Flet avokati, tregon pse vendimi për aktivistët e Vetëvendosjes mund të ndryshojë

Politika

Flet avokati, tregon pse vendimi për aktivistët e Vetëvendosjes mund të ndryshojë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 17 nëntor 2017 Në ora: 21:42
Seanca gjyqësore, shpallja e aktgjykimit

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë shpallur fajtorë në lidhje me sulmin që ka ndodhur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës gushtin e vitit të kaluar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka shpallur fajtorë katër aktivistët e Vetëvendosje për sulmin që ka ndodhur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës gushtin e vitit të kaluar.

Aktivistët e Vetëvendosjes, janë dënuar me 21 vjet burgim, për kryerje të veprës terroriste.

E në lidhje me vendimin e kësaj Gjykate, ka komentuar avokati Adrian Gjoshi, i cili në një prononcim për gazetën “Bota sot”, I ka cilësuar si të larta dënimet.

Image
Adrian Gjoshi

Por, ai ka thënë se për aktakuza si kjo e aktivistëve, sipas Kodit Penal të Kosovës, dënimi ka mundur të ishte edhe me burgim të përjetshëm.

“Nëse flas nga këndvështrimi i avokatit, më duhet të them se dënimet e shqiptuara janë të larta, edhe pse aktakuza ka qenë e ngritur për vepra penale, për të cilat është paraparë një minimum mjaft i lartë nga Kodi Penal i Kosovës, e ku dënimi kapital për këto vepra është edhe dënimi me burgim të përjetshëm”, është shprehur Gjoshi.

Megjithatë, sipas tij, vendimi ndaj aktivistëve të VV-së, nuk është i plotfuqishëm dhe mund të ndryshojë. Gjoshi ka thënë se pala mbrojtëse e ka të drejtën e ankesës Brenda 15 ditësh në Gjykatën e Apelit.

“Ky vendim ende nuk është i plotfuqishëm, është vendimi i shkallës së parë, dhe i njëjti mund të ndryshojë për të mirë ose për të keq. Avokatët mund ta apelojnë këtë vendim brenda 15 ditësh në Gjykatën e Apelit, e cila edhe do ta japë fjalën e saj”, është shprehur avokati Adrian Gjoshi.

Ndryshe, Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burg, Egzon Haliti 5 vjet, Frashër Krasniqi me 8 vjet burg, ndërsa, Adea Batusha është dënuar me dy vjet burg.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat