Juristët tregojnë se kush mund ta padisë Maqedoninë në Strasburg për rastin Kumanova

Politika

Juristët tregojnë se kush mund ta padisë Maqedoninë në Strasburg për rastin Kumanova

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 5 nëntor 2017 Në ora: 10:46
Pamje nga gjykimi i Grupit të Kumanovës

Njohësit e çështjeve juridike thonë se shteti i Kosovës nuk mund të parashtrojë padinë kundër Maqedonisë për dënimet drakoniane ndaj shqiptarëve të përfshirë në konfliktin e armatosur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë.

Ata thonë se një gjë të tillë mund ta bëjnë të burgosurit ose familjarët e tyre pasi të jenë shterur të gjitha ankesat në të gjitha shkallët e instancave juridike në Maqedoni.

 “Personat e dënuar ose familjarët e të dënuarve për mes avokatit mund ta dërgojnë ankesën në Gjykatën e Strasburgut kur një çështje juridike kompensohet në të gjitha instancat juridike prej shkallës më të ultë deri në shkallën më të lartë të një vendi, dhe nëse nuk gjendet drejtësi, atëherë mund të dërgohet padia në këtë instancë juridike ndërkombëtare”, ka thënë për “Bota sot” profesori universitar, Mazllum Baraliu.

Baraliu: Strasburgu, pasi të shteren të gjitha mundësitë në gjykatat maqedonase

Image
Mazllum Baraliu

Sipas Baraliut, kjo mund të bëhet pasi të shterën të gjitha mundësitë në të gjitha shkallët e gjykatave në Maqedoni.

“Duhet pritur se çfarë vendimi do të marrë Gjykata e Apelit dhe në qoftë se kjo gjykatë vendos njëjtë sikurse Gjykata e Apelit, atëherë ekziston mundësia që kërkesa të dërgohet në Gjykatën Supreme dhe nëse ajo vendos njësoj, atëherë mund të paditet shteti maqedonas në Gjykatën e Strasburgut. Pra, edhe të burgosurit e Kosovës kanë të drejtë të padisin Maqedoninë, por jo shteti i Kosovës”, ka shtuar Baraliu.

Miftaraj: Procedura mund të zgjas me vite të tëra

Image
Ehat Miftaraj

Edhe Ehat Miftaraj nga Instituti për Drejtësi, ka thënë se qytetarët e Kosovës të dënuar nga gjykatat maqedonase mund të parashtrojnë padi në Gjykatën e Strasburgut.

“Maqedonia është nënshkruese e Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, respektivisht ky shtet obligohet nga vendimet e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut. Pavarësisht se Kosova nuk është anëtare e këtij mekanizmi, qytetarët e saj të dënuar nga gjykatat në Maqedoni kanë të drejtën për të paraqitur ankesë në këtë gjykate lidhur me shkeljen e drejtave dhe lirive të njeriut gjatë procesit gjyqësor ndaj tyre. Konventa po edhe rregullat e procedurës në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut përcaktojnë se çdo individ i cili mund të jetë subjekt i vendimeve gjyqësore të shteteve nënshkruese të Konventës kanë të drejtën për të paraqitur ankesë në këtë gjykatë”, ka thënë Miftaraj.

Ai ka treguar edhe se si mund të bëhet kjo.

“Sidoqoftë, gjykata evropiane për të drejtat e njeriut mund të pranojë ankesat në rastin konkret vetëm pas shterjes së të gjitha mjeteve juridike në Maqedoni, respektivisht vetëm pasi që vendimi lidhur me këtë rast të marrë formën e prerë, procedura të cilat mund të zgjasin me vite të tëra”, ka shtuar Miftaraj.

Ndryshe, të enjten Gjykata në Shkup ka dënuar me 746 vjet, 37 shtatë shqiptarë, të cilët u përshinë në konfliktin e armatosur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë. Nga 37 pjesëtarët e dënuar, shtatë të akuzuar janë dënuar me burg të përjetshëm, 13 me nga 40 vjet burg, kurse të tjerët me nga 20 vjet, 18 dhe 12 vjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat