mëdha të shtetit të Kosovës, që ka ndodhur qëllimisht nga pushtetarët. Sipas tij, çështja e ushtrisë është dështimi më i rëndë dhe më domethënës i keqmenaxhimit nga ana e udhëheqjes së vendit, e cila është fajtorja e dështimit.

“Dështimi është i qëllimshëm, sepse udhëheqja e Kosovës, e ka personalizuar çështjen e ushtrisë për qëllime të ulëta dhe përfituese, që nga çastet e para të pasluftës, duke falsifikuar vlerat e luftës dhe të UÇK-së. Pra, ka kalkuluar me vlerat e UÇK-së, duke futur në përbërjen e TMK-s “ulluk e sugjuk”, njerëz që nuk kanë pasur asgjë të përbashkët me ushtrinë, bile-bile edhe njerëz rruge shumë të dyshimtë, ndërsa nuk janë pranuar kuadrot e mirëfillta dhe të denja për ta krijuar ushtrinë e Kosovës. E kam fjalën për pjesën e ushtrisë institucionale të Republikës së Kosovës, pjesëtarët e FARK-ut, që dihet ishin pjesa elite e UÇK-së, nuk u morën në konsideratë, dhe kjo ndodhi jo rastësisht, por, qëllimisht, që brenda ushtrisë të hynin njerëz të pamerituar, e për më tepër edhe njerëz të dyshimtë që supozohet se gjatë luftës kishin penguar krijimin e frontitit të përbashkët të luftës çlirimtare, duke vrarë figura si kolonel Ahmet Krasniqi, ministri i parë i luftës, e të tjerë ushtarakë të linjës institucionale”, ka theksuar ai.

Përvetësimi i luftës

Sipas tij, kjo ka ndodhur për ta përvetësuar luftën dhe pas luftës edhe ushtrinë.

“Se kjo është e vërtetë tregon edhe çështja e emërtimit të ushtrisë me FAK, që pasqyron mendjen e errët së klasës politike të Kosovës, e cila për t'i ikur FARK-ut, e gjymton emërtimin e ushtrisë duke ia hequr pjesën shënjuese më emblematike siç është fjala Republikë, që nuk ka guxuar të hiqet, pavarësisht që, dikujt ka mundur t’ia ka gërryej ndërgjegjen! Të gjitha këto që i thashë janë arsyeja që, edhe 18 vjet pas luftës, çështja e ushtrisë së Kosovës mbetet e parealizuar dhe ka arritur deri te mbetja në pengun e Listës Serbe”, ka thënë ai.

Zogaj më tutje ka theksuar se situata është e rëndë, dhe Kosova pa ndërmjetësimin ndërkombëtar nuk mundet ta formojë ushtrinë, sepse nuk mundet t'i bind serbët që ta votojnë atë.

Haziri: Washingtoni do ta detyrojë Listën serbe ta votojë ushtrinë

Image
Nexhat Haziri

Edhe analisti politik, Nexhat Haziri duke komentuar deklaratën e fundit të Thaçit rreth ushtrisë, ku tha se është në fazën përfundimtare, ka theksuar se presidenti nuk ka specifikuar se për çfarë ecurish bëhet fjalët sa i përket kësaj faze.

“Kujtoj se deklaratat e mëparshme të vet presidentit Thaçi se ai do t’i bind serbët sa i përket formimit të Ushtrisë së Kosovës, është nismë e dështuar e tij dhe është thënë vetëm sa për konsum të brendshëm politik. Serbët të tubuar apo të përfaqësuar me Listën Serbe, e kanë rikonfirmuar shpeshë herë, pra edhe këto ditë qëndrimin e Beogradit zyrtar, që ky subjekt politik nuk do ta votojë formimin e ushtrisë së Kosovës. Po ashtu, këto ditë është shprehur edhe NATO-ja, e cila përmes zyrtarëve të saj ka deklaruar se Ushtria e Kosovës duhet të formohet vetem në bazë të Kushtetutës, që do të thotë ndryshimin e disa neneve që kanë të bëjnë me sigurinë dhe formimin e institucioneve apo mekanizmave të mbrojtjes dhe sigurisë, të cilat këto ndryshime kërkojnë 2/3 e votimit të deputetëve në Kuvend, si dhe votën e pakicave, në këtë rast të pakicës serbe, dhe kjo vështirë duket e realizueshme”, ka vlerësuar ai.

Haziri më tutje ka thënë se një hap përpara sa i përket formimit të Ushtisë së Kosovës në raport me institucionet tona, është Washingtoni zyrtar, i cili përmes zyrtarëve të saj në vizita edhe në Beograd, por edhe në takime me subjektet politike serbe në Kosovë, iu ka bërë me dije se nëse serbët kërkojnë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, së pari duhet ta votojnë formimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Dhe si duket ky edhe mund të jetë një lloj kompromisi që do ta detyrojë edhe Listën Serbe për ta votuar Ushtrinë e Kosovës. Por, një gjë që nuk po përmendet apo po kalohet qëllimisht mbi të, është nëse Kosova është e gatshme edhe në aspektin ekonomik për formimin e Ushtrisë. Ushtria kërkon buxhet, për t’i arritë kapacitetet e veta ushtarake dhe profesionale, po ashtu edhe në teknikë”, ka vlerësuar ai.

Thaçi në kundërshtim me Haradinajn

Image
Hajrullah Tërnava

Ndërsa eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka thënë se krejt çka ka ndërmarr Thaçi deri më tani gjithnjë ka dështuar dhe se edhe thënia e tij se do ta formojmë ushtrinë do të dështojë si të tjerat deri me tani.

“Vet presidenti i Serbisë Vuçiq, para disa ditëve u deklarua se Lista Serbe kurrë nuk do ta votojë në parlament formimin e ushtrisë së Kosovës. Thaçi jo që po bjen në kundërshtim me Haradinajn, por po bjen me të gjithë në kundërshtime, se krejt çka ka ndërmarr deri më tani, asnjë nuk ka qenë e kryer në bazë të premtimeve që i ka dhënë opinionit. A ka dështim më të madh se pa e autorizuar askush si Kryeministër i Kosovës në vitin 2013 apo 2015 e ka nënshkruar demarkacionin tani diskutabil mes Kosovës e Malit të Zi. Në baze të nenit një (1) të Kushtetutës së Kosovës, ku thuhet se territori i Kosovës është i pacënueshëm dhe askush nuk ka kompetenca as të drejtë që një centimetër ta nënshkruajë, ky del dhe pa e pyet askënd e nënshkruan dhe tani i kemi këto probleme me demarkacionin, që na u kanë ngarkue dhe kemi mbet këtu ku jemi”, ka vlerësuar Tërnava.

Tërnava: Presidenti të jap dorëheqje

Duke u bazuar në këtë, Tërnava ka thënë se presidenti i ka kaluar kompetencat e veta dhe në bazë të kësaj ishte dashur të jep llogari-dorëheqje para parlamentit të Kosovës.

“Kjo praktikë t’iu shërbejë si mësim për të tjerët udhëheqës, dhe nëse është largu Fatmir Sejdiu nga Kryetari i Kosovës për shkeljet kushtetuese të tij, bëhet pyetja a nuk duhet edhe ky të përgjigjet për atë nënshkrim dhe shkelje Kushtetuese që tani po i kushton Kosovës, e sidomos a mos po e nënshkruan tani si Kryetar i Kosovës krejt territorin e saj ndonjë shteti fqinj e sidomos Serbisë?!”, është shprehur ai.

Tërnava tutje ka thënë se ushtria e Kosovës do të formohet kur të vjen koha e saj, dhe për formimin e saj do të përkujdesen miqtë e saj, si Amerika dhe BE.

“Më në fund Serbia e mori edhe porosinë-kërcënimin nga zëvendësndihmëssekretari Hoyt Brian Yee, që territori i Kosovës nuk duhet të cënohet e as të preket, që vetë kryeministri serb Vuçiq po e pranon dhe me këtë po e bind popullin e vet që Kosova duhet të hiqet nga harta e Serbisë, e shumë shpejtë edhe do të ndodhë kjo dhe ky do të jetë edhe si kusht për njohjen e pavarësisë së Kosovës, nëse Serbia do të anëtarësohet në BE. Do të thotë, se miqtë tonë që na ndihmuan me u çliruar, edhe sot na e garantojnë tërësinë territorial të Kosovës me KFOR-in dhe NATO-në, që nga çlirimi e deri më sot. Territori i Kosovës asnjëherë nuk u cënua dhe lirisht mund të themi se edhe kur ta krijojmë ushtrinë tone, vështirë se do ta kemi këtë rehati me fqinjtë sikur që është Serbia”, ka theksuar Tërnava për “Bota sot".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat