Koalicionet lokale LDK- VV, a po shkojnë drejt koalicionit të madh?

Politika

Koalicionet lokale LDK- VV, a po shkojnë drejt koalicionit të madh?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 nëntor 2017 Në ora: 22:32
LDK- VV

Lidhja Demokratike e Kosovës në Kaçanik në zgjedhjet për balotazh që do të mbahen në këtë komunë do ta përkrahë Lëvizjen Vetëvendosje.

Përkrahja e LDK-së për VV-në dhe kandidatin e tyre, Basri Kodra, kundër PDK-së dhe kandidatit Besim Ilazi, është konfirmuar sot nga kryetari i degës së LDK-së, Selim Reka.

Reka tha se kanë mbajtur takim me kryetarët e nëndegëve dhe u vendos që Kodra të përkrahet pa kushte.

Kaçaniku nuk është komuna e vetme ku LDK dhe VV janë në bashkëpunim kundër PDK-së.

Klina është vendi tjetër që LDK-ja dhe VV-ja kanë vendosur ta përkrahin AAK-në, kundër PDK-së

Ky përafrim i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, parti këto opozitare në nivel qendror, nga analistët politikë parashihet si diçka pozitive dhe një mundësi që në të ardhmen këto dy parti të formojnë koalicion për zgjedhjet parlamentare.

Analisti Blerim Burjani, ka thënë për “Bota sot” se komuna e Prishtinës dhe disa veprimet e Vetëvendosjes, kanë bërë që LDK-ja të mos bëhet me VV-në.

Image
Blerim Burjani

Sipas Burjani, përafërimet LDK- VV, janë pozitive dhe në të ardhmen mundet që këto dy subjekte të garojnë bashkarisht në zgjedhjet paralemtare.

“Përafërimet LDK- VV,  duken pozitive, por rasti komunës së Prishtinës dhe disa veprime të këtij subjekti gjithnjë, e më shumë  kanë bërë jo valid LDK të hyjë me këtë subjekt në politik në koalicion. Përndryshe ky subjekt VV nuk dallon fare nga subjektet tjera, për ka mënyra e veprimit përveç kritikave të stërmodume dhe herë- herë shaka janë bërë në opinion çka po thonë, prandaj do të ishte pozitive që këto dy subjekte të hynë në koalicion për zgjedhje parlamentare për të cilat them nuk do të shkojë larg fare”, ka pohuar Burjani.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, pas zgjedhjeve parlametare të 11 qershorit kishin zhvilluar edhe disa takime në mes veti, për t’i diskutuar idetë dhe projektet e tyre pas “bllokadës” së krijuar nga koalicioni fitues i cili fillimisht nuk i kishin numrat për formimin e qeverisë, mirëpo nuk pajtoheshin në disa pika.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat