PDK rrit presionin ndaj Haradinajt për Demarkacionin

Politika

PDK rrit presionin ndaj Haradinajt për Demarkacionin

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 13 nëntor 2017 Në ora: 09:04
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Mosratifikimi në Kuvend i Demarkacionit me Malin e Zi, ishte njëra ndër arsyet, që sipas PDK-së, kishte ndikuar që ajo ta përkrahë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Mustafa, mocion ky i nisur nga opozita.

Por, të njëjtin fat mund ta ketë edhe qeveria aktuale, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Tashmë, kryeministri të vetmen zgjidhje e sheh dërgimin e saj në Gjykatën e Arbitrazhit, pasi Mali i Zi haptas ka theksuar se kjo marrëveshje nuk do të rinegociohet. Por, në qeverinë e Kosovës kanë filluar të japin deklarata të ndrysmë sa i përket Demarkacionit. Ishte zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ai i cili doli haptas me deklaratë kundërthënëse me Haradinajn. Pacolli deklaroi se marrëveshja me Malin e Zi, nuk do të rinegociohet dhe se kjo është një çështje e mbyllur.

“Unë e kam vizituar Malin e Zi dhe qëndrimi i Malit të Zi ndaj Kosovës mbetet i pa luhatur. Konsiderohet si vend strategjik, me të cilën Mali i Zi duhet të zhvillojë gjithmonë marrëdhënie të mira dhe Kosova konsideron se duhet të ketë marrëdhënie të mira me një vend, i cili pa asnjë hezitim e njeh Republikën e Kosovës dhe punon në të mirën e saj. Unë vizitova Malin e Zi, kam pasur takim me të gjithë, praktikisht, dhe aty ku kam qenë kam dëgjuar se demarkacioni është një gjë dhe nuk duhet assesi ajo të ndërhyjë ajo në marrëdhëniet e mira që ka Kosova me Malin e Zi. Mirëpo, demarkacioni për Malin e  Zi është një çështje e mbyllur. Është një marrëveshje, e cila është nënshkruar dhe është ratifikuar në Parlamentin e Malit të Zi, është përmbyllur dhe kjo çështje praktikisht është punë e kryer për ta”, deklaroi ditë më parë Pacoll, gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

Por, a mund ta ketë të njëjtin fat sikur Qeveria Mustafa edhe Qeveria Haradinaj, a ka gjasa që Demarkacioni ta rrëzojë Qeverinë?

Image
Arbër Vllahiu

Nga AAK nuk kanë pranuar që të flasin për këtë. Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj ka sugjeruar që të kontaktojmë zëdhënësin e Qeverisë, Arbër Vllahiun apo Halil Matoshin, shef i zyrës për komunikim në Qeveri.

Këta të fundit thonë, se janë në pritje të gjetjeve të komisionit të ri për Demarkacion.

“Një Komision i ri për Shenjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror është emëruar nga Qeveria e Kosovës dhe pritet që i njëjti të prezantojë gjetjet e tij për demarkacionin me Malin e Zi. Zgjidhjet do të kërkohen pasi të jetë prezantuar raporti nga Komisioni i cili do të analizohet dhe do të vlerësohet”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë dhënë për gazetën “Bota sot”.

Zgjedhje të reja

Ndërsa, analistët politikë thonë se Demarkacioni është njëra ndër arsyet kryesore që kjo qeveri mund të shkojë drejt dorëheqjes.

“Demarkacioni është sigurisht arsyeja kryesore pse qeveria Haradinaj ka shumë mundësi të shtyhet në dorëheqje. Presidenti i Kosovës i kë kërkuar Haradinajt ta përmbyllë shpejt këtë proces. Ky është dhe një paralajmërim për kryeministrin. Por, në rast se marrëveshja për demarkacionin nuk do të kalojë deri nga shkurt-marsi i vitit ardhshëm në parlament,, duket se nuk do të ketë zgjidhje tjetër, përveç rrëzimit të qeverisë dhe shkuarjes përsëri në zgjedhje të reja”, thekson profesori universitar, Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, rreziku më i madh qeverisë i vije nga ndërtimi i koalicionit dhe qëndrimi armiqësor i Beogradit si dhe fraksionit serb në parlamentin e Kosovës.

“Qeveria e Haradinajt kërcënohet nga disa rreziqe. Rreziku më i madh asaj i vjen nga ndërtimi i koalicionit dhe qëndrimi armiqësor i Beogradit si dhe fraksionit serb në parlamentin e Kosovës. Më pas, ky rrezik vjen prej partive aleate në koalicion, të cilat një ditë nuk do ta durojnë faktin që qeverinë ta drejtojë një politikan partia e të cilit është në vendin e katërt në rendin e shumës së votave që ka marrë”, është shprehur Bytyçi.

Bytyçi ka shtuar se deklarata e fundit e Pacollit është presion publik ndaj Haradinajt.

“Ministri i Jashtëm e as zv. kryeministri nuk mund t’i bëjnë karshillëk kryeministrit, sa kohë që vazhdon të kryejë detyrën në atë qeveri. Vetëm nëse jep dorëheqjen, mund të shpallë në publik qëndrimet e tij personale. Deklarata e Pacollit është sjellje jo etike. Ai i ka të gjitha mundësitë të bisedojë direkt me shefin e tij për këtë çështje dhe jo të bëjë presion publik ndaj tij”, ka përfunduar Bytyçi.

Qeveri e mashtrimit e blerjeve të posteve ministrore

Image
Gazmend Islami

Kurse, Gazmend Islami, njohës i zhvillimeve politike dhe kryetar i Ballit Kombëtar Demokrat në Kosovë, ka thënë se demarkacioni do të jetë një “mollë sherri”.

“Çështja e demarkacionit po del të jetë një mollë sherri, jo vetëm pse malazezët nuk janë të disponuar për rishikim të marrëveshjes, por ata edhe njëherë e dëshmuan këto ditë që nuk janë të interesuar dhe nuk do të pranojnë që çështja të shkoj as në arbitrazh. Nëse vërtet kështu ndodh, nuk ka burrështetas që nuk do të jepte dorëheqje, për shkak të qëndrimeve që ka pasur Haradianj para ardhjes në pushtet por edhe pas ardhjes”, ka theksuar Islami.

Sipas tij, kjo qeveri është e ndërtuar mbi bazën e  mashtrimeve dhe posteve të blera.

“Mendoj se Qeveria Haradinaj nuk do të jetë gjatë, sepse vetë ndërtimi i saj është një mashtrim qeveri, me poste të blera e një qeveri që determinon jetën tonë politike nga pakica serbe, tregon se sa më shpejt të ik aq më mirë për Kosovën. Mendoj se ai pas gjithë kësaj që ka bërë dhe premtimin që ka dhënë ai për demarkacionin, ai do të dorëhiqet”, ka përfunduar Islami.

PDK rrit presionin

Po ashtu, së fundi edhe partneri në koalicion, PDK ka shtuar presionin ndaj Haradinajt. PDK ka kërkuar zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij problemi.

“Është kërkuar sërish që çështja e demarkimit me Malin e Zi të zgjidhet dhe që institucionet të marrin masa. Kjo punë duhet të rregullohet, duhet që tema e Demarkacionit të mos jetë më temë e klasës politike, duhet të përfundohet, e kemi dhënë qëndrimin tonë si PDK, dhe përkundër faktit që kemi një koalicion të ri me Haradinajn. Ne në kuadër të komisionit të integrimeve e kemi ftuar Shpejtim Bulliqin. Bulliqi do të vijë në komision për integrime dhe të na bëjë të qartë nëse ka argument të reja. Nëse një komision arrijnë që të sjellë fakte dhe argumente, ne do të jemi aty dhe do ta mirëpresim, do të shohim nëse Bulliqi do të arrijë të ketë argument të reja në lidhje me marrëveshjen”, ka thënë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra në njërtën nga intervistat televizive.

Sipas saj, Kosova është vonuar shumë në këtë drejtim dhe se duhet të ketë vullnet politik që t’i hapet rrugë këtij procesi.

“Jemi vonuar shumë në këtë drejtim, s’është interes i klasës politike që demarkimi të jetë njëra prej top-temave që po trajtohet vazhdimit në Kosovës. Në radhë të parë duhet të ketë vullnet politik që t’i hapin rrugë këtij procesi, deputetët besoj se kësaj herë do të reflektojnë seriozisht. Kosova është një prej vendeve të pakta që ende s’ka liri të lëvizjes. Kjo është një e padrejtë që po i bëhet Kosovës, ne krahas vullnetit tonë do t’i marrim masat që kjo çështje të jetë e mbyllur dhe që qytetarët të kenë liri të lëvizjes si një e drejtë fundamentale të të drejtave të njeriut”, ka përfunduar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat