Kundërshtohet ashpër kërkesa e deputetit të Listës serbe për dialogun

Politika

Kundërshtohet ashpër kërkesa e deputetit të Listës serbe për dialogun

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 18 nëntor 2017 Në ora: 07:58
Lista serbe

Deklarata e deputetit Igor Simiq se Lista Serbe do të jetë pjesë e ekipit të Beogradit në dialogun që do të vazhdojë në Bruksel është përcjellë me reagime të ashpra nga ligjvënësit e Kosovës, si dhe nga përfaqësuesit e shoqërisë civile në vend dhe partive opozitare e analisteve të ndryshëm.

Sipas këtyre të fundit, një deklaratë e tillë e një deputeti të Kuvendit të Republikës së Kosovës është në kundërshtim të thellë me parimet e rregullimit shtetëror të vendit.

“Serbët janë të përfshirë në procesin e dialogut. Janë të përfshirë si pjesë e ekipit bisedues të Beogradit dhe kjo nuk paraqet asgjë të re. Ne kemi marrë pjesë në disa mbledhje, kur janë sjellë zgjidhje të caktuara për fusha të ndryshme. Kështu që serbët po marrin pjesë në atë dialog dhe për këtë nuk ka kurrfarë dileme”, ka deklaruar ditë më parë për media Simiq.

Reagimi i opozitës

Reagimet e menjëhershme për këtë kanë ardhur nga partitë opozitare, derisa Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar për ketë. Gazeta ka dërguar pyetjet në emailin zyrtare të Qeverisë se Kosovës por ata nuk janë përgjigjur.

Image
Fatmire Mulhaxha-Kollçaku

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku nënkryetare në Lëvizjen vetëvendosje, ka thënë se që nga fillimi e kanë cekur se është e papranueshme që një subjekt politik si Listës Serbe të jetë pjesë e institucioneve të një shteti që nuk e ka njohur dhe vazhdon ta kundërshton në të gjitha takimet brenda dhe jashtë vendit.  

“Është fakt i pamohueshëm se iniciativa për formimin e Listës Serbe ka ardh direkt nga Beogradi, dhe rrjedhimisht ata i përgjigjen direkt Kryeministres dhe Presidentit Serb, gjë që ata nuk e fshehin. Edhe deklarata e Simiq është konform këtij realiteti. Sa i përket palës kosovare në pushtet tashmë ata janë dorëzuar pranë këtij fakti. Për ne kjo është jo vetëm e papranueshme por edhe e dëmshme dhe cenon direkt sovranitetin e vendit. Po ashtu, ne tashmë jemi deklaruar se jemi kundër këtij formati të dialogut që nuk i solli asgjë te mirë Republikës së Kosovës” ka thënë Mulhaxha-Kollçaku.

Rugova: Përfaqësuesit e Kosovës duhet ta bojkotojnë një format të tillë

Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Naser Rugova ka thënë se deklaratat e tilla dëmtojnë rendë shumë procesin diaoluges dhe se Lista Serbe është e regjistruar në organet kompetente të Republikës se Kosovës.

Image
Naser Rugova

“Lista Serbe është pjesë e legjislativit të Republikës dhe tek e fundit paguhen nga buxheti i Kosoves, nëse ata do jenë pjesë e ekipit të Beogradit përfaqësuesit e Kosovës duhet ta bojkotojnë një format të tillë të dialogut” ka thënë Rugova.

Në lidhje më deklaratat e deputetit Igor Simiq se Lista Serbe do të jetë pjesë e ekipit të Beogradit në dialogun që do të vazhdojë në Bruksel, njohësi i çështjeve politike në vend Haki Abazi ka thënë se dialogu duhet të ndërpritet në formatin që është tani.  Sipas tij, nevojitet dialog ndërmjet Serbeve të Kosovës, qytetareve Serb dhe institucioneve të vendit.

Sipas tij, Reagimi i presidentit Serb në deklaratë se Bakir Izetbegovicit nga Bosnja për mundësinë e njohjes se Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina tregon që Serbia është interesuar që të sabotojë shtetësinë e Kosovës në çdo mënyrë.

“Ky reagim më kërcenim dhe pengesat për anëtarësim dhe njohje sikurse edhe obtuksionet tjera duke dërguar lajme të rrejshëm neper ambasadat e ndryshme për të parandaluar njohje tregojnë qartë se çfarë është qëllimi i Serbisë në këtë dialog. Lista Serbe është një krijesë artificiale që ka dalë nga dialogu dhe nuk përfaqëson askënd, kjo u pa edhe nga raporti i monitrimit të BE-së për zgjedhjet lokale. Serbët e Kosovës janë nën trysni të jashtëzakonshme nga strukturat e Beogradit dhe Lista Serbe është instrument i trysnisë se qytetareve dhe gjithashtu është mjetë i sabotimit të shtetësisë” ka thenë Abazi.

Qasja e gabuar daj Listës serbe

Image
Faton Abdullahu

Kurse, Faton Abdullahu ish zyrtar i Qeverisë, ka thënë për gazetën “Bota sot” se për shkak se koalicioni qeverisës aktual ka vendosur raporte përbrenda qeveritare krejt të pa zakonshme me Listën Serbe, me çka involvimin klandestin të Beogradit zyrtarë e ka institucionalizuar, duke i krijuar hapësirë të gjerë veprimi, nuk është aspak e çuditshme kjo që kemi dëgjuar nga deputeti i Listës Serbe, Simiq.

“Kjo qasje e kësaj Liste tregon se sa janë trimëruar ata dhe se çka ua merr mendja se mund të aspirojnë. Në anën tjetër është brengosëse se, djallëzia e tyre e gatuar në Beograd kundër nesh, nuk do të mund të kundërshtohet nga kjo qeveri, as parimisht as ligjërisht, sepse ajo nuk i ka numrat, apo thënë ndryshe, numrat që i ka i ka siguruar mu me këtë Listë, prandaj nuk mund të mbijetoj ndryshe por vetëm duke thyer parimet, për fat të keq në dëm të interesave nacionale të Kosovës. Kjo është brengosëse” ka thënë Abdullahu.

Sipas tij, do të ishim çuditur se si kjo listë do të jetë përkrahja më e madhe e kësaj Qeverie.

“Kjo është e thjeshtë për tu kuptuar, sepse qeveria aktuale është mundësia më e madhe e kësaj Liste që nga paslufta, për t'i institucionalizuar politikat e Beogradit në Kosovë. Dua të besoj se opozita aktuale është e vetëdijshme për këtë dhe pas balotazheve, ajo do të ngritët në nivel të detyrës së saj për të qenë sa fleksibile dhe bashkëpunuese aq edhe guximshme dhe kreative, të cilën deri më tani nuk po e kryen as për së afërmi në raport me të keqen që po i kanoset Kosovës”, ka theksuar ai.

Kelmendi: Duhet njohje reciproke

Image
Muhamet Kelmendi

Kurse njohësi i çështjeve juridike në vend Muhamet Kelmendi ka shpjeguar se pa një platformë të qartë politike dhe të aprovuar në Kuvendin e Kosovës mos të vihet në diskutim dhe asnjë veprim mos të merret.

“Jam i mendimit se raportet Kosovë -Serbi duhet të vazhdojnë më njohje reciproke dhe më përgjegjësi morale, penale dhe më reparacion të shtetit serb për krimet dhe gjenocidin e bërë në Kosovë. Është koha kur duhet qartë dhe prerë të caktohen qëllimet e shtetit. Çdo vazhdim i bisedimeve pa këto barriera është i dëmshëm dhe thjeshtë antishtetëror” ka thënë Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat