“Kisha Ortodokse Serbe, armikja kryesore e shqiptarëve”

Politika

“Kisha Ortodokse Serbe, armikja kryesore e shqiptarëve”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 nëntor 2017 Në ora: 16:54
Kisha Ortodokse Serbe në Kampusin e Universitetit të Prishtinës

Ndonëse Gjykata e shkallës së dytë i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, megjithatë si pasojë të mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq për pronësinë e tokës në kampusin e UP-së, kjo tokë ka mbetur në pronësi të Kishës Ortodokse.

Toka rreth 4 hektarë në të cilën gjendet Kisha Ortodokse Serbe në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, do t’i takojë Kishës Ortodokse ‘Sveti Nikolla’.Gjykata e Apelit në Prishtinë ka marrë vendim që ta hedhë poshtë si të pabazuar ankesën e Universitetit të Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’, lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta konsideruar të tërhequr padinë e UP-së për pronësinë e tokës ku gjendet kisha e pa funksionalizuar.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit të marrë më 27 shtator të këtij viti, të cilin e ka siguruar thuhet se vendimi i Gjykatës Themelore në vitin 2015 kishte qenë i bazuar meqenëse pala paditëse, përkatësisht UP-ja nuk ishte paraqitur në seancën kryesore lidhur me këtë kontest.

Sipas gjykatës, arsyetimi i UP-së për mospjesëmarrje në seancë në vitin 2015 kishte qenë fakti se ka pasur protesta të shumta para kishës së lartpërmendur.

“Pretendimet ankimore te palës paditëse se me datën 17.11.2015 dhe me datë 18.11.2015 para ndërtesës se rektoratit ka pasur protesta prej disa dhjetëra punëtorëve, kjo gjykate i konsideroi si të pabazuara sepse kjo nuk ishte pengesë që ata të mos marrin pjesë në seancë. Prandaj, në situatën konkrete të gjitha pretendimet ankimore të debitorëve, Gjykata e Apelit i konsideron të pabazuara dhe të paqëndrueshme ngase nuk kanë bazë në prova konkrete”, thuhet në vendim.

Pas këtij vendimi, Universiteti i Prishtinës ka të drejtë që të nisë procedurat nga fillimi dhe të ushtrojë padi të re për të njëjtën çështje.

Kisha e pa funksionalizuar e cila u ndërtua në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviq në vitet 1990, u bë shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinë.

Kosova nuk ka tokë për të falur

Qytetari nga Prishtina Jakup Berisha duke folur rreth kësaj çështje ka thënë për “ Bota sot” se Kosova nuk ka tokë për të falur dhe se toka më e madhe e kësaj prone  të UP-së i takon Komunës së Prishtinës.

 “Unë kam dëgjuar se pjesa më e madhe e pronës së UP, në fakt, i takon Komunës së Prishtinës, ndërsa këtë pjesën për të cilën po flitet i është “dhuruar” Kishës Serbe në fillim të viteve të nëntëdhjeta me një vendim të veçantë të Kuvendit Komunal të atëhershëm, që do të thotë se duhet rishikuar këtë veprim në tërësi e jo të tash të ngritën në këmbë e të bëjnë pazare me tokat tona” shprehët qytetari nga Prishtina.  

Image
Izeir Hyda

Vendim i padrejtë

Kurse, Profesor Izeir Hyda ka thënë për “ Bota sot” se për të gjithë ata që i njohin rrethanat e ndërtimit të Kishës Ortodokse serbe në oborrin e Universitetit, nuk e pranojnë si të drejtë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Dytë në të mirë të Kishës serbe.

Sipas tij, të tillët nuk mund ta pranojnë edhe për faktin vendimi i atëhershëm ishte politik që i mbronte serbët të mos shpërnguleshin.

“Pra ishte bërë një gabim dhe tani gjykata e bënë edhe gabimin e dytë, për të treguar para botës se ne jemi për ruajtjen e monumenteve kulturo-historike e fetare. Natyrisht, jemi për bashkëjetesë dhe për tolerancë fetare, por jo me çdo çmim e me çdo kusht duke e dëmtuar pronën shoqërore të Universitetit në dobi të tolerancës fetare. Por kështu është kur gjykatat marrin vendime politike”, ka thënë profesor Hyda.

Ai ka thënë se  vendimi i Gjykatës, po ashtu ka mund të jetë krejt ndryshe, pasi ndërtesat e tilla që nuk shërbejnë si vend i shenjtë ku njerëzit lidhen me Zotin vetëm se e kanë formën e kishës, nuk janë kisha.

“Gjykata shumë lehtë ka mund të konstatojë se ajo nuk është kishë po një ndërtesë që pretendohet të bëhet kishe. Ky objekt assesi nuk mund të bëhet Kishë, pasi është ndërtuar në vend jo të zakonshëm , në rrethana të jashtëzakonshme”, është shprehur profesor Hyda.

Image
Fadil Kajtazi

Kisha vegël e politikës serbe

Ndryshe njohësi i çështjeve të sigurisë Fadil Kajtazi ka thënë se njëra prej veglave kryesore e politikës serbe në ekspansionin e saj kundër shqiptareve historikish ka qenë Kisha Ortodokse Serbe.

Sipas tij, përfshirja e Kishës Ortodokse Serbe si vegël e shërbimit sekret serb, rrënjët i ka qysh në vitin 1886, kur ajo organizon futjen e 29 priftërive rus dhe 16 serb për të shërbyer si hoxhallarë në xhamitë e Kosovës.

“Që atëherë Kisha Ortodokse Serbe është marr me veprime subversive kundër shqiptarëve, ku kulmi ka arritur gjatë kohës së Millosheviqit, kur kjo ishte inspiruese në kriminalizimin e "shpirtit" serb për të kryer masakra të llahtarshme kundër shqiptarëve. Dhe kjo kishë është armikja kryesore e shqiptarëve, sepse ende vazhdon të këtë qëndrim armiqësor kundër shqiptarëve dhe prodhon shovinizëm kundër tyre. Dhurimi i tokës kësaj Kishe nga Gjykata e Kosovës në kampusin e universitetit "Hasan Prishtina" është vepër e shëmtuar, është e barabartë me votimin e kushtetutës së Kosovës nga disa delegat me 23 mars 1989, sepse tradhtia nuk ka brirë”, ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë Kajtazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat