“Haradinaj nuk do të bind kurrë Listën Serbe, ekziston vetëm një mundësi për formimin e ushtrisë”

Politika

“Haradinaj nuk do të bind kurrë Listën Serbe, ekziston vetëm një mundësi për formimin e ushtrisë”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 nëntor 2017 Në ora: 10:30
Ramush Haradinaj dhe Dalibor Jevtiq, përfaqësues i Listës serbe

Qeveria e Kosovës qysh në fillim të mandatit të saj kishte dhënë premtime të mëdha për çështjet madhore që ende kanë mbetur peng. Ushtria, demarkacioni e liberalizimi i vizave po kërkohen me ngulm që të përfundohen, megjithatë duket të jenë këto çështje që do ta dërgojnë drejtë fundosjes Qeverinë Haradinaj. Kjo pasi që liberalizimi i vizave nuk mund të realizohet pa u përmbushur demarkacioni, e ky po del të jetë ‘dardhë me bisht’ për Haradinajn, i cili ishte kundërshtues i fuqishëm për këtë marrëveshje në kohën kur ishte në opozitë, ndërsa tani po ‘detyrohet’ ta nënshkruajë si të tillë, vlerësojnë analistët politikë.

Një premtim tjetër, Haradinaj e kishte bërë për çështjen e ushtrisë. Ai premtoi se Kosova do të bëhet me ushtri brenda tre muajsh, ndërsa të mërkurën doli me një deklaratë se nuk ka afat të përcaktuar për formimin e ushtrisë.

Matoshi: Ushtria në bashkëpunim me NATO-n

Image
Halil Matoshi

Halil Matoshi, drejtor i Zyrës për Komunikim në Qeverinë Haradiaj, ka deklaruar për media se Qeveria është duke punuar intensivisht për formimin  e ushtrisë, që ky proces të jetë një hap drejtë anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Qeveria e Kosovës është e përgjegjshme dhe po punon seriozisht në çështjen e transformimit të FSK-së në FAK, si procesi më i rëndësishëm në këtë periudhë. Qeveria e Kosovës po punon intensivisht që transformimi i FSK në Forcat e Armatosura të jetë një hap i përbashkët për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por nuk është i ndërlidhur me datë të kufizuar. Ky proces, si i tillë do të përmbyllet në bashkëpunim të plotë me të gjitha institucionet vendore, NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Matoshi.

Por sa e vështirë do të jetë për Haradinajn që të bind Listën Serbe që ta votojë formimin e ushtrisë, kur ajo e kundërshton fuqishëm këtë çështje.

Kelmendi: Qeveria kurrë s’do ta bind Listën serbe

Image
Muhamet Kelmendi

Njohësi i çështjeve juridike, njëherit edhe zyrtar i AAK-së, Muhamet Kelmendi, ka thënë se Qeveria kurrë nuk do të arrijë të bind Listën Serbe për ushtrinë.

“Nuk do të arrinë kurrë të bindë Listën Serbe. Nuk do të kemi ndryshime kushtetuese me pajtueshmërinë e saj. Kjo për shkakun se shteti shovinist serb është kundër”, ka theksuar Kelmendi.

Sipas tij, ekziston vetëm një mundësi për formimin e ushtrisë.

“E vetmja mundësi për formimin e ushtrisë është ligji. Këtu nuk dihen votat e asnjë minoriteti. Mjafton shumica relative”, ka thënë Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Dëmet nga Serbia

Nga ana tjetër, Blerim Burjani, njohës i çështjeve politike, ka thënë se duke u nisur nga deklarata e fundit e Qeverisë për ushtrinë, do të thotë se kohë ka, por jo edhe afat kohor.

Image
Blerim Burjani

“Për të interpretuar drejtë i bie se kohë ka sa të duash, andaj nuk ka limit kohor për formimin e ushtrisë, kjo është papërgjegjshmëri, e kuptoj qartë se Lista Serbe do të bllokojë çfarëdo iniciative për këtë temë. Kosova ka nevojë sa më parë, madje është vonuar tepër në themelimin e një ushtrie moderne efektive për të ruajtur dhe kontribuar për paqe në rajon dhe më gjerë”, është shprehur Burjani.

Sipas tij, duke pasur parasysh se Kosova është shtet i barabartë për të gjithë, dëmi më i madh vjen si gjithëherë nga Serbia, që pa ndalë tenton vetëm të bllokojë edhe shtetin e Kosovës.

“Madje edhe OJQ-ja e saj në anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, një absurd që e përcjellë gjithmonë Serbinë, është se janë të gatshme të normailizojnë raportet me Kosovën, kjo duket të jetë vetëm fjalë dhe gënjeshtër dhe pa kurrëfarë kuptimi”, ka vlerësuar ai.

Alibia politike e Qeverisë

Image
Leon Duhanaj

Ndërkaq analisti politik, Leon Duhanaj, ka thënë se si shumë çështje tjera, me rëndësi edhe themelimi i Ushtrisë së Kosovës, përkatësisht shndërrimi i FSK-së në FAK, ka ardhur deri në këtë pikë, si pasojë e tekeve dhe paaftësisë politike të faktorit shqiptar në vend.

“Ne nuk do të mund t'i bindim të tjerët për diçka që ende s'jemi bindur vetë? Subjektet politike, ka vite që flasin rreth këtij qëllimi', por fjalët mbesin fjalë dhe realiteti mbetet krejt tjetër. Përfaqësuesit politik serb, do ta përkrahin këtë transformim, vetëm atëherë kur ta kuptojnë se shqiptarët e kanë vërtet menjëmend”, është shprehur ai.

Sipas Duhanajt, ata do të përpiqen ta kapitalizojnë sa më shumë këtë situatë, duke lidhur kërkesa të reja për interesat e tyre.

“Megjithatë ushtria do bëhet se s’ka alternativë. Ashtu siç është bërë edhe vetë Kosova. Qeverisë, gjegjësisht kryeministrit Haradinaj, do t'i këshilloja, t'i përvjelët punës, të punojë më shumë, në mënyrë që edhe për serbët, sidomos të bëhet me interes pjesëmarrja në FAK. Deklarimet kinse serbët na qenkan bllokues, janë alibi politike”, ka theksuar Duhanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat