“Haradinaj vazhdon t´i injorojë, heshtë krimet numerike gjatë dhe pas luftës që u faturohen "komandantëve"”

Politika

“Haradinaj vazhdon t´i injorojë, heshtë krimet numerike gjatë dhe pas luftës që u faturohen "komandantëve"”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 16 nëntor 2017 Në ora: 11:58
Disa nga viktimat e vrasjeve politike

Qeveria Haradinaj ka dhënë premtime të mëdha për zgjidhjen e çështjeve më të rëndësishme në Kosovë. Ai premtoi se demarkacioni, ushtria, liberalizimin i vizave dhe asociacioni do të zgjidhen brenda vitit, vetëm në tre muajt e parë të mandatit të tij. Por Haradinaj nuk e përmendi një çështje shumë të rëndësishme në Kosovë, vrasjet politike, ato që mbetën dekada pa u zbardhur.

Ditë më parë qytetarët protestuan për një vjetorin e vrasjes së ish aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit, i vdekur në burgun e Prizrenit. Këtë protestë e ka përkrahur edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Ai në Facebook pati shkruar se qeveria që ai drejton do të bëjë gjithçka për ta ndriçuar këtë rast.

“Si Kryeministër, zotohem se Qeveria e Kosovës me kapacitetet e saj do të bëjë gjithçka që ky rast të ndriçohet. Çdo kërkesë e familjes Dehari do të realizohet. Drejtësia për Astritin do të ndodhë!”, ka thënë në fund Haradinaj.

Të kontaktuar nga “Bota sot”, nëse kjo qeveri do të tentojë të shtrijë ndikimin e saj për zgjidhjen e vrasjeve tjera politike që ndodhën më shumë në kohën e pasluftës, zyrtarë nga qeveria nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Image
Idriz Zeqiraj

Heshtja e Haradinajt për vrasjet poltike

Ndërsa, publicisti Idriz Zeqiraj në një prononcimi për “Bota sot”, duke e quajtur si “Qeveri të zorit”, ka thënë se kryeministri Haradinaj po hesht dhe injoron krimin që ka ndodhur në Kosovën e pasluftës, kryesisht ndaj veprimtarëve të LDK-së.

“Vrasjet e kundërshtarëve politikë, kryesisht të LDK-së, FARK-ut, por edhe brenda llojit, pra, të LPK-së, janë një pengesë serioze, për demokracinë dhe jetën e qetë, qoftë në aspektin ligjor, qoftë në atë shpirtëror. Nuk mund të ecët para me krime nëpër këmbë. Kryeministri Ramush Haradinaj vazhdon t´i injorojë, t`i heshtë krimet numerike, gjatë dhe pas luftës, të cilat, kryesisht dhe faktikisht, u faturohen "komandantëve", që, tashmë, janë veshur me pushtet, madje, anekënd Kosovës. Inkriminimi, kriminalizimi i shoqërisë, i Kosovës, ka ndodhur. Ramushi ka premtuar shumë, edhe për sigurinë, ku përfshihet vendosja e drejtësisë në vend”, ka thënë Zeqiraj.

Ai thotë më tutje theksoi se Gjykata Speciale do të shtrijë hetimin e saj edhe mbi krimet e komandantëve vrasës.

“Krimit nuk i skadon afati. "Si zorra në push" hidhën zyrtarët e së majtës ekstreme të Kosovës, kur kërkohet nga populli që Gjykata Speciale ta shtrijë mandatin e saj të hetimit edhe pas luftës, duke hetuar e zbuluar edhe krimin e fundit të "komandantëve" vrasës. Kur përmend të majtën, ajo është PDK-ja dhe AAK-ja. Shtirja e tyre si të djathta, është kamuflim para botës demokratike, Evropës dhe Amerikës me aleatë”, është shprehur ai.

Zeqiraj thotë se Qeveria Haradinaj, nëse vërtet pretendon ta funksionalizojë shtetin ligjor të Kosovës, A-ja e të cilit duhet të jetë vendosja e ligjshmërisë e drejtësisë, të munguar për 18 vjet radhazi, atëherë pse vazhdon ta anashkalojë këtë element bazë të një shteti ligjor.

“Ramushi flet shumë e për gjithëçka, por, "hesht si peshku", kur është fjala për krimet seriske politike, të ndodhura në Kosovë, përfshi këtu jo vetëm kundërshtarët aktiv politikë, por edhe vrasjen e dëshmitarëve për këto vrasje. Hashim Thaçi e pranoi se Gjykatën Speciale e sollën vrasjet politike, dështimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë, por edhe vrasja e dëshmitarëve. Dhe, këtë të fundit ia faturon Ramush Haradinajt me shokë, pasi në Rrafshin e Dukagjinit janë shantazhuar e vrarë më së shumti dëshmitarë potencialë, për përgjakjen e Kosovës, nga "komandantët", dorë e zgjatur e Serbisë armike”, ka theksuar ai.

Publicisti Zeqiraj e ka përmendur edhe rastin e bombës ruse në redaksinë e “Bota sot”, ku për dërgimin e saj, anëtari i AAK-së, Jeton Lleshi u dënuaa me 10 vite burg, ndërsa këtë rast, sipas Zeqirajt, Haradinaj po e kalon me heshtje, ngjashëm do t’i kaloj edhe rastet tjera të vrasjeve politike në stilin komunist.

“Rasti i dërgimit të bomës ruse, në Redaksinë e gazetës kombëtare "Bota sot", në Zyrich të Zvicrës, nga terroristi Jeton Lleshi (Lesi), anëtar i AAK-së, i afërt dhe i fotografuar edhe me kryeministrin aktual, Haradinaj, heshtja e këtij të fundit, edhe pas kërkesës të përsëritur nga "Bota sot", për prononcim dhe distancim, dëshmon se Ramushi don t`i anashkalojë e tejkalojë krimet politike, me heshtjen e stilit komunist, sikur nuk ka ndodhur asgjë”, ka përfunduar Zeqiraj.

Image
Hajrullah Tërnava

Mungesa e njerëzve me duar të pastërta

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se këto vrasje të pasluftës ishte dashur moti me u zbardhë, pasi sipas tij me formimin e Qeverisë së parë të pasluftës, sikur të ishin zbardhur këto vrasje, ndryshe do të ishin punët sot.

“Prandaj kemi ngecur kështu sikur tani, sikur që i kemi punët,  tani i vetmi shtet i izoluar dhe pa perspektivë që të futemi në BE. Me mos zbardhjen e këtyre vrasjeve të pasluftës, ata pushtetarë që ishin të zhytur me këto krime, i lejuan vetit dhe u trimëruan dhe u futën edhe në krime tjera, që tani e kemi vështirë që të pastrohemi nga këto krime, se po u pastra Kosova nga këto krime shumë pushtetarë „peshq të mëdhenj“ do të gjenden pas grilave, me shumë vite burgosjesh, e këtë tani konkretisht po e kërkon BE. Tani ne si Kosovë, me këto institucione të papastërta, kurrsesi nuk jemi në gjendje me e pastru Kosovën, se e ka përfshi pisllaku i madh”, ka thënë Tërnava.

Ai thotë më tutje se pa reforma të mirëfillta të të gjitha institucioneve, që me ligje duhet ta luftojnë krimin dhe në krye të këtyre institucioneve duhet të vijnë njerëz të shkolluar e më përvoja profesionale, e mbi të gjitha të guximshëm dhe me duar të pastërta nuk mund të pritet se mund të fillohet spastrimi krimit.

“As kjo qeveri në pushtet tani sit ë gjitha qeveritë deri më tani, nuk mund të spastrojmë krimin i cili ka depërtuar në të gjitha poret e shoqërisë tonë. E vetmja shpresë që qytetarët e presin është Gjyqi Special në Hagë, e krahas këtij gjyqi reformat sikur që e shpjegova në institucionet tona dhe përkrahja e plotë e udhëheqësisë së Kosovës me anazhimin e miqve ndërkombëtarë, sit ë Amerikës dhe BE-së. Egizton edhe shpresa e mirë që ligji i Vettinut në Shqipëri, që tregohet i suksesshëm që ka gjasa të filloj edhe këtu dhe në tërësi të pastrohet ky regjion në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Mali i ZI, Bosnja dhe Hercegovina dhe njëherë e përgjithmonë pas pastrimit të i’u qelën dyertë e BE-së, ku dhe I takojnë si tërësi e BE”, ka theksuar ai.

Sipas tij, derisa po shihet që kjo qeveri është jo stabile dhe vështirë e përballueshme ndaj stuhive që po i vijnë, nuk do të merret me zbardhjen vrasjeve të pasluftës.

“Edhe qeveria e Haradinajt sikur edhe të mëparëshmet ishin dashur të merren me zbulumin e këtyre vrasjeve të pasluftës, por sikur që po shihet kjo qeveri nuk është qeveri stabile dhe vështirë që mund të ju qëndroj stuhive që e presin muajve në vazhdim, sikur ta pastronte Kosovën kjo qeveri nga krimet që e kanë përfshirë këtë shtet të ri, kjo qeveri do të hynte në historinë e saj si e suksesshme për Kosovën, dhe do ja zgjatë vetit jetën e saj në politikë”, përfundon eksperti i sigurisë Tërnava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat