“Armiqësia” Thaçi-Haradinaj, dhe loja me akuza për Demarkacionin

Politika

“Armiqësia” Thaçi-Haradinaj, dhe loja me akuza për Demarkacionin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 10 nëntor 2017 Në ora: 11:38
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Edhe pse Komisioni për Demarkacionin i emëruar nga qeveria aktuale është duke punuar për çështjen e demarkacionit, presidenti i vendit Hashim Thaçi ka thënë se është rrezik që të vihen në pikëpyetje ato që janë mbështetur nga SHBA, NATO dhe BE. Ai ka drejtuar kritika të ashpra, duke sulmuar këtë komision të themeluar nga kryeministrit Haradinaj.

Madje, ai ka thënë se po manipulojnë opinionin duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta.

Përmes një postimi të bërë në llogarinë e tij në Facebook, presidenti Thaçi ka thënë se duke zvarritur këtë çështje, po e mbajnë Kosovën të izoluar.

“Prandaj, është koha që institucionet tona shtetërore të tejkalojnë këtë situatë duke u sjellë në mënyrë të përgjegjshme. Nuk mund të vazhdohet në pafundësi që individë të caktuar, shtetin ta trajtojnë si pronë private. Institucionet e Republikës së Kosovës, të zgjedhura nga qytetarët e Kosovës, duhet të marrin vendim për këtë çështje në përputhje me obligimet dhe procedurat, pa u ndikuar nga individë të caktuar. Nuk mund të mbetemi peng të tekave të askujt dhe kauzave të rrejshme, të cilat jo vetëm që na mbajnë të izoluar, por rrezikojnë të prishin marrëdhëniet shtetërore me Malin e Zi, por mbi të gjitha, rrezikojnë të prishin bashkëpunimin dhe besimin që ka Kosova me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në”, ka shkruar Thaçi.

Lidhur me këto deklarata gazeta “Bota sot” ka kërkuar përgjigje nga Zyra për komunikim e kryeministrit, por që nuk janë përgjigjur ne pyetjet e gazetës.

Ndërsa analistët japin mendimet e tyre, në lidhje me kundërshtimet e presidentit dhe kryeministrit.

Image
Jeton Kelmendi

Një lojë ping pongu mes Thaçit e Haradinajt

Profesori Jeton Kelmendi thotë se këta po luajnë një lojë që nuk i bën aspak nder vendit.

“Ajo që kemi parë pra me deklaratat, duke u gjuajtur njëri me tjetrin, presidenti dhe kryeministri, njerëzit kryesorë të shtetit, mendoj se është një lojë ping pongu në mes të këtyre dyve që sigurisht nuk i bën nder vendit. Këta po tregojnë se sa e çrregullt është kasta politike, se sa e brishtë është funksionimi demokratik në këtë vend. Realisht, sipas informatave të mia, ky grupi i ri për demarkacionin, ka siguruar edhe dokumente shtesë që janë të padiskutueshme se demarkacioni është bërë në dëm të Kosovës”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sipas Kelmendit, presidenti po e bën këtë lojë që ta shpëtojë atë që ka bërë kur ka nënshkruar marrëveshjen për demarkacionin.

“Këtu kemi një lojë të dytë nga presidenti Thaçi i cili po tenton me çdo kusht ta shpëtojë veprën e tij të zezë që e ka bërë kundër shqiptarëve dhe se demarkacioni nuk është çështje politike por tragjikisht siç ka ndodhur është bërë politike, këto janë çështje kombëtare, janë çështje që i kalojnë përmasat e Kosovës, janë çështje që duhet të jenë mbarëkombëtare. Dhe këtu, një frikë në palcë e presidentit se mos po rritet pakënaqësia, ajo idema edhe e deputetëve, madje e kemi edhe çështjen e vizave që as ajo nuk i funksionoi ish qeverisë Mustafa, si vazhdues i asaj maskarade që bëri Thaçi si ministër i jashtëm dhe tani kemi si duket një këmbëngulje jo të madhe të Haradinajt, për ta çuar çështjen deri në fund”, ka vazhduar më tej profesori.

Ai jep një zgjidhje se si do të duhej të veprohej me demarkacionin, derisa thotë se Thaçi e Veseli mund ta shkarkojnë Haradinajn.

“Dhe kjo çështje do të duhej të funksiononte shumë thjeshtë: të gjeturat e komisionit do të duhet të ju dërgohen deputetëve në Kuvend, tu dërgohen dhe më pas të marrë votën dështuese në Kuvend, prandaj PDK, Thaçi dhe Veseli do t’i hakmerren keq Haradinajt, do ta shkarkojnë, nuk do ta lënë ta vazhdojë më gjatë postin e kryeministrit, por kjo është gjëja më e thjeshtë, e dërgon në Kuvend dhe vetëm opozita e djeshme, pra VV, AAK dhe Nisma edhe pse jam i sigurt që ka edhe nga partia e Thaçit që e votojnë kundër, por natyrisht edhe nga LDK që do të votojnë kundër demarkacionit. Nëse vazhdon kështu dhe demarkacioni nuk dështon ose nuk ratifikohet, do të kemi presione siç kemi pasur. Në momentin që do të dështojë, çdo gjë do të kthjellohet dhe do të fillojë nga fillimi”, ka theksuar Jeton Kelmendi për “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Armiqësia Thaçi-Haradinaj

Kurse, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Rexhep Shahu thotë se Thaçi si autor i mosrealizimit të gjërave në Kosovë, synon që ato t’ia faturojë Haradinajt.

“Thaçi gjithmonë ka dashur dhe do ta shesë budallallëkun e vet, të shesë marrëzitë e dëmet e veta. Por Thaçi është autori i çdo prapësie dhe mosrealizimi në Kosovë. Natyrisht që ai synon që faturat e mosrealizimeve t'ia faturojë Haradinajt. Sido të ndodhë, njerëzit e dinë por edhe Thaçi e din, por ai mendon se nëse e ha ndokush le ta hajë”, vlerëson Shahu.

Ai thotë se armiqësia mes Thaçit dhe Haradinaj ka ekzistuar dhe ekziston.

“Sa për armiqësi politike, ajo ka ekzistuar mes tyre dhe ekziston si prush nën hi.  Qeveria Haradianj mund të fajësohet për çfarë të duash por jo për dështimet e disa qeverive të Thaçit”, është shprehur analisti Shahu për gazetën “Bota sot”,

Image
Leon Duhanaj

Thaçi, si njeri i pushtetit

Në anën tjetër, analisti Leon Duhanaj mendon se presidenti nuk po mund t’i qëndrojë besnik postit të tij dhe po vazhdon deklaratat si njeri i pushtetit.

“Deklarata e Presidenti Thaçi, shkon në vazhdën e deklaratave të tij si njeri i pushtetit. Ai me gjasë e ka të vështirë t'i qëndrojë besnik punës në rolin e Presidentit. Posaçërisht kur kemi parasysh mungesën e aktivitetit ndërkombëtar, si pasojë e mungesës së ftesave nga homologë së ndryshëm. Në këtë aspekt, nuk qëndron më mirë gjerë më tani as Kryeministri Haradinaj. Sipas të gjitha gjasave, politika e jashtme e Kosovës, do bëhet vetëm në segmentin ballkanik. Pos kësaj, duhet pasur parasysh se Presidenti Thaçi është nënshkrues i marrëveshjes së demarkacionit dhe se është i bindur që marrëveshja ka qenë në rregull. Ndryshe s’po mund ta besoj që do ta nënshkruante”, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, komisioni tani duhet të tregojë rezultatet ose të heqë dorë dhe të lirojë qytetarët, ndërsa që sa i përket Haradinajt, ai thotë se premtimet për liberalizim po i shkojnë në emërime të zëvendësministrave dhe këshilltarëve.

“Tani presioni ka rënë mbi komisionin e ri dhe Kryeministrin Haradinaj. Ata duhet sa me parë të sjellin rezultate, të argumentojnë atë çfarë kanë proklamuar që sa kohë, ose të heqin dorë dhe t'i lirojnë qytetarët, të cilët po mbahen peng. Për qytetarët e Kosovës është me rëndësi jetike lëvizja e lirë. Këndej Haradinaj duhet t'i vlerësojë drejt zërat dhe të marrë hapa konkret drejt zgjidhjes së kësaj situate. Premtimet e shumta e sidomos ato rreth liberalizimit të vizave në tremujorin e parë, nëse nuk ndryshon qasje, po i shkojnë në emërimin e zv. ministrave dhe këshilltarëve”, ka përfunduar Leon Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, Haradinaj kishte premtuar liberalizim të vizave brenda tre muajve, por nga ekspertë të kësaj çëshje është vlerësuar e pamundur për një periudhë të tillë kohore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat