Frikësimi, blerja dhe vrasja, sa janë të rrezikuar dëshmitarët e Speciales?

Politika

Frikësimi, blerja dhe vrasja, sa janë të rrezikuar dëshmitarët e Speciales?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 15 nëntor 2017 Në ora: 12:03
Gjykata Speciale

Në shumë procese gjyqësore në Kosovë  drejtësia nuk ka shkuar vend për shkak të pa sigurisë së dëshmitarëve, pasi që ka ndodhur që këta të fundit të kërcënohen, të shantazhohen, e shumë herë ka ardhur edhe deri te më e keqja,  vrasja e tyre. Por, a do të ndodh një gjë e tillë edhe me dëshmitarët eventualë e Gjykatës Speciale?! Sa janë të rrezikuar ata? Cilat janë masat që janë ndërmarrë për mbrojtjen e tyre? Lidhur me këtë, gazeta “Bota sot” ka kërkuar më shumë informacione rreth kësaj çështje.

Në një përgjigjie për gazetën “Bota sot”, nga Gjykata Speciale kanë thënë se në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar parashihet mbrojtja e viktimave dhe të dëshmitarëve në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë penale ndërkombëtare.

“Për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve është ngritur një zyrë e posaçme për t’iu dhënë ndihmën e përshtatshme dëshmitarëve që mund të jenë të rrezikuar për shkak të dëshmisë së tyre, madje edhe personave që mund të jenë të rrezikuar prej dëshmisë së dhënë nga dëshmitarët. Ndër masat për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve përfshihen masa dhe marrëveshje sigurie që parashikohen në legjislacionin e Kosovës, mbajtja e seancave gjyqësore në kamera me dyer të mbyllura ose private, dhënia e dëshmisë nëpërmjet mjeteve elektronike ose mjeteve të tjera të posaçme dhe mbrojtja e identitetit”, ”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykate.

Ndërsa, sa e përket masave mbrojtëse në përgjigje thuhet se do të trajtohen me hollësi në nenin 23 të Ligjit dhe gjithashtu në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave

“Gjithashtu, në Ligj kërkohet shprehimisht që Dhomat e Specializuara të Kosovës të garantojnë mbrojtjen e dëshmitarëve të cenueshëm, ndër të cilët viktimat e dhunës seksuale dhe gjinore dhe fëmijët. Ndër masat mbrojtëse gjyqësore që urdhërojnë gjykatësit janë caktimi i pseudonimeve, ndryshimi i pamjes dhe i zërit, nxjerrja e vonuar e të dhënave identifikuese, dhënia e dëshmisë nëpërmjet videokonferencës dhe të tjera. Kjo temë trajtohet me hollësi në nenin 23 të Ligjit dhe gjithashtu në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

EULEX dhe Policia e Kosovës të paaftë për mbrojtjen e dëshmitarëve

Image
Lirim Zorra

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Lirim Zorra ka thënë se siguria e dëshmitarëve ka qenë sfida e kryesore  dhe se institucionet e sigurisë nuk mund të ofrojnë mbrojtje në vend.

“Sfida  kryesore e mbas luftës për shumë raste gjyqësore ishte dhe është mbrojtja e dëshmitareve të cilët janë kërcënuar personalisht ose familjaret e tyre janë shantazhuar ose kidnapuar e deri të vrasjet e tyre, andaj  edhe EULEX edhe  Policia e Kosovës  nuk mund t’ju ofrojnë mbrojtjen e tyre në Kosovë  si për shkak të territorit të vogël dhe pamundësisë së ndërrimit të identitetit apo edhe elementeve të tjera trupore”, ka thënë Zorra.

Sipas tij,  kjo Gjykatë  mund të jetë e fundit e cila merret me këto raste andaj edhe mbrojtja e dëshmitarëve padyshim është në majën e kërkesave të kryeprokurorit për të pasur sukses dhe që drejtësia të shkojë në zbardhjen e këtyre krimeve

“Besoj që EULEX i cili ka bërë hetime për Gjykatën Speciale një  pikë të rëndësishme e ka pasur edhe identifikimin e dëshmitarëve dhe  nxjerrjen e tyre jashtë Kosovës ku shtetet e ndryshme evropiane apo më gjerë iu sigurojnë jetesën dhe mbrojtjen reale këtyre dëshmitarëve andaj besoj se kësaj radhe ka më shumë sukses të kjo pikë sepse kjo Gjykatë mund të jetë e fundit për krimet të cilat janë bërë në periudhën 1999 e tutje andaj edhe kjo Gjykatë mund të jetë e fundit e cila merret me këto raste andaj edhe mbrojtja e dëshmitarëve padyshim është në majën e kërkesave të kryeprokurorit për të pasur sukses si gjykatë dhe që drejtësia të shkojë në zbardhjen e këtyre krimeve”, ka deklaruar Zorra.

Dështimi i UNIMIK-u, EULEX-it dhe Hagës

Image
Adrian Gjoshi

Kurse, avokati Adrian Gjoshi ka thënë për gazetën “Bota sot” se nga Gjykata Speciale duke parë ndjeshmërinë dhe rëndësinë e dëshmitarëve është krijuar një zyrë e posaçme për mbrojtjen e këtyre të fundit.

“Duke e parë ndjeshmërinë dhe rëndësinë e dëshmive të dëshmitarëve, në kuadër të Zyrës Administrative të Dhomave të Specializuara është krijuar një zyrë e posaçme - Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve - e cila parasheh mbrojtjen e dëshmitarëve përfshirë sigurinë, mirëqenien fizike dhe psikologjike, dinjitetin dhe privatësinë e tyre, zhvillimin e procedurave me dyer të mbyllura, paraqitjen e provave me mjete elektronike ose mjete të tjera të veçanta, dhe mbrojtjen e identitetit të tyre”, ka deklaruar Gjoshi për “Bota sot”.

Sipas avokatit Gjoshi, kjo ka ardhur për shkak se janë kritikuar UNIMIK-u, EULEX-i dhe Haga të cilët nuk i kanë dhënë mbrojtje efektive dëshmitarëve.

Ai ka shtuar se mbetet të shihen në të ardhmen se a do të mund të mbrohen dëshmitarët.

“Duket se e gjithë kjo parashikueshmëri normative ka ardhur si rezultat i asaj se, UNIMIK-u, EULEX-i dhe Haga janë kritikuar ashpër se nuk i kishin ofruar mbrojtje efektive dëshmitarëve. Mbetet të shihet se sa do të mund të mbrohen dhe përkrahen në praktikë. Dëshmitarët janë alfa dhe omega e procedurës penale që do të zhvillohet nga Gjykata Speciale”, ka përfunduar Gjoshi për “Bota sot”.

Dëshmitarët të strehuar në vendet evropiane

Image
Hajrullah Tërnava

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava ka thënë se sipas të dhënave dhe deklarimeve të ndryshme, disa dëshmitarë të cilët ishin të rrezikuar tani iu kanë dhanë strehim në shtetet Evropiane dhe ata janë të siguruar, ndërsa në Kosovë nuk ka siguri për ata dëshmitarë.

“Edhe pak kohë po pritet që të ngritën aktakuzat për të akuzuarit nga Gjyqi Special, e te cilin gjyq e ka miratuar edhe Parlamenti i Kosovës, me nomenklaturën e partive bash të atyre që pritën që të ngritën akuzat ndaj tyre. Te akuzuarit pritën të jenë nga Kosova për veprat e kryera gjatë luftës dhe pas saj. Në këtë kontest ka disa dëshmitarë që vetë janë paraqitur të dëshmojnë për të parat sa kanë qenë prezent, apo si dëshmitarë të rastit të veprave të ndryshme që janë ndodhe në ato momente, apo disa tjerë që kur janë krye ato vepra kanë qenë të pranishëm dhe duhen me e dëshmuar të vërtetën që janë të detyruar sipas ligjit. Një numër i dëshmitarëve sipas të dhënave edhe nuk ekzistojnë ma sepse kanë vdekur në rrethana të ndryshme jo të shpjeguara, si në ato të komunikacionit apo tjera si të vrarë. Tani sipas të dhënave  dhe deklarimeve të ndryshme,  disa dëshmitarë të cilët ishin të rrezikuar tani iu kanë dhanë strehim në shtetet Evropiane dhe ata janë të siguruar. Në Kosovë nuk ka siguri për ata dëshmitarë”, ka theksuar Tërnava.

Ai ka shtuar se në kushtet normale dëshmitarët që duhen të dëshmojnë në Gjykatën Speciale në Hagë, ishte dashur të kenë sigurinë nga policia e Kosovës. 

“Prandaj e shpjegova në mungesë të sigurisë së tyre disa kanë vdekur në mënyra të ndryshme e mas shumti në komunikacion. Në kushtet normale dëshmitarët që duhen të dëshmojnë ne Gjyqin Special në Hagë,  ishte dashur të kenë sigurinë nga policia e Kosovës,  dhe në mënyrë permanente asesi ata nuk ishte dashur të jenë të vetëm. Me ketë sigurim do të ju garantojke e drejta e dëshmisë të dëshmitarëve potencial në këtë gjyq, dhe me këtë sigurim të dëshmitarëve, Kosovës do ju rritke rejtingu si shtet juridik me të drejta të plota të qytetarëve të sajë, në të kundërtën me këtë çka ka ndodhe deri më tani, e kemi treguar se jemi larg shteteformimit dhe civilizimit tonë.”, ka përfunduar Tërnava për “Bota sot”.

Ndërsa, Prokurori i Gjykatës Speciale, David Schwendiman është zotuar të martën se do të bëjë gjithçka që është e mundshme që të mbrojë dëshmitarët.

“Do të bëjmë gjithçka është e mundur që të provojmë dhe t’u japim atyre rehatinë dhe mbrojtjen që u nevojitet për të marrë pjesë”, ka thënë gjatë ditës së marte Prokurori i Gjykatës Speciale, David Schwendiman.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat