“Komisioni në udhë pa dalje, Bulliqi rrezikon qeverinë Haradinaj”

Politika

“Komisioni në udhë pa dalje, Bulliqi rrezikon qeverinë Haradinaj”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 nëntor 2017 Në ora: 22:03
Shpejtim Bulliqi

Raportimi i Komisionit Shtetëror për Demarkacionin para deputetëve të Komisionit për Integrime Evropiane u komentua shumë. Vetë deputetët e pranishëm thanë se nuk kishte asgjë të re nga ky raportin, derisa komisioni kritikoi punën e ish komisionit të udhëhequr nga Murat Meha, duke shtuar se raporti final i komisionit aktual do të dalë shumë shpejt.

E me një raportim të tillë u shpreh e zhgënjyer edhe Ambasada Amerikane në Kosovë, e cila bëri thirrje që versioni aktual i demarkacionit të ratifikohet sa më shpejt të jetë e mundur.

E për gjithë këtë, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se komisioni është në një udhë pa dalje dhe se komisioni duhet të vijë i përgatitur ose të mos vijë fare, siç kanë thënë edhe deputetët.

“Komisioni i ri shtetëror për Demarkacionin është si "kofini pas të vjelave", sepse para deputetëve nuk mundi të sillte asnjë kokërr rrushi, kështu që, u pa se është në një udhë pa dalje. Kam përshtypjen se profesori Bulliqi ia vërtetoi fjalët Presidentit Thaçi, i cili para disa ditësh ia adresoi një mesazh mjaft domethënës, edhe pse shpotitës, por që porosinë e kishte të qartë: komisioni të mos bënte shëtitje të kota dhe bjerrakohëse. Komisioni asnjë argument sado pak të qëndrueshëm nuk ofroi para deputetëve dhe, ata me të drejtë e kritikuan komisionin duke ia tërhequr vërejtjen që herë të tjera ose të përgatiten ose të mos vinë fare”, ka deklaruar Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

Sipas tij, Bulliqi po mbart në vete rrezikun e madhe dhe nëse nuk gjen shkelje siç kanë thënë se ka, do të jetë përgjegjës për rrëzimin e qeverisë Mustafa dhe do të rrezikojë edhe qeverinë Haradinaj.

“Profesori Bulliqi nuk arriti të fshihte shqetësimin e tij, padyshim ngase e ka kuptuar se i ka hyrë një aventure që nuk mundet t'i dalë zot. Kjo do të thotë se ka marrë mbi vete rrezikun e madh, sepse, nëse ndodh që të mos gjejë shkelje, do të jetë i shkelur në ndërgjegje sepse, do të mbahet mend si personi që e ka rrëzuar Qeverinë Mustafa dhe po e rrezikon edhe Qeverinë Haradinaj, i cili bindshëm e ka thënë se u beson profesorëve. Prandaj profesorët do të ishte tepër keq nëse e zhgënjejnë kryeministrin. Ky zhgënjim sa po shihet është i garantuar sepse, Ambasada Amerikane në Prishtinë prapë, pas paraqitjes së Komisionit para deputetëve e ka përsëritur deklaratën e mëhershme, se marrëveshja për demarkacioni është në rregull dhe nuk duhet humbur kohën kot! Sa mund të gjykoj unë, ambasada amerikane është e SHBA-se dhe nuk është mirë mos me ia përshosh fjalët”, është shprehur ai për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat