Ashpërsohet gara e kandidatëve për kryeqytetin

Politika

Ashpërsohet gara e kandidatëve për kryeqytetin

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 10 nëntor 2017 Në ora: 10:20
LDK, Prishtinë

Koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe AKR-së në Prishtinë, por edhe koalicionet e mëparshme e aktuale të partive tjera, po konsiderohen si koalicione për interesa të pushtetit. Njohësit e çështjeve politike, duke folur rreth koalicionit VV-dhe AKR, vlerësojnë se në raste të tilla, interesi i elektoratit nuk qon fare peshë, pasi protagonistët e koalicionit kanë interesa tjera.

Sipas tyre, 11 pikat e marrëveshjes së nënshkruar e shpërfaqin konceptin qeverisës të Shpend Ahmetit.

“Në politikë nuk ka parime”

Duke folur rreth koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe AKR-së në komunën e Prishtinës dhe nëse me këtë koalicion po dëshmohet se është "retorikë boshe", ajo që thonë partitë se do të bëjnë koalicion me qytetarin, analisti politik Faton Mehmeti ka thënë për “ Bota sot” se në politikë nuk ka parime por vetëm pazare, prandaj edhe koalicioni ndërmjet Vetëvendosjes dhe  AKR-së është produkt i pazareve.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, Selim Pacolli është biznesmen dhe kumbara i koalicionit mes PAN-it dhe AKR-së, pasi ai është mësuar të bëjë biznese të tilla dhe kësaj radhe bëri atë që atij i shkon për shtati. “Nuk dihet se çfarë i ka premtuar Shpendi, por mund të aludojmë në ndonjë tender milionësh në Prishtinë. Nuk ka marrëveshje të programeve, as të ideve dhe as të koncepteve por vetëm të interesave dhe pazare për qëllime personale”, ka thënë Mehmeti.

Ai konsideron, se ky koalicion nuk është për qytetarët, dhe s’ka as këtë qëllim përveç se t’i shërbej biznesit të Selim Pacollit dhe të zyrtarëve të VV-së të cilët Shpendin e përdorin si karrem për t’i arritur qëllimet e tyre.

“Nuk është për tu habitur ky koalicion, me njerëz si Pacolli nuk ka asnjëherë parime përveç pazareve dhe kjo u dëshmua sot . Ky është sinjal i keq për Prishtinën dhe Kosovën për qytetarët të cilët nuk po shohin se pushteti qoftë lokal apo qëndron nuk po i kthen sytë nga ata, por nga kontot e tyre të cilat s’do të jenë të njëjta pas pazareve për të ndarë tortën e madhe të pushtetit”, ka thënë analisti Mehmeti.

Gashi: Koalicione për pushtet

Image
Arbër Gashi

Ndërsa njohësi i çështjeve politike Arbër Gashi, ka thënë se Koalicionet në përgjithësi, dhe jo vetëm koalicioni mes LVV dhe AKR në Prishtinë, por edhe koalicionet e mëparshme e aktuale të partive tjera, janë thjeshtë koalicione për interesa të pushtetit.

“Në raste të tilla, interesi i elektoratit nuk qon fare peshë, sepse protagonistët e koalicionit kanë interesa tjera. Sa i përket aspektit ideologjik, LVV dhe AKR nuk janë edhe aq larg njëra-tjetrës, nëse e përjashtojmë retorikën për konsum publik. Figurativisht, Behgjet Pacolli simbolizon mandatin "rus", ndërsa Albin Kurti, vijën tradicionale të së majtës staliniste”, ka thënë Gashi.

Nga ana tjetër, analisti politik Skender Zogaj vlerëson  se koalicioni ndërmjet Vetëvendosjes dhe AKR-s është një triumf i Selim Pacollit ndaj Shpend Ahmetit, i cili publikisht hoqi dorë nga programi i tij duke u pajtuar me pikëpamjet qeverisëse të z. Pacolli.

Image
Skender Zogaj

Ahmeti i gjunjëzuar

Sipas tij, ai tha se ka hequr dorë nga postet për hir të interesit qeverisës të Komunës së Prishtinës, për çka i ka “sakrifikuar” pikëpamjeve qeverisëse të AKR-së duke ia dhuruar programit qeverisës të Vetëvendosjes.

“Kjo është e garantuar me Marrëveshjen e nënshkruar, ku janë 11 pikat e AKR-së, të cilat Shpend Ahmeti tha se i ka pranuar me shumë gëzim. Të them të drejtën e vërteta është ndryshe, 11 pikat e marrëveshjes së nënshkruar e shpërfaqin konceptin qeverisës të Shpend Ahmetit, e kjo nënkupton se me këtë koalicion Shpendi iu gjunjëzua z. Pacolli. Andaj si i tillë ky koalicion nuk ka lidhje me qytetarin, përkundrazi, është koalicion me "peshkatarët" që Prishtinën e konsiderojnë bazën shumë të përshtatshëm për peshkim”, ka thënë Zogaj.

Ai ka theksuar, se Shpendi ia vështirësoi vetes garën, sepse votuesve ua bëri me dije se, postin e të parit të komunës së Prishtinës e dëshiron me çdo kusht, që bie ndesh me atë që e ka proklamuar gjatë fushatës parazgjedhore.

“Pra, Shpendi hëngri karotën dhe tash i ka mbetur ta provojë edhe shkopin e votuesve, të cilët kanë arsye që të provojnë një variant ndryshe të qeverisjes së Komunës së Prishtinës, që po e proklamon mjaft bindshëm Arban Abrashi”. ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Bashkëpunim i hershëm Vetëvendosje-AKR

Image
Faik Krasniqi

Por politologu Faik Krasniqi mendon ndryshe. Ai duke folur rreth kësaj çështje ka thënë se edhe në mandatin e kaluar Vetëvendosje dhe AKR kanë pasur bashkëpunim në komunën e Prishtinës, dhe ky është vetëm ri konfigurim i bashkëpunimit të mëparshëm qeverisës në Prishtinë.

“Këtu nuk shoh asgjë të keqe të lidhjes së këtij koalicioni. Do të ishte e dëmshme sikur të lidhej koalicion pa një marrëveshje programore për Prishtinën. Lidhja e këtij koalicioni i garanton z.Shpend Ahmeti qeverisje stabile në Kuvend Komunal, gjë të cilën nuk e kishte në mandatin e kaluar dhe shumë projekte bllokoheshin nga partitë kryesore opozitare. Nuk mjafton vetëm një mandat për të realizuar gjitha planet e parapara, andaj kryetarit aktual të komunës së Prishtinës z.Ahmeti i duhet dhënë edhe një mundësi”, ka thënë politologu Krasniqi.

Sipas tij, ky mandat duhet të jetë shpërthyes i investimeve dhe realizimit të qindra projekteve nga z.Ahmeti nëse arrin ta rikonfirmohet prapë i pari i Prishtinës, sepse me AKR ka siguruar shumicën solide në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

“Çdo kandidat që shkon në balotazh nuk e ka të sigurt fitoren, edhe pse është favorit ndaj kundërshtarit të tij. Ato janë retorika boshe nga çdo parti se do të bëjnë koalicion me qytetarin, dhe në anën tjetër lidhin koalicione të fshehta me partitë e tjera dhe me asamblistët e tyre veç e veç. Kështu që koalicionet në mënyrë publike janë shumë më të ndershme. Para arritjes së këtij koalicioni me AKR, z.Ahmeti ka qenë në përparësi të lehtë kundrejt z. Abrashi, para të cilit ishte mbi 6 mijë vota para”, ka thënë Krasniqi.

Balotazhet gjithmonë kanë ditur t'i befasojnë edhe super favoritet

Ai konsideron, se me lidhjen e këtij koalicioni ka një komoditet pak më të madh, por prapë se prapë nuk e bën favorit absolut, sepse nga përvoja e së kaluarës balotazhet gjithmonë kanë ditur t'i befasojnë edhe super favoritet.

“Mbi të gjitha varet se kandidatët që janë në balotazh, sa arrijnë ta mbrojnë votën që e kanë fituar, dhe sa arrijnë të përfitojnë vota nga partneri i koalicionit me të cilin kanë lidhur marrëveshje dhe votat nga partitë e tjera, qoftë koalicion të hapur, qoftë koalicione të fshehta. Sidoqoftë, konsideroj se Prishtinën duhet ta fitojë edhe për një mandat z.Shpend Ahmeti, sepse është njeriu që i preu fijet e qeverisjes kriminale dhe korruptive në Komunën e Prishtinës”, është shprehur politologu Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat