Klasa politike të kuptojnë sinjalin amerikan

Politika

Klasa politike të kuptojnë sinjalin amerikan

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 15 nëntor 2017 Në ora: 22:32
Ilustrim

Gjatë ditë së mërkurë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka lëshuar një deklaratë për raportimin e komisionit të ri për Demarkacionin me Malin e Zi. Në këtë reagim të SHBA-ve thuhet se ky raportim i këtij komisioni ishte zhgënjyes dhe se këto të gjetura janë të pabazuara, çorientuese, dhe të gabueshme.

Lidhur me këtë çështje, analisti Mentor Tahiri ka thënë për “Bota sot” se reagimi nga ana e ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, është vazhdimësi e një qëndrimi të qartë lidhur me demarkacionin.

Image
Mentor Tahiri

“SHBA-të vazhdimisht kanë siguruar jo vetëm institucionet e Kosovës, por edhe më gjerë opinionin publik në Kosovë, se vendi nuk pëson kurrfarë humbje me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e zi”, ka thënë ai.

Po ashtu ka shtuar se duhet pranuar se reagimi amerikan kësaj radhe është shumë më i ashpër.

 “Drejton gishtin më qartë te fajtorët dhe thekson natyrën e interesave personale dhe partiake të bartësve të kauzës “Demarkacion”, kurse si i tillë ky reagim mund të jetë edhe i fundit”, ka theksuar Tahiri.

Po ashtu, ai shpreson që ekzekutivi dhe legjislativi i Kosovës, janë mjaftueshëm të përgjegjshëm të kuptojnë sinjalin amerikan.

“Në rast se klasa politike e Kosovës nuk reflekton, jo vetëm që po rrezikojmë të komprometojmë marrëdhëniet e mira me aleatët tanë, por edhe po i dekurajojmë aleatët që të vazhdojnë të kujdesen për ne”, ka deklaruar ai.

Si përfundim Tahiri ka thënë se marrëdhëniet e mira me SHBA-të janë jetike për vetë ekzistimin e Shtetit të Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës nuk kanë luksin që të tolerojnë çfarë do papërgjegjësie në raport më SHBA-të, pavarësisht nga cili politikan vjen kjo papërgjegjësi”, ka përfunduar Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat