Pasojat e përfshirjes se Listës Serbe në Qeveri

Politika

Pasojat e përfshirjes se Listës Serbe në Qeveri

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 15 nëntor 2017 Në ora: 16:02
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Slavko Simiq

Deklarata e deputetit Igor Simiq se Lista Serbe do të jetë pjesë e ekipit të Beogradit në dialogun që do të vazhdojë në Bruksel, është përcjellë me reagime të ashpra nga ligjvënësit në Kosovë si dhe nga analistë të ndryshëm. Sipas këtyre të fundit, një deklaratë e tillë e një deputeti të Kuvendit të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim të thellë me parimet e rregullimit shtetëror të vendit.

Faton Abdullahu, ish-zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk ështe e çuditshme ajo çka është dëgjuar nga Simiq, për shkak se sipas tij, Qeveria ka involvuar dhe institucionalizuar Beogradin në Kosovë.

Abdullahu ka theksuar se Qeveria Haradinaj nuk mund të mbijetojë pa Listën serbe.

Image
Faton Abdullahu

“Për shkak se koalicioni qeverisës aktual, ka vendosur raporte përbrenda qeveritare të pa zakonshme me Listën Serbe, me çka involvimin klandestin të Beogradit zyrtar e ka institucionalizuar, duke i krijuar hapësirë të gjerë veprimi, nuk është aspak e çuditshme kjo që kemi dëgjuar nga deputeti i Listës Serbe, Simiq. Kjo qasje e kësaj Liste tregon se sa janë trimëruar ata dhe se çka ua merr mendja se mund të aspirojnë. Në anën tjetër është brengosëse se, djallëzia e tyre e gatuar në Beograd kundër nesh, nuk do të mund të kundërshtohet nga kjo qeveri, as parimisht as ligjërisht, sepse ajo nuk i ka numrat, apo thënë ndryshe, numrat që i ka siguruar mu me këtë Listë, prandaj nuk mund të mbijetojë ndryshe, por vetëm duke thyer parimet, për fat të keq në dëm të interesave nacionale të Kosovës. Kjo është brengosëse”, ka thënë Abdullahu.

Sipas tij, nuk do të ishim çuditur nëse kjo listë do të ishte përkrahësja më e madhe e kësaj Qeverie.

“Kjo është e thjeshtë për t’u kuptuar, sepse qeveria aktuale është mundësia më e madhe e kësaj Liste që nga paslufta, për t'i institucionalizuar politikat e Beogradit në Kosovë. Dua të besoj se opozita aktuale është e vetëdijshme për këtë dhe pas balotazheve, ajo do të ngritët në nivel të detyrës së saj për të qenë sa fleksibile dhe bashkëpunuese, aq edhe guximshme dhe kreative, të cilën deri më tani nuk po e kryen as për së afërmi në raport me të keqen që po i kanoset Kosovës”, ka përfunduar Abdullahu për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat