Abazi: Çështja e ushtrisë degradoi nga Thaçi, ja si duhet të veprohet për formimin e saj

Politika

Abazi: Çështja e ushtrisë degradoi nga Thaçi, ja si duhet të veprohet për formimin e saj

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 11 nëntor 2017 Në ora: 12:44
Haki Abazi

Debati për formimin e ushtrisë vazhdon ende, me zëra që kërkojnë formimin e saj dhe të tjerë që thonë se kjo merr kohë deri në disa vjet.

Fajtor për mosformimin e ushtrisë thuhet të jenë edhe Lista Serbe, pasi që nga fillimi kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë me këtë kundërshtim që FSK të shndërrohet në ushtri.

Për këtë çështje, njohësi i zhvillimeve aktuale në vend, Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se degradimi i formimit të ushtrisë ka ardhur nga presidenti Hashim Thaçi dhe është fuqizuar nga serbët.

“Çështja e ushtrisë dhe formimit të saj në bazë të ndryshimeve kushtetuese ka degraduar nga nisma e pallogaritur mirë nga presidenti Thaçi. Ky degradim ka fuqizuar faktorët kundër formimit të ushtrisë dhe kryesisht faktorin serb në Beograd. Ky proces gjithsesi duhet filluar ndryshe edhe në koordinim të afërt me NATO-n dhe shtetet përkrahëse të zbatimit të plotë të planit për shtetformim”, ka vlerësuar Abazi.

Ai ka treguar mënyrën se si duhet të veprohet më tutje që Kosova ta ketë ushtrinë e saj.

“Mendoj që ka hapësirë dhe shpresoj që Qeveria e Kosovës do të analizojë në detaje procesin dhe do të fillojë bashkëbisedimet dhe bashkërendimin me NATO-n dhe bashkëpunëtorët në rajon përfshirë edhe fqinjët për të dizajnuar procesin e krijimit të ushtrisë si garantues të paqes dhe sigurisë në rajon dhe kontribuese në misionet paqësore nëpër botë”, ka deklaruar Haki Abazi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat