“Kujdes se po e vrani veten”, lidhjet e Veselit dhe kërkesa e Vetëvendosjes për rastin Dehari

Politika

“Kujdes se po e vrani veten”, lidhjet e Veselit dhe kërkesa e Vetëvendosjes për rastin Dehari

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 nëntor 2017 Në ora: 11:20
Kadri Veseli, Astrit Dehari

Ka kaluar një vit që nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari dhe rrethanat e vdekjes së tij vazhdojnë të jenë të dyshimta për familjarët dhe për partinë të cilën ai i përkiste.

Marsh protestues për vdekjen e Astrit Deharit është mbajtur javën e kaluar, në përvjetorin e tij dhe kreu i Vetëvendosjes  i ka dhënë tre muaj kohë qeverisë për përmbushjen e kërkesave të tyre.

Në mesin e kërkesave ishte edhe shkarkimi nga pozita e zyrtarëve si ish ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, drejtorit të Policisë Shpend Maxhuni, komandant i policisë rajonale në Prizren Nexhmi Krasniqit dhe  Fatos Makollit.

Kurse, pas ndarjes së fondit prej 50.000 mijë euro për ekspertizën e re për rastin e Astrit Deharit, familja ka dërguar bërë kërkesë që të angazhohet një institut zviceran për zbardhjen e vdekjes së djalit të tyre.

Kryeministri Haradinaj ka premtuar se rasti i Astritit pas një kohe të shkurtë do të zëvendësohet me veprime konkrete.

Në një takim me prindërit e Astrit Deharit, Haradinaj është shprehur i interesuar për zbardhjen e këtij rasti.

“Në takimin me prindërit e Astrit dhe Arbnor Deharit, Xhemile dhe Avni Dehari, bashkëbiseduam për koordinimin e veprimeve të mëtutjeshme për zgjidhjen e çdo paqartësie rreth rastit tragjik të Astrit Deharit. Premtimi im për ndriçimin e rastit të Astritit, pas një kohë të shkurtër do të zëvendësohet me veprime konkrete, gjithnjë në konsultim me familjen Dehari”, ka shkruar Haradinaj pas takimit me prindërit e Astrit Deharit.

Qeveria hesht

“Bota sot” ka kontaktuar qeverinë për t’i pyetur  kur do ta realizojnë kërkesën e familjes Dehari dhe cilat do të jenë veprimet e mëtutjeshme, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Gjersa, qeveria nuk përgjigjet për hapat për rastin e vdekjes së aktivistit Astrit Deharit, avokati i familjes Dehari ka thënë për “Bota sot” se edhe ata janë në pritje të përgjigjes.

“Javën e kaluar kemi pasur takimin në mes të Kryeministrit dhe familjes së Astrit Deharit. Ne kemi diskutuar për procedurat e ardhshme që do të ndërmerren për angazhimin e institutit zviceran të mjekësisë ligjore, kjo është kërkesa e familjes Dehari dhe tash jemi në pritje të Kryeministrit, apo zyrës së tij për angazhimin e këtij institutit”, ka deklaruar Tomë Gashi, avokat i familjes Dehari.

Image
Tomë Gashi

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar publikisht sqarime kryeparlametarit Kadri Veseli për rastin e Astrit Deharit.

Bëhet fjalë për fjalët: “Kujdes se po e vrani veten”, që kreu i Kuvendit ia kishte drejtuar deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në fjalimin e mbajtur  në marshin protestues në kërkim të drejtësisë për Astrit Deharin, ka thënë se Veseli duhet të tregojë se çfarë deshi të thonte me atë deklaratë.

“Kryeprokurori i prokurorisë në rajonin e Prizrenit, Sylë Hoxha, pati thënë se Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje. Paraprakisht kryetari i Kuvendit Veseli pati thënë se po e vrani veten: ‘Kujdes se po e vrani veten’. Ky duhet të tregoj se për çfarë e kishte fjalën”, ka thënë Kurti.

Pak shpresë te Qeveria

Të pyetur më shumë rreth kësaj kërkese drejtuar Veselit, Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë për “Bota sot” se kërkesa e tyre nuk është plotësuar dhe nuk besojnë se do të ndërmarrë ndonjë gjë kryeparlamentari.

Image
Mytaher Haskuka

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, ka thënë për “Bota sot” se sa i përket kërkesës drejtuar Kadri Veselit, nuk beson që do të ndërmerr ndonjë gjë dhe këtë duhet ta bëjë qeverisja aktuale.

“Kërkesa jonë për sqarimin e Kadri Veselit në kontakt të parë ka qenë që nga dita e parë dhe nuk është plotësuar dhe nuk besoj që do të ndërmerr diçka Kadri Veseli në këtë drejtim. Dhe,  këtë duhet ta bëjë qeveria aktuale, pra Haradinaj, edhe pse kam pak shpresë se do të ndërmarrin ndonjë gjë”, ka pohuar Haskuka.

Lidhjet e Veselit

Ndërkaq, analistët politikë duke komentuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë thënë për “Bota sot” se e kaluara e Kadri Veselit dhe lidhjet e tij, kanë bërë që ata të kërkojnë informacione shtesë.

Analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot” se pas deklaratës  së Veselit ndaj VV-në në kuvend, është e natyrshme që kjo e fundit t’i kërkojë sqarim atij.

Image
Faton Mehmeti

Sipas Mehmetit, nuk është për habi nëse rezultohet që njerëzit e Veselit e kanë orkestruar gjithë ngjarjen e Astrit Deharit.

“Diku e ditur të kaluarën e Kadri Veselit dhe lidhjet që ai ende vazhdon t’i mbajë me shërbimet sekrete, është krejt e natyrshme që të kërkohen informacione shtesë për ngjarje të dyshimta të vdekjeve të aktivistëve të partive rivale.  Në veçanti deklaratat e tij ndaj VV-së në kuvend se "do e vrisni veten" e që pasojë me (vetë)vrasjen e Astrit Deharit, lë shumë për të dëshiruar në implikimin e tij të mundshëm  në këtë rast. Prandaj, është krejt e natyrshme që Vetëvendosja të kërkojë sqarim nga Kadri Veseli. Dhe, nuk është për t’u habitur nëse del se njerëzit e Kadriut e kane orkestruar gjithë këtë ngjarje, pasi të tillë janë ata që veç këso punë dijnë të bëjnë, të vrasin njerëz dhe të humbasin gjurmë. Hija e Astriti do e ndjekë Kadriun gjithmonë, derisa e vërteta të del në shesh”, ka theksuar Mehmeti.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016,  në burgun e Prizrenit dhe rrethanat e vdekjes së tij vazhdojnë të jenë të pasqaruara mirë.

Dehari po mbahej aty si i dyshuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në gusht të vitit 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat