“Gjyqtarët vegla të Klanit “Pronto”, mesazh kërcënimi VV-së për koalicion me LDK-në”

Politika

“Gjyqtarët vegla të Klanit “Pronto”, mesazh kërcënimi VV-së për koalicion me LDK-në”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 nëntor 2017 Në ora: 16:03
Isa Mustafa dhe Visar Ymeri

Ndonëse Gjykata Themelore ka vendosur t’i shpallë fajtorë aktivistët  e Lëvizjes Vetëvendosje, njohës të çështjeve politike e juridike vlerësojnë se një vendim i tillë nuk është aspak i drejtë dhe se është bërë për çështje politike.

Katër aktivistët e VV-së të cilët dyshoheshin për ‘terrorizëm’  gjegjësisht sulmin në Kuvend, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha sot në orët e mesditës janë shpallur fajtorë. Bëhet e ditur se  Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burgim, Adea Batusha është dënuar me 2 vjet burgim, Frashër Krasniqi është dënuar me 8 vjet burgim, ndërsa Egzon Haliti është dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim. 

 Burjani: Priten tensione politike nga VV

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani, duke folur rreth kësaj çështje, ka thënë për gazetën “Bota sot” se puna e gjykatës nuk mund të komentohet politikisht, pasi sipas tij, gjykata duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe jo të jetë anësore.

“Në këtë rast nuk mund të ketë politizim dhe vendime politike pasi kjo është e ndaluar. Puna e sistemit gjyqësor dhe e vendimeve të saj duhet të jenë në përputhshmëri të plotë me mandatin kushtetues dhe ligjor. Por, tani secilit segment në këtë moment të nxjerrjes së vendimit, do t’i jepet konotacion politik për shkak se ka të bëjë me këtë kategori njerëzish. Në parim, ky vendim do të ketë tensione politike në subjektin politik të VV-së. Madje të gjithë e dimë se nuk mund të komentohen politikisht vendimet e organeve të drejtësisë”, është shprehur njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani.

Mehmeti: Vendimi politik, të bashkohen VV dhe LDK

 Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, konsideron se vendimi i sotëm ndaj aktivistëve të VV-së, është krejtësisht politik, i diktuar nga politika dhe si rrjedhojë me ndikim dhe mesazh politik.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti ka vlerësuar se përmes këtij vendimi po tentohet të mbulohet vrasja e aktivistit Astrit Deharit, gjoja se ai ishte i fajshëm.

 “Natyrisht se përmes këtij vendimi po tentohet të mbulohet vrasja e Astrit Deharit, gjoja se ai ishte i fajshëm edhe pse dihet e vërteta. Pra, mendoj se këtu jepet një mesazh tek të gjithë ata që i kundërvihen këtij sistemi të kriminalizuar " Pronto" se kush " kruhet " me ne, e pëson kështu”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Mehmeti ka thënë se vendimi i sotëm ka të bëjë edhe me bashkëpunimin në mes të VV-së dhe LDK-së.

“Ky vendim i marr nga Klani " Pronto" dhe i lexuar nga gjyqtarë vegla të këtij klani, përçon mesazh kërcënimi tek aktivistët e VV që mos të mundohen ta rrëzojnë nga pushteti, edhe mos të bashkohen me LDK-në. Pra, Veseli me Thaçin po nxjerrin kthetrat e vrasjeve dhe vendimeve politike, në këtë rast. Prandaj, është eidomosdoshëm një koalicion i tanishëm i VV-së dhe LDK-së në çdo komunë, madje edhe në nivel qendror për ta larguar sa më parë të keqën e PAN-it nga Qeveria. VV-LDK është koalicion i shpresës, dhe e vetmja që garanton dritë në fund të tunelit. Dhe ky vendim politik ngjan vetëm në vende komuniste dhe askund tjetër”, është shprehur analisti politik Faton Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat