“Vendi nuk mund të jetë peng i kësaj klase politike, të ratifikohet demarkacioni”

Politika

“Vendi nuk mund të jetë peng i kësaj klase politike, të ratifikohet demarkacioni”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 14 nëntor 2017 Në ora: 21:54
Ilustrim

Gjatë ditës së djeshme, Komisioni për Demarkacionin me Malin e Zi, i kryesuar nga Shpejtim Bulliqi raportoi para Komisionit për Integrime Evropiane, ku kritikoi punën e Komisionit të kaluar dhe tha se deri në fund të vitit do të dalë raporti final për demarkacionin.

Ndërsa sot ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, ku është ndarë e zhgënjyer nga raportimi i djeshëm i komisionit të ri për kufirin para komisionit të Kuvendit për Integrime Evropiane.

Sipas ambasadës së SHBA-së në Kosovë, pohimet e këtij komisioni janë të pabazuara, çorientuese, dhe të gabueshme.

“Marrëveshja ekzistuese pasqyron një proces të saktë të përcaktimit të kufirit, të konfirmuar nga komisioni shtetëror i Kosovës dhe ekspertë të shumtë të njohur ndërkombëtarisht. Në vitin 2015 Departamenti i Shtetit konfirmoi se marrëveshja origjinale saktësisht pasqyronte vijën kufitare që ka ekzistuar mes Kosovës dhe Malit të Zi që nga viti 1974. Që nga atëherë nuk kanë dalë fakte që do ta vënin në dyshim atë vendim. Vënia në dyshim e marrëveshjes dhe zvarritja e procesit të ratifikimit kërcënojnë marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj dhe me BE-në, dhe e lënë Kosovën dhe qytetarët e saj të izoluar”,  thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHHBA-së

Sipas, ambasadës së SHBA-së, politikanët e Kosovës duhet të kalojnë interesat personale dhe se marrëveshja aktuale e demarkacionit të ratifikohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Lidhur me gjithë këtë, analisti politik Faik Krasniqi tregon si duhet të veprohet nëse ka të gjetura të reja lidhur me demarkacionin.

Image
Faik Krasniqi

“Nëse ka të gjetura lidhur me demarkimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, atëherë Malit të Zi duhet t'i kërkohet rinegocim për t'i përmirësuar gabimet e bëra të Komisioneve të mëhershme. Por nëse ato të ''gjetura'' nuk janë me fakte të gjalla juridike, atëherë deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta ratifikojnë sa më parë, në mënyrë që qytetarët e Kosovës ta fitojnë lëvizjen e lirë në shtetet e Bashkimit Evropian”, është shprehur ai për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se miqtë ndërkombëtarë janë zhgënjyer dhe me të drejtë, andaj duhet të vazhdohet pasi vendi nuk mund të jetë peng i kësaj klase politike.

“Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht janë duke bërë thirrje që sa më shpejt ta ratifikojnë Demarkacionin, në të kundërtën s'do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Jo vetëm ambasada e SHBA-së, por këtë gjë e kanë përsëritur me dhjetëra herë edhe zyrtarët më të lartë të shtetit amerikan. Dhe me të drejtë janë të zhgënjyer edhe miqtë amerikanë. Prandaj Qeveria dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, duhet t'i japin një epilog sa më të shpejt kësaj çështje, sepse vendi dhe qytetarët e Kosovës nuk mund të ngelin akoma peng i kësaj klase politike”, ka deklaruar Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat