“Demarkacioni fundos Qeverinë Haradinaj”

Politika

“Demarkacioni fundos Qeverinë Haradinaj”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 12 nëntor 2017 Në ora: 13:22
Ramush Haradinaj

Tashmë ka nisur punën Komisioni i ri shtetëror për demarkacionin. Qysh në fillim, në të gjeturat e tij, ky komision ka konstatuar se shënjimi i kufirit ka qenë gabim.

Kryetari i Komisionit, Shpejtim Bulliqi në një intervistë për media, nuk ka dhënë detaje se për çfarë dëshmish bëhet fjalë, por ka deklaruar se kanë siguruar prova që dëshmojnë se përcaktimi i kufirit nga Komisioni i kaluar është bërë gabim, duke iu referuar edhe një vizite zyrtare që e kanë zhvilluar në Kroaci e Slloveni lidhur me këtë çështje.

I kontaktuar nga “Bota sot”, se cilat janë të gjeturat e reja e kur mund të prezantohen ato para qeverisë, Bulliqi nuk ka dashur të flasë, duke u arsyetuar se është i zënë me punë dhe nuk ka kohë.

Ndërkohë nga Qeveria, kanë thënë se ndonëse nga ky komision janë duke punuar, ende nuk kanë dorëzuar ndonjë raport zyrtar.

“Komisioni për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror është duke punuar dhe ende nuk e ka dorëzuar raportin zyrtar. Sapo të jetë prezantuar ky raport me gjetjet e Komisionit, i njëjti do të vlerësohet dhe analizohet”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për gazetën “Bota sot”.

Kryetari i këtij komisionit Shpejtim Bulliqi dhe anëtari Florim Isufi, kohë më parë kanë përmendur gabimet në shënjimin e kufirit, ndërsa tash si pjesë e këtij komisioni e ripërsëritur deklaratën e tyre. Megjithatë ende nuk kanë prezantuar ndonjë argument rreth këtyre deklaratave.

Gecaj: Bulliqi e Isufi të paraqesin fakte, jo zhurmë

Image
Bajram Gecaj

Ish-kështilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, ka thënë se Bulliqi e Isufi për dy vite me radhë kanë dalë me deklarata të ngjashme, por nuk kanë paraqitur fakte.

“Individët pjesëmarrës në këtë komision këtë e kanë pohuar tani e mbi dy vite radhazi, edhe pse asnjëherë nuk kanë paraqitura fakte të pakontestueshme. Duhet të presim se çfarë nxjerrin në fund, edhe pse unë besoj se janë duke e bërë atë që e kanë bërë në vazhdimësi, pra duke bërë zhurmë pa asnjë fakt shkencor, ose më mirë me thënë këto janë vetëm vazhdimësi i broçkullave të tyre”, ka vlerësuar Gecaj.

Haziri: Haradinaj për ambiciet e tij politike po izolon qytetarët e Kosovës

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri i ka quajtur këto deklarata të rrejshme dhe që shërbejnë vetëm për konsum të brendshëm.

Image
Nexhat Haziri

“Kujtoj se puna rreth çështjes së demarkacionit, sikur iu është bërë gur rreth qafës së kësaj qeverie, proces ky që edhe do ta fundos qeverinë Haradinaj. Nuk ka asgjë nga të gjeturat e këtij komisioni, thjeshtë janë deklarata për konsum të brendshëm politik që i duhet qeverisë dhe kryeministrit Haradinaj, dhe më këto veprime dhe deklarata për gjoja gjetje të reja, po mundohet të blejë kohë. Është i kuptueshëm tani pozicioni në të cilin është gjendur kryeministri Haradinaj, pozicion ky aspak i lakmuar për shkak të presioneve që janë nga të gjitha anët, qoftë edhe nga partneri i tij në qeverinë e Kosovës, pra PDK-ja, qoftë nga presidenti i vendit dhe presionet e miqve ndërkombëtar siç janë SHBA-të dhe vendet anëtare të NATO-s, për ratifikimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ashtu siç e ka paraparë edhe marrëveshja e nënshkruar në mes Kosovës dhe Malit të Zi”, ka thënë Haziri.

Ai më tutje ka thënë se Haradinaj për ambicie të tij politike, nuk duhet të izolojë qytetarët e Kosovës.

“Mos ratifikimi i kësaj marrëveshje edhe nga pala e Kosovës, ka bërë që të shtyhet edhe liberalizimi i i vizave që do t’ua mundësonin qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë nëpër shtet e BE-së. Është koha e fundit që edhe Haradinaj ta kuptojë se për teke dhe ambicie të tij politike, nuk mund ta mbajë peng një proces që është mjaft i rëndësishëm për Kosovën, siç po flasim tani për demrkacionin me Malin e Zi, dhe po ashtu për këto teke dhe ambicie, nuk ka të drejtë t’i mbajë të izoluar qytetarët e Kosovës. Haradinaj, po ashtu duhet ta kuptojë se me kauza të rrjeshme edhe mund të vish në pushtet, por kjo nuk garanton as qeveri funksionale e as efektive”, ka vlerësuar analisti Nexhat Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat