"Izolimi i qytetarëve të Kosovës, ja pse Haradinaj është fajtor"

Politika

"Izolimi i qytetarëve të Kosovës, ja pse Haradinaj është fajtor"

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 9 nëntor 2017 Në ora: 20:42
Ramush Haradinaj

Çështja e demarkacionit vazhdon të jetë ndër më aktualet dhe ende e pazgjidhur, derisa lidhet dhe me liberalizim të vizave.

Si kusht kryesor, ndërkombëtarët kanë kërkuar që demarkacioni të zgjidhet sa më shpejt në mënyrë që të vazhdohet më tutje në procesin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës që vazhdojnë të jenë të izoluar.

Në ndërkohë, qeveria ka emëruar komisionin për demarkacionin që ka thënë se ka gjetur fakte të reja dhe se së shpejti do të dalë raporti përfundimtar në lidhje me këtë marrëveshje.

E për këtë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se me të gjetura të tilla po manipulohet opinioni publik dhe mediat dhe se qeveria po i mban qytetarët të izoluar duke e zvarritur çështjen e demarkacionit, pasi është rrezik të kontestohen të gjeturat që janë përkrahur nga SHBA, NATO dhe BE.

Deklaratat e tilla tregojnë një luftë politike në mes të udhëheqësve të institucioneve të vendit, sipas analistit Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Ai thotë se kjo luftë shkakton dëme në Kosovë në përmbushjen e obligimeve.

“Deklarata e fundit e presidentit Thaçi sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ku ai drejtpërdrejt e fajëson qeverinë dhe komisionin e krijuar nga Haradinaj për izolim të qytetarëve të Kosovës, por edhe deklaratat e tjera në mes partnerëve të qeverisë që paraqesin koncepte të ndryshme lidhur me disa procese në Kosovë, tregojnë për një luftë të ashpër politike në mes udhëheqësve të institucioneve të Kosovës. Kjo luftë politike dhe mos dakordancë që po shfaqin liderët institucionalë të vendit, është një nga shkaktarët e dëmtimit të Kosovës në përmbushjen e obligimeve që dalin nga agjenda e integrimeve euro-perëndimore, por edhe të zhvillimit të vendit në segmentet kyçe që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë”, është shprehur ai për gazetën “Bota sot”.

Sipas Hazirit, qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj është fajtore që nuk e ka pranuar demarkacionin dhe po i izolon qytetarët që të kenë liberalizim.

“Është pikërisht faji i qeverisë Haradinaj për shkak të kokëfortësisë së këtij të fundit, për refuzimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, marrëveshje kjo e arritur ne mes qeverisë së kaluar të Kosovës, të udhëhequr nga Isa Mustafa dhe të nënshkruar nga Hasim Thaçi, si ish ministër i punëve të Jashtme me palën malazeze, e cila do t’i hapte rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ndërsa sa i përket premtimit të Haradinajt për liberalizim të vizave brenda tre muajve të qeverisjes së tij, mendoj se kjo nuk do koment, pasi gjërat janë të prekshme dhe të dukshme, trendet negative që ka pasur Kosova jo vetëm në procesin e liberalizimit të vizave por edhe në proceset e tjera, sidomos në agjendën evropiane dhe obligimet e pa përmbushura që dalin nga kjo agjende”, ka thënë Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat