LDK vazhdon ta sfidojë Haradinajn, i kërkon kufirin në Kullë e Çakorr

Politika

LDK vazhdon ta sfidojë Haradinajn, i kërkon kufirin në Kullë e Çakorr

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 17 nëntor 2017 Në ora: 11:14
Pika kufitare Kosovë-Mal i Zi

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, japin versione të ndryshme nga njëra tjetra sa i përket votimit të një marrëveshjeje tjetër nga ajo e gushtit të vitit 2015 për Demarkacionin me Malin e zi.

Derisa në LDK thonë se do ta votojnë versionin e premtuar nga Haradinaj që kufiri me Malin e zi të jetë deri në Kullë e Çakorr, në anën tjetër në PDK thonë se për të vendosur rreth kësaj do t`iu duhet të mbajnë mbledhje të kryesisë së partisë.

Më 26 Gusht të vitit 2015 Kosova do të përjetonte një kthese të madhe. Pikërisht në këtë datë Kosovës do t’i shtohej edhe një problem tjetër relevant për të.

Ne atë kohë Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, kanë nënshkruar dokumentin që përcakton kufirin e Kosovës me Malin e Zi.

Bojkotimi i opozitës e sidomos i kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj në atë kohë e tash kryeministër i Kosovës, shkaktoi shumë zhurmë dhe probleme në Ekzekutiv.

Filloi me përplasje me Murat Mehen, atëherë drejtues i Komisionit Shtetëror për Demarkacionin me Malin e Zi, e vazhdoi me sulme dhe bojkot në Kuvend.

Kanë kaluar më shumë se 2 vite qe kjo çështje nuk është ratifikuar në Kuvend dhe sipas ndërkombëtarëve, Demarkacioni është kushti kryesor për liberalizimin e vizave dhe shumë procese tjera vendimmarrëse.

Në mbledhjen e fundit të Komisionit Shtetëror për Demarkacion, kryetari i ri Shpejtim Bulliqi, nuk solli fakte të reja që kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i mbronte dhe thoshte se kufiri është deri në Çakorr dhe në Kullë

Ndërsa, dy partitë që ishin në koalicion në kohën kur u nënshkrua marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kërkuan fakte të reja që ata të binden me versionin e kryeministrit.

Por, këto dy parti që ishin të gatshme të votojnë versionin aktual të Demarkacionit, tregojnë se a do ta votonin ndonjë marrëveshje tjetër, që dallon nga ajo e tashmja.

Zyrtari i LDK-së Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se LDK do ta votojnë versionin e premtuar nga Haradinaj, por me kusht që kufiri të kthehet në Çakorr e Kullë

“Ne e votojmë versionin te cilin e ka premtuar Haradinaj dhe përmes të cilit ka ardhur në pushtet. Pra, Haradinaj duhet ta kthejë kufirin në Çakorr e në Kullë”, u shpreh Gecaj.

Ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se ende nuk kanë vendosur nëse do të përkrahin ndonjë version tjetër të marrëveshjes për Demarkacion.

“Nuk kemi mbajtur ende mbledhje të kryesisë në te cilin do të vendosim a do të votojë PDK-ja ndonjë marrëveshje tjetër e që ndryshon nga ajo aktualja”, tha deputeti i PDK-se Zenun Pajaziti për “Bota sot”.

Kujtojmë që bashkimi evropian vazhdimisht ka thënë se njëri nga tetë kushtet për liberalizim të vizave është ratifikimi i Demarkacionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat